E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezart Taçi në kërkim nga policia, Mero Baze:Më goditën me breshëri grushtash pas koke

 

ilrjan agolli

Gazetari Mero Baze tregon përplasjen me biznesmenin Rezart Taçi të hënën në mbrëmje në një nga lokalet e kryeqytetit. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ai tha se incidenti ka ardhur për shkak të detyrës së tij si gazetar.
Zoti Baze, radhës së gjatë të incidenteve të dhunshme ndaj jush dhe gazetës “Tema” iu shtua mbrëmë edhe një incident me pronarin e “Taçi Oil”, Rezart Taçi. A mund të na tregoni çfarë ndodhi konkretisht dhe si jeni tani me shëndet?
Është diçka që nuk dua ta përmend si rrethanë. Kam qenë me dy kolegët e mi Arban Hasani dhe Andi Bushati në një lokal të Tiranës duke pirë një kafe, kur papritur na mbiu në tavolinë nga errësira e lokalit Rezart Taçi, i cili m’u drejtua me një fjalor agresiv, fyes dhe pa na lënë kohë as t’i përgjigjemi dhe t’i themi çfarë ke, më sulmoi mua dhe në momentin kur unë u tërhoqa mbrapa pashë që isha rrethuar nga bodigardët e tij, të cilët filluan të më sulmonin me një breshëri grushtesh, kryesisht në pjesën e pasme të kokës. Kam humbur vetëdijen dhe më kanë shpjeguar kolegët që kam shpëtuar, sepse më ka mbrojtur vendi ku isha ulur në qoshe dhe kolegu Bushati, i cili u vu si barrikadë. Për fat të mirë skaneri i parë që bëra në Spitalin Ushtarak mbrëmë gjatë natës nuk rezulton me hematoma të brendshme, ka vetëm goditje. Kam pasur një mpirje të kokës gjatë gjithë natës. Sot në mëngjes jam larguar nga Spitali Ushtarak për shkak të kushteve skandaloze që më lanë aty. Më lanë në korridor së bashku me njerëz të tjerë, njëri ishte duke vdekur dhe tjetri i asfiksuar. Ishte një situatë që u bë edhe më keq dhe në të gdhirë vendosa të vij në shtëpi. Nëse dëmtimet janë ende të jashtme nuk ka problem.
Cilat mendoni se janë shkaqet e këtij akti të ri dhune ndaj jush? A mendoni se ka qenë puna juaj si gazetar, apo ka shkaqe të tjera?
Profesioni ynë është i lidhur me rrezikun, është mënyra e një bashkëjetese që i ngjan bashkëjetesës së hekurit me ndryshkun. Sa herë që mungon një mjedis i përshtatshëm, sa herë që liria cenohet, sa herë që standardet e lirisë në një vend bien, aq herë përparon ndryshku, pra përparon rreziku ndaj gazetarëve. Kjo nuk është në dorën tonë. Në dorën tonë është të bëjmë detyrën tonë. Eshtë në dorën e shtetit ligjor të ruajë mjedisin tonë, të ruajë lirinë tonë dhe standardet e lirisë sonë. Ne nuk mund të ankohemi që jemi të rrezikuar, ne e kemi zgjedhur këtë profesion. Shteti duhet të bëjë detyrën e vet dhe të zhdukë modelin e vetëgjyqësisë.
Shteti ka reaguar, janë bërë disa deklarata nga qeveria, LSI, por edhe Policia. Si i vlerësoni këto reagime të tyre?
Nuk pres të ngushëllohem nga reagimi politik, por nga shteti ligjor. Reagimi politik vlen për të kuptuar se sa të inkriminuar janë politikanët. Dëgjova reagimin e kryeministrit dhe të them të drejtën, edhe për shkak të njohjes së gjatë që kam me të, m’u dhimbs, m’u duk njeri krejt i pafuqishëm dhe nuk ka kurajën të zërë në gojë as emrin e kriminelit, Rezart Taçi. M’u dhimbs për shkak se nuk ka guximin as të dalë me fytyrën e tij dhe të kërkojë ndjesë për atë që ndodh nën qeverisjen e tij ndaj një banditi që flet në emër të Sali Berishës, në emër të gruas së tij, në emër të vajzës së tij, të djalit të tij. Në emër të tyre ai është bërë miliarder brenda natës dhe ky kryeministër është aq i pafuqishëm sa nuk guxon dot të zërë emrin në gojë, por flet me një stil të kryeministrave kinezë të viteve ’70, kur ti adresohesh për një ngjarje konkrete ai flet për parime. I dhimbshëm m’u duk edhe reagimi i partisë së Ilir Metës, i cili nuk ka fuqinë të zërë në gojë emrin e kriminelit. Një frymëzim i tillë politik kur dy partitë bashkëqeverisëse nuk zënë në gojë dot emrin e kriminelit, është inkurajim i madh për kriminelët.

