Vizat, Meta takon Ina Ramën
ADI SHKEMBI
Zv.kryeministri Ilir Meta shkrin akujt mes qeverisë dhe Prokurorisë së Përgj-ithshme. Për herë të parë një zyrtar i lartë i kabinetit qeveritar takohet me kreun e akuzës, Ina Rama, që nga koha që ajo mori detyrën. Por ky takim merr një rëndësi akoma më të madhe, pas marrëdhënieve të ftohta mes dy institucioneve, për shkak të akuzave ndaj dy ministrave të qeverisë.
Takimi
Rreth mesditës, në orën 13:00 makina me targë TR 0111 Z e kreut të diplomacisë shqiptare është parë të futet në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme. Ministri i Jashtëm ka qëndruar në zyrën e kryeprokurores rreth 60 minuta, ku siç tha pas takimit është biseduar për bashkëpunimin mes institucioneve në kuadër të liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. “Ka qenë thjesht një takim pune me Prokuroren e Përgjithshme znj. Rama, në kuadër të koordinimit tonë me gjithë institucionet e pavarura për të përmbushur të gjitha detyrimet që kanë të bëjnë me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, dhe në përgjithësi për procesin e integrimit evropian. Ka qenë një takim shumë i frytshëm dhe bashkëpunues”, u shpreh Meta. I pyetur nëse pas këtij takimi mund të flitet për një ngrohje të marrëdhënieve mes qeverisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, kreu i Ministrisë së Jashtme premtoi bashkëpunim me institucionet e pavarura. “Ne do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me Prokurorinë dhe me gjithë institucionet e tjera të pavarura, pasi shteti është një, pavarësisht nga funksionet e ndryshme. Ne të gjithë duhet të bashkërendojmë punën për të zbatuar ligjin me forcë, me qëllim forcimin e shtetit ligjor dhe arritjen e standardeve evropiane”, theksoi kreu i Ministrisë së Jashtme.
Imuniteti
Meta i bëri sërish ftesë opozitës për të bashkëpunuar për heqjen e imunitetit të deputetëve. I pyetur në përfundim të takimit nëse kishte biseduar me kryepro-kuroren për këtë çështje, kreu i Ministrisë së Jashtme tha se biseda u përqendrua në kushtet për liberalizimin e vizave. Por ai konfirmoi sërish qëndrimin e maxhorancës për të hequr imunitetin pas çdo kërkese të organit të akuzës. “Gjatë takimit me znj. Rama kemi folur për koordinimin e përbashkët për përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave, dhe në përgjithësi për procesin e integrimit evropian. Për sa i përket çështjes së imuniteteve, mendoj se përgjigjja është dhënë me kohë. Sa herë që Prokuroria të kërkojë heqjen e imunitetit për cilindo deputet do të ketë votën time, dhe besoj se do të ketë votën e të gjithëve në Parlament. Dhe së dyti, për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e imuniteteve, ne ftojmë opozitën të hyjë në Parlament dhe të votojë për kufizimin e imuniteteve”, u shpreh Meta në përfundim të takimit me kryeprokuroren Ina Rama.