E Diel, 1 Nëntor 2026

Rexhepi: Po ndjekim me vëmendje zhvillimet në Mitrovicë

Deklarata e Rexhepit për rritjen e vigjilencës në veri të Mitrovicës vjen një ditë pas paralajmërimeve të bëra nga politikanë serbë në veri, se kjo pjesë mund të shpallë pavarësinë nga Kosova. Ministri Rexhepi konfirmoi edhe qarkullimin e një deklarate e cila bën thirrje për ndarjen e komunave serbe në veri nga Republika e Kosovës.

“Kanë qarkulluar dhe sipas të gjitha gjasave kjo është bërë nga eksponentët e partisë së Koshtunicës DSS, konkretisht nga Milan Ivanoviç, Marko Jakishiç e të tjerë, të cilët kanë dashur të kenë një përkrahje më të gjerë, por që shihet se nuk e kanë. Megjithatë ajo për ne ka qenë e mjaftueshme që të rrisim nivelin e gatishmërisë dhe të jemi të përgatitur. Në këtë vazhdë kemi informuar edhe faktorin ndërkombëtar që një gjë e tillë nuk do të lejohet, sepse nëse ndodh, do të ndërmerren masat e duhura”, ka deklaruar Bajram Rexhepi, Ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës.

Paralajmërimet nga veriu ministri Rexhepi i ka quajtur kërcënim dhe provokim të rëndë për institucionet e Kosovës. “Ky është kërcënim dhe provokim dhe ata kanë pritur që ne të reagojmë në mënyrë të pamatur. Por ne e kemi përcjellë nga afër situatën dhe po ashtu, edhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar, kemi qenë të gatshëm të veprojmë nëse ndodh një gjë e tillë”, shtoi ministri Rexhepi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›