Bamir Topi
“Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dënon me ashpërsi aktin vandal dhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze, duke kërkuar nga të gjitha organet e shtetit të zbardhin pa vonesë ngjarjen dhe të venë përpara drejtësisë autorët e vërtetë. Kreu i shtetit u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri, që të analizojnë me shqetësim këtë akt duke u angazhuar realisht, dhe jo vetëm nëpërmjet deklaratave, në krijimin dhe garantimin e lirisë dhe pavarësisë së medias. Dhunimi dhe presioni i drejtpërdrejtë apo i tërthortë ndaj medias dhe gazetarëve shqiptarëve është një kthim
mbrapa në demokracinë që të gjithë dëshirojmë të ndërtojmë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sali Berisha
“Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha dënon me ashpërsinë më të madhe rrahjen dhe lëndimin e gazetarit Mero Baze, në një nga lokalet e kryeqytetit mbrëmë, si një akt të shëmtuar, të rëndë dhe të papranueshëm për shoqërinë e lirë. Kryeministri  Berisha ju kërkon organeve kompetente të ndërmarrin të gjitha masat për të nxjerrë përgjegjësinë e plotë ligjore të autorëve të këtij akti të rëndë. Sikundër Kryeministri Berisha thekson edhe një herë se cenimi, keqtrajtimi dhe presioni i çdo forme ndaj gazetarëve për qeverinë shqiptare përbën një akt shumë të rëndë dhe të pajustifikuar nga asgjë”, thuhet në deklaratën për shtyp të zëdhënëses së Kryeministrit, Juela Meçani.

Edi Rama
“Unë akuzoj personalisht dhe drejtpërdrejtë Sali Berishën, për krimin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Mero Baze. Ata që gjakosën mbrëmë gazetarin, e gjejnë fuqinë tek mbështetja e paligjshme e Sali Berishës, tek paratë e paligjshme që nxjerrin përditë bashkë me Sali Berishën, tek imuniteti ekskluziv që u ka dhënë Sali Berisha për t’u ikur të gjitha detyrimeve ndaj arkës e ligjeve të shtetit. Vetë Presidenti i Republikës, duhet të dalë nga heshtja e tij olimpike dhe të flasë me fuqinë që i jep Kushtetuta e morali i kreut të shtetit, për të mbrojtur liri e të drejta që po kërcënohen përditë e më shumë në kushtet e një sistemi drejtësie të paralizuar nga presioni e korrupsioni”, tha Rama.

Ilir Meta
“Dënoj aktin e dhunshëm dhe barbar kundër gazetarit Mero Baze, të raportuar mbrëmë, dhe do të kërkoja nga Prokuroria, nga policia dhe nga gjithë organet e tjera, të zbatojnë ligjin ndaj autorëve për këtë akt vërtet kriminal. Njëkohësisht  shpreh solidaritetin jo vetëm me gazetarin Mero Baze, por me të gjithë gazetarët dhe njerëzit e mediave në vendin tonë. Gjithashtu, ne kërkojmë nga organet e ligjit, jo vetëm të zbatojnë atë me përpikëri, por njëkohësisht i bëj thirrje të gjithëve që të distancohen nga akte të tilla, sepse dhuna ndaj gazetarëve dhe dhuna ndaj medias, na largojnë nga ato standarde evropiane që ne duam të arrijmë”, tha Kryetari i LSI-së, njëherësh zv.kryeministri, Ilir Meta.

Ambasada SHBA
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara u skandalizua nga sulmi ndaj gazetarit Mero Baze më 2 nëntor. Sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe forma të tjera të kanosjes së medias errësojnë lirinë e shtypit. Të gjitha format e presionit dhe kanosjes ndaj medias janë të papranueshme. Ambasada mbështet dënimin nga ana e Qeverisë së Shqipërisë të këtij akti dhe përkrah thirrjen e Kryeministrit që autoritetet përkatëse të kryejnë një hetim të plotë dhe të shpejtë të këtij incidenti dhe
që ata që janë përgjegjës të japin llogari. Ambasada do të vazhdojë të mbështesë me forcë lirinë e shtypit në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. 

