Revolucioni i Guardiolas

Mesfushori i Barcelonës, Xavi mendon se Pep Guardiola është trajneri më i mirë në botë dhe se strategu i ekipit katalan ka bërë revolucion në futboll me taktikën e tij dhe lojën ofensive. Xavi është njëri prej futbollistëve kryesorë të Barcelonës, prej më meritorëve që ekipi nga Nou Camp ka dominuar në futbollin spanjoll dhe atë evropian në vitet e fundit.
Por, ai thotë se te Guardiola askush nuk e ka vendin e sigurt në formacionin bazë, përfshirë yllin argjentinas Lionel Messi.
Guardiola zëvendësoi Frank Rijkaardin si trajner i Barcelonës në verën e vitit 2008 dhe ka udhëhequr ekipin katalan drejt tre titujve në La Liga, dy trofeve të Ligës së Kampionëve dhe sukseseve të tjera në Copa del Rey, Kampionatin botëror të klubeve, Superkupës së Spanjës dhe Superkupën e Evropës.
“Për mendimin tim, ai është trajneri më i mirë në botë”, tha Xavi për të përditshmen sportive katalane Sport. “Për mua ka shumë pak dyshim rreth kësaj. Ai ka bërë revolucion në futboll dhe i ka dhënë klubit gjithçka që kishte nevojë. Kjo skuadër mund të mësojë shumë nga Pep dhe ne të gjithë i pranojmë vendimet e tij”, shtoi ai. Xavi thekson se askush nuk e ka statusin e titullarit të sigurt në ekip, por njëkohësisht askush nuk dyshon në vendimet e trajnerit.
“Askush nuk dyshoi kur ai la në pankinë Sergio Busquetsin në Superkupën e Evropës. Ne të gjithë i kemi momentet tona kur nuk do të luajmë. As Messi nuk mund të luajë gjithmonë. Ata që mendojnë se janë të paprekshëm nuk mund të shkojnë larg te Pep.
Historia nuk llogaritet për asgjë, ne të gjithë jemi të barabartë dhe duhet të tregojmë se e meritojmë të luajmë”, përfundoi Xavi. Barcelona e filloi sezonin 2011-12 duke fituar Superkupën e Spanjës kundër Real Madridit e më pas mposhti Porton në Superkupën e Evropës. Gjiganti katalan ka fituar përballjen e tij të parë në sezonin e ri në La Liga, duke shkatërruar Villarrealin me rezultat të thellë 5-0.