E Diel, 1 Nëntor 2026

Revolucioni“Juventus”, firmosedhe Kualjarela

ITALI- Ndryshime të mëdha te Juventusi, vetëm dy ditë nga starti i Serisë A italiane. Pasi ka siguruar futjen në fazën në grupe të Europa League, klubi bardhezi ka shitur Diegon te Volfsburgu për shifrën e 15.5 milionë eurove, ndërkohë që ka blerë nga Napoli Fabio Kualjarelën. Për sulmuesin e Italisë janë paguar 4.5 milionë euro për ta marrë në huazim, ndërsa vitin tjetër ai mund të blihet për 10.5 milionë.

Kualjarela ka qenë të premten pasdite në selinë e Juventusit, duke firmosur kontratën që do ta lidhë atë me klubin torinez. Vetëm në javën e fundit bardhezinjtë kanë mundur të firmosin me disa emra shumë të njohur si Krasiç, Akuilani e Kualjarela, ndërkohë që drejtori sportiv Bepe Marota ka premtuar blerjen edhe të një mbrojtësi tjetër. Problem megjithatë mbetet edhe sulmi, pasi Amauri është dëmtuar në ndeshjen e kthimit ndaj Shturm Grac në Europa League. Ai do të qëndrojë jashtë për një muaj dhe nuk mund të luajë në takimin e parë kundër Barit.

Në dispozicion për ndeshjen e së dielës nuk do të jetë as Iakuinta e Trezege, ky i fundit pasi është shumë pranë kalimit te Herkules në Spanjë. Juventusi ka bërë disa goditje të fuqishme këtë verë duke synuar të lërë pas sezonin katastrofë të vitit të shkuar. Bardhezinjtë kanë blerë futbollistë si Pepe, Lanxafame, Mota, Kualjarela, Akuilani, Krasiç apo Bonuçi.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›