E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpenzime pa gabim

Anzhi Makhachkala ka bërë lajm në futbollin botëror me transferimin e futbollistëve të famshëm si Samuel Eto’o, Roberto Carlos e Yuri Zhirkov, ndër të tjerë. Trajneri Gadzhi Gadzhiev thotë se klubi nuk ka bërë asnjë gabim në investimet e deritashme. Ai tregon ambiciet e skuadrës për këtë sezon si dhe të tjerët në vazhdim. Nga Express më 09 shtator 2011 në ora 08:31

Pas transferimit të futbollistëve me famë si Samuel Eto’o dhe Roberto Carlos në Rusi, trajneri i Anzhi Mahkhachkala, Gadzhi Gadzhiev, thotë: “Ne deri më tani nuk kemi bërë asnjë gabim”. Sa i përket diskutimit të përforcimeve me bujë të Anzhit, trajneri Gadzhiev ka një këndvështrim tjetër nga ajo që mendon pjesa tjetër e botës.

Ardhja e Roberto Carlosit, Yuri Zhirkovit, Samuel Eto’os, Balazs Dzudzsak dhe Mbark Boussoufa për së bashku 70 milionë euro zgjoi sugjerime se Anzhi është duke shpenzuar para pa plan. “Ne ishim pjesërisht të brengosur sepse ka pasur raste në futboll ku janë shpenzuar para në një përbërje të papërshtatshme të futbollistëve dhe doli që klubi kishte çuar poshtë paratë e investuara”, tha Gadzhiev gjatë një interviste për UEFA.com.

“Por, bordi ynë ishte i vetëdijshëm nga kjo dhe u mundua të minimizojë rrezikun”, shtoi 65 vjeçari, ish asistent i ekipit të Bashkimit Sovjetik i cili filloi aventurën e tij të tretë si trajner i Anzhit më 2010. “Kur shikojmë përforcimet e reja, ne i vlerësojmë futbollistët jo vetëm nga aftësia e tyre e paraqitjeve, por edhe nga kualitetet e tyre personale. Ne deri më tani nuk kemi bërë asnjë gabim”, theksoi ai.

Ekipi nga Republika e Dagestanit (që është në kufi me Azerbajxhanin në jug dhe Gjeorgjinë në perëndim) ka kaluar vetëm katër prej 20 sezoneve të tij në elitën e futbollit rus, ndërsa rezultatin më të mirë e arriti më 2000, duke përfunduar në pozitën e katërt dhe udhëtoi për në finale të Kupës së Rusisë. Mirëpo, ambiciet e tyre modeste janë rritur konsiderueshëm prej kur Suleiman Kerimov u bë sponsor kryesor i klubit në janar. Gadzhiev tha se plani fillestar i Anzhit në përmirësimin e fondit të futbollistëve është arritur.

“Ne e filluam sezonin më mirë se që kemi pritur, motivimi është rritur si dhe çdo ndeshje në shtëpi e zhvillojnë në kapacitet të plotë të shikuesve. Kjo ishte shenjë se është koha të sjellim futbollistë të klasit botëror. Kjo ishte kur sollëm Yuri Zhirkovin dhe Samuel Eto’on”, u shpreh Gadzhiev. Anzhi tani ka ekipin më të fortë në Rusi, por ende gjendet në pozitën e pestë në ligë dhe ende mban ambicie modeste.

“Ne i kemi vendosur vetes objektiv të përfundojmë në tetë pozitat e para. Anzhi synon kualifikimin në Europa League, por ne mund të ndërrojmë këtë objektiv gjatë dimrit”, vazhdoi ai. Menaxhimi i parashikimeve do të jetë beteja më e madhe që e pret Gadzhievin në muajt në vazhdim, por pasi ka parë si Manchester City e arriti suksesin brenda një kohe të shkurtër në Angli, Anzhi guxon të ëndërrojë. “Pas dy viteve duhet të fillojmë të synojmë titullin e kampionit. Mirëpo, gjërat sot mund të ndërrojnë sa hap e mbyll sytë. Ndoshta ky do të jetë objektivi ynë sezonin e ardhshëm”, përfundoi Gadzhiev.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›