Rexhepi e Huruglica në Jarinje

Me kontrollin e një automjeti udhëtarësh, me targa të Mitrovicës, që nga drejtimi i Rashkës hyri në Kosovë, rreth orës 9 filloi zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve.
Ndonëse në këtë vend punimet ende nuk kanë përfunduar, ai është hapur për qarkullim dhe në të nuk ka kurrfarë simbole shtetërore.
Për dallim nga Merdarja, në këtë vendkalim kufitar pati edhe ceremoni zyrtare.
Madje, atje pati edhe zyrtar shtetëror kosovar.
Burime të Indeksonline nga Jarinja kanë pohuar se aty ishte edhe shefi i ekipit teknik për zbatimin e marrëveshjes, Fisnik Rexhepi dhe drejtori i doganave të Kosovës, Naim Huruglica dhe përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit.
Ndërkaq, nga pala serbe prezent në fillimin e sistemit të ri kufitar ishte Dejan Paviçeviq, kreu i ekipit negociator të Serbisë në dialog me Prishtinën.
Pjesëtarët Policisë së Kosovës, ata të Serbisë dhe EULEX-i janë vendosur në gjashtë kontejner që po kryejnë kontrollin e njerëzve dhe automjeteve.
Policët kosovar kishin shkuar me helikopter të EULEX-it në këtë pikë kufitare rreth orës 6 të mëngjesit.
Ekipet e tyre do të qëndrojnë atje deri të enjten./Indeksonline/