Zbehet efekti i mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit

Zyrtarë të institucioneve vendore vlerësojnë se është zbehur efekti i dikurshëm i seancave të Këshillit të Sigurimit për Kosovën dhe rrjedhimisht roli i administratës së Kombeve të Bashkuara në vend.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë mbledhjen e radhës për Kosovën më 22 janar, në të cilën Shefi i UNMIK’ut, Lamberto Zannier, do të paraqesë raportin tremujor për situatën në Kosovë.
Natyra raportuese dhe ndikimi politik, siç thuhet, i zbehur i seancave të këtij mekanizmi për Kosovën, sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, kanë ndikuar edhe në zbehjen e efektit të dikurshëm të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Megjithatë, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se Prishtina zyrtare do të vazhdojë të jetë e pranishme në të gjitha seancat e Këshillit të Sigurimit për Kosovën.
“Efekti i seancave të rregullta të Këshillit të Sigurimit për Kosovën normalisht që ka rënë, për shkak të dinamikës në Kosovë dhe dinamikës së Kombeve të Bashkuara në raport me Kosovën”, shprehet Çitaku.
Nga ana tjetër, Zëdhënësi i UNMIK’ut, Russell Geekie, thotë se përfaqësuesi i OKB-së do të vazhdojë përgatitjen dhe paraqitjen e raporteve periodike për Kosovën para Këshillit të Sigurimit.
“Një nga rolet shumë të rëndësishme në të gjitha rastet, ishte raportimi në Këshillin e Sigurimit mbi situatën në Kosovë. Kjo nuk ka ndryshuar aspak”.