“Dënojmë dhunën ndaj Mero Bazes”

Misioni i OSBE-së në Tiranë, reagoi dje përmes një deklarate për shtyp pas dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze. “Ne dënojmë të gjitha format e dhunës fizike, në veçanti atë drejtuar medias. Të gjithë gazetarët, pavarësisht nga ngjyrimi i tyre i perceptuar politik, duhet të lejohen që të kryejnë punën e tyre të përditshme pa pasur frikë nga hakmarrja fizike”, tha ambasadori Bosch. “Liria e medias është një parim kyç i çdo shoqërie moderne, të lirë dhe demokratike”. Ambasadori Bosch mbështet reagimet e Presidentit dhe Kryeministrit shqiptar. Ai nxit fuqishëm autoritetet përkatëse të vendit, që të vënë përpara drejtësisë përgjegjësit e këtij akti të rëndë.

Dhunoi Bazen, Taçi në kërkim

Etleva Delia

Policia e Tiranës deklaroi dje se ka ndaluar dy personat që ushtruan dhunë fizike ndaj gazetarit Mero Baze, ndërsa ka shpallur në kërkim policor biznesmenin Rezart Taçi.“Gjatë orëve të vona të mbrëmjes të së hënës, specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasve: Bledar Bardhyl Lilo, 28 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues Tiranë, me detyrë punonjës i kompanisë ‘Taçi Oil’ dhe Irgen Arjan Selfo, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë”, tha zëdhënësja e policisë së Tiranës. Sipas deklaratës, “arrestimi i këtyre dy personave u krye sepse dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Rezart Mustafa Taçi, 38 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, me detyrë President i Kompanisë ‘Taçi Oil’, në ambientet e brendshme të një lokali në rrugën ‘Brigada 8’ në Tiranë, kanë goditur me grushte gazetarin Mero Guri Baze, 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, me detyrë drejtor i medias së shkruar ‘Tema’”. Policia thotë më tej në deklaratën e saj se i dëmtuari Mero Baze u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku pasi mori mjekimet e duhura u largua për në banesë. Sipas burimeve zyrtare, pasi ka marrë mjekimet dhe ndihmën e nevojshme në spital, gazetari Mero Baze ka bërë një kallëzim penal në ngarkim të shtetasve Rezart Taçi, Bledar Lilo dhe Irgen Selfo, ku ka deklaruar se është fyer e goditur për shkak të profesionit të tij si gazetar. “Për shtetasin Rezart Taçi është bërë shpallja e tij në kërkim policor”, thuhet në deklaratën e policisë. Sipas saj, në vendin e ngjarjes janë kryer veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet do të referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “goditje për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 237 dhe 25 të Kodit Penal.
Incidenti
Gazetari Mero Baze, drejtues i gazetës “Tema” dhe emisionit “Faktori Plus”, ka qenë në një lokal në zonën e ish-bllokut bashkë me gazetarët Andi Bushati dhe Arban Hasani. Rreth orës 23:00 pranë tavolinës së tyre janë afruar disa persona, të cilët sipas policisë kanë qenë dy të arrestuarit dhe biznesmeni për të cilin është lëshuar një urdhër kërkimi policor, me qëllim shoqërimin e tij për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Dëshmitarët pohojnë se mes gazetarit Mero Baze dhe personave të afruar në tavolinë ka pasur një shkëmbim fjalësh dhe më pas ka ndodhur incidenti fizik. I dëmtuari Mero Baze ka rënë pa ndjenja përtokë, ndërsa është transportuar nga policia për në spital. Gjatë kohës së njoftimit të policisë dhe deri në mbërritjen e saj në vendin e ngjarjes, personat e përfshirë në incident janë larguar nga lokali. Dy prej të ndaluarve janë kapur më pas gjatë orëve të natës, pasi gazetari i dëmtuar ka depozituar ndaj tyre dhe ndaj biznesmenit kallëzim penal me akuzën “goditje për shkak të detyrës”. Grupi hetimor ka marrë në pyetje dëshmitarët në vendin e ngjarjes, duke filluar me gazetarët Andi Bushati dhe Arban Hasani që ndodheshin në tavolinë me drejtuesin e emisionit “Faktori Plus” në momentin kur ndaj tij është ushtruar dhunë fizike.   

