E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembja në tunelin e Thirrës, “Bechtel-Enka” fsheh rrezikun, punëtorët të frikësuar për jetën Nga TemaFirma ndërtuese në tunelin e Thirrës, “Bechtel-Enka”, e ka pohuar shembjen në tunel vetëm tri ditë pas ngjarjes së rëndë, ndërsa nuk e ka pranuar rr

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shembja në tunelin e Thirrës, “Bechtel-Enka” fsheh rrezikun, punëtorët të frikësuar për jetën Nga Tema

Firma ndërtuese në tunelin e Thirrës, “Bechtel-Enka”, e ka pohuar shembjen në tunel vetëm tri ditë pas ngjarjes së rëndë, ndërsa nuk e ka pranuar rrezikun që ekziston në të. Personat që punojnë në këtë tunel, të cilët nuk duan të identifikohen, shprehen se janë paralajmëruar për shembjet, gjë që “Bechtel-Enka” nuk e ka pohuar asnjëherë publikisht. Kjo e fundit është mjaftuar vetëm më një deklaratë të thatë, ku shprehet se shembja ka ndodhur për shkak të rënies së një masivi shkëmbor si pasojë e fenomeneve gjeologjike të tokës. Punëtorët që merren me punimet në tunelin e Thirrës, tri ditë pas shembjes së tij, shprehen të frikësuar të hyjnë në të. Ata thonë se jeta e tyre është e rrezikuar, por janë të detyruar që të hyjnë në tunel, pasi kanë fëmijë për të rritur. Çështja e tunelit të Thirrës, që u përurua përpara kohe nga ana e kryeministrit Berisha dhe që u cilësua si një ndër veprat më të rëndësishme, po kthehet në një bumerang për këtë të fundit. Përveçse më të shumtën e kohës tuneli po qëndron i mbyllur, ai po merr dhe pritet që të marrë akoma shifra të konsiderueshme parash nga buxheti i shtetit.

Fshehja e rrezikut

Në komunikatën për shtyp gjatë ditës së djeshme, firma ndërtuese në tunelin e Thirrës, “Bechtel-Enka”, nuk ka thënë asnjë fjalë për rrezikun që ekziston ndaj punëtorëve. Ajo është shprehur vetëm për shembjen e tunelit, duke e cilësuar si një fenomen natyror. Por, janë pikërisht punëtorët që punojnë në tunelin e Thirrës, që thonë se rreziku në tunel është konstant dhe i vazhdueshëm. Duke mos dashur të identifikohen, ata shprehen se pothuajse çdo ditë, në tunel ndodhin shkarje masive të dherave, gjë që nuk është pranuar nga ana e firmës ndërtuese. Tashmë tuneli është i bllokuar dhe rruhet nga të dyja anët nga ana e forcave të policisë. Përveç rrezikshmërisë, tuneli i Thirrës duket se do të harxhojë ende shifra të konsiderueshme parash nga ana e buxhetit të shtetit dhe do të ketë një kosto të lartë për shtetin dhe qytetarët shqiptarë, duke qenë se firma “Bechtel-Enka” punimet në këtë tunel i konsideron si volum pune dhe për këto duhet që të paguhet nga ana e shtetit shqiptar. Shifra që duhet të paguhet nga shteti shqiptar për këto punime nuk bëhet e ditur dhe nuk mund të parashikohet, pasi firma ndërtuese nuk punon me çmime fikse, por në bazë të vlerësimeve që vetë “Bechtel-Enka” bën për përfitimet që duhet të ketë nga puna e kryer. Tuneli i Kalimashit, nyja kryesore e rrugës Durrës-Kukës, i gjatë 5.6 kilometra, u konsiderua i përfunduar në maj të këtij viti, kur kryeministri Sali Berisha preu shiritin. Por punëtorët dhe specialistë shprehen se tuneli është hapur përpara kohe dhe kjo ka bërë që të ndodhin edhe shembje në tunel. Madje, Ministria e Transporteve ka urdhëruar kufizimin e qarkullimit në këtë tunel, për shkak të rrezikut nga shembja. Pavarësisht rrezikut që ekzistonte në këtë tunel, Ministria e Transporteve ka luajtur me jetën e qytetarëve shqiptarë, duke lejuar kalimin e qindra dhe mijëra automjeteve, në një kohë që tuneli duhej mbyllur për shkak të mungesës së sigurisë. Kohët e fundit është folur edhe për kalimin me pagesë në këtë tunel. Kështu, të gjitha mjetet do të paguajnë një tarifë për të kaluar në tunel, e cila do të lëvizë nga 200 lekë të reja për veturat në 500 lekë për furgonët dhe 1000 lekë për kamionët dhe autobusët. Asnjëherë më parë nuk ishte bërë e njohur se tuneli do të kalohej me pagesë. Gjithmonë ishte thënë që ky tunel do të shkurtonte distancat dhe bënte që Kosova të ishte më afër duke bashkuar dy pjesët e kombit dhe duke rritur përfitimet ekonomike. Nuk dihet saktësisht se kur do të fillojë qarkullimi me pagesë.

