E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi:Situata e qetë në Mitrovicë

Kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi e vlerëson të qetë situatën në veri të Mitrovicës, ku ditëve të fundit janë shënuar incidente të herëpashershme. Në një bisedë për Zërin e Amerikës ai tha se që nga dita e vendosjes së Misionit EULEX, veprimet operacionale të UNMIK-ut kanë mbaruar dhe ato kanë kaluar nën përgjegjësinë e Misionit të Bashkimit Evropian për Policinë dhe Drejtësinë. "Qytetarët e kanë një lloj optimizmi edhe pse ka pasur konfuzion dhe vazhdon të ketë konfuzion në lidhje me funksionimin e EULEX-it. Ata janë vendosur sipas planit të paraparë, janë vendosur edhe në pikat kufitare 1 dhe 31, janë vendosur në gjykatë, kanë filluar komunikimin me policinë e Kosovës edhe me shumicë shqiptare por edhe me ata të komunitetit serb", tha Rexhepi. Ai tërheq vërejtjen në, siç tha ai, qarqe të caktuara të cilave nuk u shkon përshtati vendosja e sundimit të ligjit, kryesisht në pjesën veriore të Mitrovicës. "Ka grupe të caktuara të cilat aspak nuk janë të kënaqura me vendosjen e EULEX-it. Këto janë grupe ilegale të sigurisë, si strukturat e MUP-it të Serbisë, rojet e Urës, etj. Krimi i organizuar ekonomik që ka lulëzuar këto ditë dhe ata nuk janë të interesuar që të vendoset rendi dhe ligji dhe atyre u pengon... Kanë dashur që të iniciojnë incidente të ndryshme por ndoshta edhe kërkesa e qeverisë së Serbisë se është pranuar vendosja e EULEX-it ka ndikuar në një mënyrë që qytetarët mos t'i bashkëngjiten këtyre grupeve dhe është vendosur më qetë sesa që është pritur". Rexhepi pret që nga fundi i shkurtit Misioni EULEX të jetë plotësisht funksional edhe në pjesën veriore të Kosovës, ku institucionet e Kosovës, posaçërisht që nga shpallja e pavarësisë nuk kanë ushtruar kontrollin e tyre. Por, ai nuk përmend një afat të caktuar se kur institucionet e Kosovës do të mund të shtrijnë autoritetin e tyre edhe në atë pjesë të vendit.... "Kjo është pak vështirë të thuhet, dhe varet edhe nga veprimet në terren, megjithatë EULEX-i është urë lidhëse dhe bëhet koordinimin në këtë moment nëpërmjet EULEX-it edhe për policinë e Kosovës edhe për dogana dhe për të gjitha, dhe në kohën e duhur, kur të krijohen kushtet më të mira, sigurisht që bashkërisht me EULEX-in do të jenë edhe institucionet tona qendrore", tha kryetari i Mitrovicës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›