Rexhepi: Bisedimet edhe për ndryshimin e kufijve
Nënkryetari i komunës së Preshevës, Orhan Rexhepi ka deklaruar se bisedimet Beograd-Prishtinë do të shndërrohen në bisedime për rregullimin e kufijve.
"Tashmë është e qartë se bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit nuk do të jenë vetëm teknike dhe gjithçka është duke shkuar në atë drejtim që ato të shndërrohen në bisedime rreth gjërave të mëdha, përkatësisht rreth rregullimit të kufijve të rinj në regjion. Rregullimi i kufijve në fillim do të zgjidhet mes Kosovës dhe Serbisë por pastaj shpejt do të zgjerohet edhe në rajon", deklaroi Rexhepi, nënkryetar i Kuvendit komunal të Preshevës.
Sipas tij, Grupi Ndërkombëtar i Krizave tashmë ka filluar të ndryshojë qëndrimin e vet për mosndryshimin e kufijve kur u prononcua për Autonomi të Kosovës veriore.
"Në kontekst të kësaj, Lugina e Preshevës patjetër duhet të bëhet pjesë e Kosovës, përkatësisht pjesë e Shqipërisë. Në favor të këtij konstatimi, potencoj Kartën e Kombeve të Bashkuara për të drejtën e popujve në Vetëvendosje, Konferencën e Helsinkit të vitit 1975 për ndryshimin e kufijve në mënyrë të qetë përmes bisedimeve", thekson Rexhepi duke rikujtuar sondazhin e Galup Internacional se mbi 75 për qind e shqiptarëve janë për bashkimin kombëtar.