Frika e punëtorëve

“Rreziku në tunelin e Thirrës është në çdo moment prezent”, - shprehen personat që punojnë në këtë tunel. Punëtorët shprehen se kanë frikë që të hyjnë në tunel, pasi tronditjet dhe shkarjet masive të dheut në të janë të pranishme pothuajse çdo ditë. Në lidhje me shembjen e ndodhur tri ditë më parë, punëtorët thonë se shembjet kishin që më datën 5 nëntor. Vetë përgjegjësi i firmës i kishte informuar ata për shembjen, duke i paralajmëruar për rrezikun. Por, pavarësisht rrezikut, ata thonë se janë detyruar që të shkojnë në punë, për shkak se kanë familje për të mbajtur. Një gjë të tillë, edhe pse e rrezikshme për jetën e tyre, ata thonë se do ta bëjnë edhe në ditët në vijim. Tuneli është i bllokuar në një gjatësi lineare prej afërsisht 100 metrash, që duhet të zhbllokohen nga ana e punëtorëve. Edhe pse tuneli është shembur që gjatë mbrëmjes së të enjtes, kjo gjë është mbajtur e fshehtë nga ana firmës ndërtuese të tunelit. Lajmi është bërë i ditur nga vetë punëtorët e tunelit, të cilët janë shprehur në konfidencë për këtë ngjarje. Kompania që kryen punimet në këtë tunel është përpjekur që ta kalojë në heshtje këtë ngjarje, ndërsa dje, duke qenë se shembja është bërë publike nga mediet, ka bërë një deklaratë të shkurtër shtypi. Në të thuhet se shembja ka ndodhur për shkak të fenomeneve gjeologjike të tokës dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Ndërkohë, as Ministria e Transporteve nuk është shprehur në lidhje me shembjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Thirrë, që për pak u ka kushtuar jetën punëtorëve të tunelit. Opozita ka hedhur akuza të shumta ndaj qeverisë lidhur me këtë tunel, i cili u përurua përpara përfundimit të tij. Sipas opozitës, kryeministri e përdori atë për fushatë politike, duke qenë se e inauguroi atë pikërisht në momentin më të nxehtë të fushatës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Berisha nuk i dha shumë rëndësi këshillës së specialistëve dhe ekspertëve, të cilët ishin kundër hapjes së tunelit të Thirrës në muajin maj, pasi ai ende nuk kishte përfunduar plotësisht dhe nuk ishte i sigurt për kalimtarët. Pasojat e këtij veprimi tashmë po ndihen, teksa tuneli, që ka kushtuar qindra milionë euro, më shumë rri i mbyllur sesa i hapur.

PS: të Shqetësuar për fshehjen e shembjes së tunelit

Partia Socialiste ka reaguar ditën e djeshme në lidhje me shembjen e ndodhur në tunelin e Thirrës. Zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj, është shprehur se, Partia Socialiste është shqetësuar për faktin e mbajtjes së fshehtë të faktit të shembjes së tunelit nga ana e Ministrisë së Transporteve dhe firmës ndërtuese në tunel. “Partia Socialiste denoncon faktin që ministri Olldashi dhe kompania që po kryen punimet, jo vetëm që nuk kanë marrë mundimin të informojnë publikun për atë që ka ndodhur, por janë përpjekur me të gjitha mënyrat ta fshehin këtë ngjarje të rëndë. Dhe shqetësimi ynë bëhet më serioz, nëse kujtojmë se po e njëjta kompani, që tash e katër vjet po bën një hap para e dy hapa prapa në ndërtimin e kësaj rruge, ka qenë e përfshirë në ndërtimin e tunelit të Bostonit, i cili ka pasur ekzaktësisht po të njëjtat probleme sigurie”, - pohoi zëdhënësja e selisë rozë. Sipas Imerajt, tuneli që lidh kombin, është shembur aq herë sa është inauguruar për qëllime elektorale nga ana e kryeministrit Berisha. “Dje shqiptarët patën rastin të shihnin se si një segment prej rreth 80 metrash linearë i tunelit Thirrë-Kalimash është shembur duke rrezikuar jetën e punëtorëve dhe duke bllokuar krejtësisht punimet. Pra, janë hedhur më shumë se një miliard euro pas fillimit të punimeve në Rrugën e Kombit, dhe mund të thuhet se tuneli në fjalë është shembur po aq herë sa është inauguruar për qëllime elektorale nga Sali Berisha”, - tha zëdhënësja e PS. Partia Socialiste shprehet se shembja e tunelit të Thirrës ngre disa pyetje, të cilat duhet të marrin përgjigje nga ana e kryeministrit Berisha. “Shembja e radhës e tunelit ngre një sërë pyetjesh serioze, për të cilat ne sot kërkojmë përgjigje. Çfarë po ndodh sot me tunelin e Kalimashit? Si e shpjegon ministria dhe kompania ndërtuese faktin që një tunel që ka kushtuar me qindra miliona euro shembet papritur katër muaj pas inaugurimit të radhës së kryeministrit? Sa do t’u kushtojë kjo shembje më e fundit qytetarëve shqiptarë, të cilët sot janë më të varfër se kurrë? Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë? Si shpjegohet mungesa e plotë e informacionit dhe tisi i misterit që ka mbuluar këtë çështje? Dhe më shqetësuesja, si janë kushtet e sigurisë në këtë tunel, nëpër të cilin gjatë verës kanë kaluar me mijëra qytetarë shqiptarë?”, - mbyllet deklarata e PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›