Mero Baze
Gazetari, kritik ndaj Taçit

TIRANE – Gazetari Mero Baze, i cili është dhunuar mbrëmjen e të hënës në Tiranë, është i njohur publikisht prej më shumë se një viti si një nga kritikët e veprimtarisë së Rezart Taçit në biznesin e naftës dhe në privatizimin e kompanisë ARMO. Në cilësinë e drejtorit të gazetës “Tema” si dhe të drejtuesit të emisionit “Faktori Plus”, Mero Baze është autor i qindra artikujve dhe hulumtimeve mbi aktivitetin e biznesmenit Rezart Taçi. Kohët e fundit ai publikoi artikuj dhe kronika në lidhje me incidentin e krijuar mes Policisë së Rendit dhe asaj të Tatimeve pas bllokimit të kompanisë ARMO në Fier.  

Reagimi i biznesmenit pas akuzave
Taçi: Asnjë kontakt fizik më Bazen, do përballem me drejtësinë

Biznesmeni Rezart Taçi mohon se ka pasur kontakte fizike me gazetarin Mero Baze. Në një deklaratë për median, Taçi thekson se: “Në vijim të akuzave të rreme të zotit Mero Baze në lidhje me ngjarjen në lokalin “Capriço”, ku përflitet papërgjegjshmërisht se unë kam ushtruar dhunë në drejtim të tij deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam pasur asnjë lloj konflikti fizik me zotin Mero Baze”. “Gjatë gjithë karrierës sime profesionale kam bashkëpunuar me respekt dhe durim me të gjithë bashkëpunëtorët, partnerët dhe palët e treta pa cenuar as edhe njëherë të vetme, edhe në situata tepër të vështira, integritetin e askujt dhe për më tepër të ndonjë gazetari apo medie edhe kur ka qenë kritike ndaj meje apo bizneseve të mija. Akuza me të cilën po përpiqen të përbaltin personin tim dhe atë të bashkëpunëtorëve të mi nuk është gjë tjetër veçse vazhdim  i një strategjie denigruese, që ka si synim tjetërsimin e aktivitetit të kompanisë që unë zotëroj dhe përfaqësoj. Opinioni publik është tashmë i mirinformuar për këtë strategji, e cila ka shumë kohë që është gatuar kundër personit tim”, thekson Taçi.  Më pas biznesmeni Rezart Taçi shton se: “Hedh poshtë me indinjatë këtë akuzë të ulët në drejtimin tim dhe siguroj të gjithë opinionin publik se jo vetëm nuk është në karakterin tim të shmangem, por jam i gatshëm të përballem me këto shpifje në çdo kohë përpara drejtësisë së vendit tim”.

Bushati: Taçi dhe badigardët e qëlluan për 5 minuta
I ndodhur në vendin e ngjarjes, të hënën në mbrëmje së bashku me botuesin e gazetës “Tema”, Mero Baze, gazetari Andi Bushati tregon për momentet e incidentit. Sipas tij, presidenti i kompanisë “Taçi Oil” ka qëlluar Bazen dhe pas tij badigardët që e shoqëronin. “Menjëherë pas Taçit, tre personat që e shoqëronin që dukeshin si badigardë, nisën të qëllonin mbi Meron si dhe sa mundnin. E shtrinë përtokë dhe kanë vazhduar ta qëllojnë në kokë dhe në trup për rreth 5 minuta”, tregon Bushati. Por sipas gazetarit të “Vizion Plus” politika tashmë duhet të reagojë. “Shpresoj që tani politika të mos thotë që e goditi Caci dhe jo Taçi”, tha Bushati. “Secili duhet ta kuptojë se ne jetojmë në një vend të pasigurt. Në një vend ku ajo që ndodhi, ashtu si çudia më e madhe, do të shuhet pas disa ditësh. Pas disa ditësh ne do të shohim se ashtu si gjithmonë, banditët me kostume të zinj do të lirohen. Rezar Taçi që është de jure në kërkim, do të shfaqet sërish në ekranet që paguan vetë. Ai do të vazhdojë të mbushë çeqe gjoja në emër të bamirësisë, për fondacionet që mbrojnë fëmijët shqiptarë”, tha më tej gazetari Bushati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›