E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: S’ka biseda me Serbinë për çështje të brendshme

Nga Express më 21 prill 2011 në ora 19:35

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se çështja e kthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë në veri nuk do të jetë pjesë e dialogut me Serbinë, pasi që gjyqësia, doganat dhe policia janë çështje të brendshme të Kosovës.

Ai këto komente i bëri të enjten, duke iu përgjigjur interesimit të medieve lidhur me hapjen e gjykatave në veri të Mitrovicës, pas deklaratës së shefit të EULEX-it Ksavier But de Marnak se gjyqtarët dhe prokurorët shqiptar në veri mund të kthehen vetëm pas një marrëveshje politike.

Por, ministri Rexhepi ka hedhur poshtë mundësinë që kjo çështje të jetë pjesë e dialogut me Serbinë, duke thënë se lidhur me këtë çështje do të ketë koordinim me EULEX-in.

“Ne dëshirojmë që të jemi të koordinuar dhe është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve tona dhe EULEX-it për implementimin e sundimit të rendit dhe ligjit. Fillimisht ata janë deklaruar se do të kenë më shumë kompetenca për shkak të sensivitetit në veri, mirëpo nëse ata deklarohen se nuk janë përgjegjës, atëherë do të shikojmë dhe të merremi vesh, nëse jo sa i përket sigurisë së gjykatësve dhe stafit gjyqësor në çdo moment ne mund t’ia bëjmë, për çështje tjera do të bisedojmë”, ka thënë ministri Rexhepi.

Ai ndërkaq nuk ka dashur të komentojë gjatë deklarimet e shefit të EULEX-it, se gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë në veri mund të kthehen vetëm pas një marrëveshje politike, ndërsa ka hedhur poshtë mundësinë që kjo çështje të jetë pjesë e dialogut me Serbinë.

“Ai është mendimi i tij. Ne qysh herë kemi thënë se sistemi gjyqësor dhe doganor dhe i policisë është çështje e brendshme e jona dhe ashtu do të veprojmë”, ka thënë ai.

Ndërsa sa i përket deklarimeve të shefit të ICO-s, Piter Feith se periudhës së pavarësisë së mbikëqyrur do t’i vijë së shpejti fundi, ministri Rexhepi ka theksuar se institucionet e Kosovës do të koordinojnë gjërat lidhur me këtë çështje.

“Jemi në gjendje, mirëpo ne jemi të gatshëm t’i koordinojmë gjërat dhe sa kanë nevojë të qëndrojnë, mirëpo me rritjen e kapaciteteve tona sa më shpejt ata do të lëshojnë hapësirë dhe do të shkojnë gradualisht”, ka thënë Rexhepi. (kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›