Ilir Beqja: Një tjetër akt jokushtetues i qeverisë Berisha

Tiranë, 5 shkurt, NOA - Aktin normativ nr.10 i
qeverisë për buxhetin, i datës 23 dhjetor 2009, i cili pritet të miratohet në seancën
e sotme plenare, përbën një tjetër veprim antikushtetues të qeverisë Berisha. Me
një deklaratë të tillë, e ka komentuar aktin e fundit normativ të qeverisë,
deputeti socialist, Ilir Beqja. Sipas tij, qeveria nuk mund të përdorë aktet
normative në një kohë kur Kuvendi është i mbledhur në sesion të rregullt. Dhe
nuk na rezulton që në datë 23 dhjetor Shqipëria të ketë qenë në gjendje të
jashtëzakonshme apo në gjendje lufte, për të justifikuar një veprim të tillë. Është
po ashtu absurde që 35 ditë pasi ka përfunduar viti 2009, deputetëve të
Kuvendit u kërkohet të miratojnë të ardhurat, shpenzimet dhe deficitin e vitit 2009,
sqaroi në lidhje me një fakt të tillë deputeti socialist.
Sipas tij, përpjekja e Sali Berishës për të
miratuar këtë akt, është një tregues i qartë i paaftësisë së qeverisë së tij
për të njohur realitetin sepse në vendimin e qeverisë të datës 7 janar 2010
vlerësimi i pritshëm për të ardhurat e vitit 2009 është 301 miliardë lekë.
Ndërkohë që sot deputetëve po u kërkohet të
votojnë për një buxhet ku të ardhurat janë 319 miliardë lekë, pra 18 miliardë
lekë më shumë sesa në vlerësimin e një muaji më parë, tha më tej Beqja.
n.e/NOA