Rezart Taçi ngelet sërish në burgNga TemaRezart Taçi do të vijojë që të qëndrojë në qelitë e paraburgimit. Gjykata e Tiranës ia komunikoi dje masën e sigurisë “Burg pa afat”. Trupi gjykues nuk pranoi garancinë pasurore prej 100 mijë eurosh të Rezar
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rezart Taçi ngelet sërish në burgNga TemaRezart Taçi do të vijojë që të qëndrojë në qelitë e paraburgimit. Gjykata e Tiranës ia komunikoi dje masën e sigurisë “Burg pa afat”.
Trupi gjykues nuk pranoi garancinë pasurore prej 100 mijë eurosh të Rezart Taçit, duke e lënë atë në qeli.
Gjyqtarja, Fahrie Buda, e cila edhe dy ditë më parë caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë ndaj presidentit të kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi, ka urdhëruar Policinë e Shtetit që sot në orën 12:00 të dërgojnë sërish para Gjykatës agresorin e gazetarit Mero Baze.
Në këtë seancë Gjykata verifikoi dhe la në fuqi masën e arrestit ndaj Taçit, dhënë dy ditë më parë, “Burg pa afat” për akuzën e goditjes për shkak të detyrës, kryer në bashkëpunim. Avokatët mbrojtës gjatë seancës kërkuan zëvendësimin e masës së sigurisë duke kërkuar një masë më të butë në ngarkim të klientit të tyre dhe duke vënë edhe një garanci pasurore prej 100 mijë eurosh.
Avokati Maks Haxhia tha se, “kjo kërkesë bazohet në faktin se vepra penale, për të cilën dyshohet se e ka konsumuar klienti im, nuk paraqet një rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për shkak të biznesit dhe punës që ka ai nuk paraqet rrezik për largimin nga vendi”.
Shmangia e policisë
Pasi mediet publikuan faktin që Rezart Taçi së bashku me disa truproja kishin dhunuar barbarisht gazetarin Mero Baze, policia e shpalli atë person në kërkim. Por që këtu nisi dhe loja e Taçit me organet e zbatimit të ligjit, që po i kthehet si bumerang tani, kur kërkon të gjykohet pa qëndruar në qelitë e burgut. Dy truprojat e tij u arrestuan menjëherë, por ai, edhe pse një person publik, nuk gjendej askund. Taçi në ilegalitet bënte deklarata se ishte gati të përballej me drejtësinë, nga ana tjetër e shpërfillte komplet atë. Vetëm pas tri ditësh arrati, kur gjykata vendosi masën e sigurisë, ai e kuptoi se gjërat po bëheshin serioze dhe u dorëzua. Policia e Shtetit e la të sillej si të donte, pa bërë tentativa për ta prangosur. Vetë Taçi, si për të sfiduar drejtësinë, linte që të qarkullonin lirshëm fjalë se ai kishte qenë madje jashtë vendit, pa pyetur për çka thonë organet e drejtësisë.
Pas dorëzimit në polici në një ceremoni mediatike, i kërkuari Taçi pranoi përmes avokatit të tij se policia nuk e kishte vënë ujin në zjarr për të dërguar një fletëthirrje për të.
E njëjta polici u bë palë me Taçin, kur Policia Tatimore shkoi për të bllokuar aktivitetin e tij.
Megjithatë, edhe pse tashmë janë arrestuar dy truproja të tij, dy të tjerë vijojnë të jenë të lirë dhe askush nuk ka folur deri më sot se si do veprohet me ta.
Berluskoni, i shqetësuar për Taçin
Avokati i Taçit, Haxhia, duke folur dje për Ora News, tha se vetë kryeministri italian është i shqetësuar për prangosjen e Taçit.
Por vetë Italia e ka mbajtur qëndrimin e saj për këtë çështje. Dy ditë më parë ishte vetë ambasada italiane në vendin tonë që dënoi aktin e rëndë dhe kërkoi që fajtorët të shkojnë përpara drejtësisë. “Ambasada italiane në Tiranë dënon me forcë çdo veprim që bie ndesh me ligjin e që cenon lirinë e shprehjes e të mendimit, e që në mënyrë të veçantë cenon lirinë e shtypit: parim botërisht i njohur si një prej garancive themelore të një shteti demokratik. Duke u mbështetur në këto parime, Ambasada italiane uron që të hidhet dritë sa më shpejt rreth ngjarjes në të cilën u dhunua gazetari Mero Baze”, - thuhej në deklaratën e ambasadës.
Taçi është përpjekur prej kohësh ta prezantojë veten si mik personal të Berluskonit, prej nga pretendon të marrë edhe klubin e Milanit, edhe pse Berluskoni ka deklaruar se nuk ka ndërmend ta shesë. Pasi është bërë qesharak në vendin fqinj, Taçi vijon të përdorë disa vizita në Itali dhe faktin që e ka paguar ekipin e Berluskonit më shumë se sheikët arabë për një ndeshje stërvitore në Tiranë.