E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka statistika rreth kancerit

Dita Ndërkombëtare kundër kancerit, Kosovën e gjen me një numër mjaft të madh të të sëmurëve me kancer, por jo edhe me të dhëna të sakta se sa është numri i përgjithshëm i pacientëve që vuajnë sëmundjet malinje.

Me rastin e 4 Shkurtit, Ditës Ndërkombëtare kundër Kancerit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në Prishtinë, ka bërë të ditur se numri i përllogaritur i rasteve të reja me sëmundjen e kancerit për çdo vit sa vjen e rritet. Sipas tyre, supozohet se ky numër deri në vitin 2020 do të arrijë deri në 15 milionë.

Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Gazmend Zhuri, ka thënë për Kosovapress, se sëmundjet malinje në Kosovë, si edhe shumë sëmundjet tjera janë sëmundje të cilat janë të përhapura në numër të konsiderueshëm, mirëpo, thekson se fatkeqësisht nuk kanë ndonjë statistikë të saktë rreth këtyre sëmundjeve.

“Rreth statistikave të sakta rreth sëmundjeve malinje në përgjithësi fatkeqësisht nuk kemi. Jemi duke punuar në atë drejtim bashkë me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, që regjistrimi i pacientëve me sëmundjet malinje të bëhet në mënyrë më korrekte nga personeli shëndetësor, në mënyrë që ato statistika ato numra të jenë numra më valid që do të na ndihmojnë më vonë për zhvillimin e shërbimeve dhe për përgatitjen më të mirë për trajtimin e të sëmurëve të tillë”, ka thënë Zhuri.

Në bazë të disa studimeve individuale dhe punimeve shkencore profesionale, në Kosovë brenda vitit paraqiten 40-45 raste të reja me kancer në 100 mijë banorë.

“Supozojmë në bazë të disa studimeve individuale dhe punimeve shkencore profesionale që në Kosovë diku 40-45 raste në 100 mijë banorë brenda vitit rekrutohen të sëmurë të ri me kancer. Këto janë disa statistika të cilat fatkeqësisht i përgjigjen edhe statistikave të vendeve më të zhvilluara të Evropës dhe Bashkimit Evropian, që tregojnë qartazi se kanceri i mushkërive së bashku me sëmundjet tjera malinje është mjaft i përhapur”, ka thënë Zhuri.

Edhe kirurgu torakal, Saudin Maliqi, ka thënë për Kosovapress se duke u bazuar në trajtimin e këtyre të sëmurëve, Kosova mbetet në kuadër të këtij rajoni.

“Në Klinikën tonë, konkretisht në Kirurgjinë torakale bëhet mjekimi, trajtimi kirurgjik i kancerit të mushkërive dhe kancerit të gjirit. Kështu që ato vlera ato rezultate të mjekimit që ne i përcjellim këta pacientë, na bën të kuptojmë se numri total i pacientëve, të cilët janë të atakum me këtë sëmundje përafërsisht është i ngjashëm me numrin e pacientëve në shtetet përreth”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, incidenca e shfaqjes së sëmundjes në vit me kancer të gjirit është mbi 150 pacientë.

“Rezulton se incidenca e shfaqjes së sëmundjes në vit me kancer të gjirit është mbi 150. Ndërsa, te ne operohen gjegjësisht rreth 60-70 raste të reja në vit, në kirurgjinë tonë, duke përfshirë edhe rastet që bëjnë klinikat private, ngritët mbi 100 numrin total, ndërsa mbi 150 ngritët numri total i pacientëve që vijnë me mjekimet nga jashtë duke u nisur në Shqipëri dhe Maqedoni”, ka thënë Maliqi.

Në anën tjetër, edhe pse kanceri është vështirë të parandalohet, mjekët thonë se zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje mund të jetë edhe i suksesshëm.

Kështu ka ndodhur edhe me rastin e Agron Gashi, përfaqësues i zyrës së UNICEF-i, i cili në Ditën Ndërkombëtare kundër Kancerit, ka rrëfyer përvojën e tij personale në mposhtjen e sëmundjes së kancerit.

“Kjo sëmundje mund të shërohet, nuk është turp dhe nuk duhet të paragjykohen të sëmurit, me mund ne mund të bëjmë së bashku shumë gjëra dhe duhet t’i përkrahim ata. Edhe fëmijët më pyesin, ‘babi ti a je shëruar’, i përgjigjem dhe i falënderojë për motivin që më kanë dhënë për t’u shëruar. Shokët, kolegët dhe bashkëpunëtorët më kanë inkurajuar për të shkruar libër për këtë përvojë, ndoshta edhe do ta bëj në të ardhmen nuk e di, por do të evakuojë për të përkrahur të sëmurit”, ka thënë Gashi.

Sipas të dhënave të OBSH-së, kanceri është një sëmundje që po bëhet gjithnjë e më tepër faktor në barrën globale të sëmundjeve, duke sfiduar shëndetin e miliona njerëzve anekënd botës. Numri i përllogaritur i rasteve të reja për çdo vjet rritet prej 10 milionë në vitin 2000 deri në 15 milionë të supozuar në vitin 2020.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›