E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi mbron policët e kufirit: Nuk mund të ndëshkohen

Nuk do të ketë ndëshkime për sjelljen e Policëve të Kosovës të bërë me rastin e ditës së Vidovdanit. Këtë e ka thënë Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili tha se Policia e Kosovës ka respektuar ligjet dhe Kushtetutën.
Rexhepi, ka deklaruar të mërkurën se nuk do të ketë ndëshkime për ata policë, që sipas tij me trupin e tyre dhe në përputhje me ligjin mbrojtën kufijtë e Kosovës nga huliganët serbë, të enjten e kaluar, më 28 qershor.
 

Kjo deklaratë e ministrit Rexhepi, e bërë për RTK-në, ka ardhur pas kërkesave që disa organizata ndërkombëtare i kanë bërë Inspektoratit Policor, që të hetojë nëse policët janë sjellë në përputhje me ligjin, apo kanë ushtruar dhunë të tepruar ndaj serbëve që po tentonin të hynin në territorin e Republikës së Kosovës.
 

Ministri Rexhepi, nuk e ka mohuar të drejtën e organizatave ndërkombëtare, që të kërkojnë hetimin e sjelljes së policisë, mirëpo në rastin konkret, ai ka thënë se polica ka respektuar ligjin dhe Kushtetutën, dhe nuk ka pasur ushtrim të dhunës së tepruar, përkundrazi, sipas tij, në disa raste ka pasur tolerancë të tepruar.
 

Ditën e ashtuquajtur të “Vidovdanit”- 28 Qershorin, disa organizata ultranacionaliste serbe kanë bërë përpjekje të futen në mënyrë të organizuar, pa autorizim, në territorin e Republikës së Kosovës, por janë penguar nga Policia e Kosovës. Atë ditë janë plagosur nga mjete të forta mbi 30 policë të Kosovës dhe rreth 20 serbë, shtetas të Serbisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›