E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi nuk pranon rezultatet

Kandidati i Koalicionit LDK-AAK-LDD, Fatmir Rexhepi, ka thënë të dielën se mbeten prapa qëndrimit të tyre për rivotim dhe se procesi i rinumërimit të votave, sipas tij, ishte antikushtetues.

Sipas tij, koalicioni vazhdon të qëndrojë fuqishëm prapa qëndrimit për të mos e njohur rezultatin preliminar e as procesin e rinumërimit, duke shtuar se Gjilani mund ta ketë një kryetar legjitim vetëm pas rivotimit.
Rexhepi ka thënë se do të kërkojë mbrojtjen e kushtetutshmërisë, nga ana e presidentit të vendit, qeverisë, miqve ndërkombëtar, në mënyrë që t’i jepet, siç u shpreh ai, rasti demokracisë edhe në Gjilan dhe më 31 janar, pos në Lipjan dhe Prizren, të ketë përsëritje të zgjedhjeve edhe në këtë komunë.

Për dallim nga Fatmir Rexhepi, kandidati i Koalicionit të PDK’së, njëherësh Kryetar aktual i Gjilanit, Qemajl Mustafa, rinumërimin dhe hetimin e procesit zgjedhor e ka quajtur korrekt dhe transparent, gjë e konfirmon fitoren e tij.
Ai ka thënë se e pranon rezultatet e QNR’së për t’i dhënë fund, siç u shpreh ai “kësaj odiseade të krijuar artificialisht nga kundër kandidati humbës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›