E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezervat e naftës të zbuluara para ’90-s arrijnë 25 miliardë dollarë

Prof. dr. Fatmir Shehu 

A ka pasur Shqipëria një platformë të qartë se si do menexhohet  sektori i pasurive nëntokësore dhe veçanërisht ai i naftës këto dy dekadat e fundit? Këtu do e kem fjalën  për Naftën dhe gazin  ku mendojmë  se nëse  ka pasur , mund të themi pa e lexuar se mendojmë se  ka qënë i pa studjuar dhe i dështuar sepse lexojmë rezultatet.

Që të kuptohem  më mirë  ç’po them, po japim faktet e më poshtme.

Para  viteve 1990  në industrinë e Naftës  dhe Gazit, janë zbuluar dhe vënë në shfrytëzim 12 vendburime nafte dhe  5 vendburime gazi natyror. Për realizimin e tyre janë shpuar  5000 puse me një metrazh shpim kërkimesh  dhe shfrytëzimesh prej 7 milion metër linear . Pusi më i thellë i çpuar në vendin tonë është Ardenica -18  me  një thellësi rekord të arritur  6700m, në kushte shumë të vështira gjeollogo-teknike dhe materiale. Para kësaj periudhe (para vitit 1990), janë nxjerrë gjithsej 43  milion ton naftë  dhe 11.8 miliard Nm3 gaz  natyror dhe shoqërues. Niveli më i lartë i prodhimit të naftës arriti  në vitin 1974  me rreth 2.448.227 ton  në vit  dhe prodhimi i gazit në vitin 1982 me 937 milion Nm3 në vit . Rezervat gjeologjike shumare të zbuluara  për gëlqerorët dhe ranorët kanë qenë 437,645,143 ton( një shifër jo e vogël!) ndërsa rezervat industrial të nxjerrshme  kanë qenë 81,025,885 ton ( me mundësi rritje!). Pra sikur Shqipëria të prodhojë  2 milion tonë naftë në vit me rezervat” në inventar “  që janë zbuluar para vitit 1990   i delë për  një periudhë  rreth 50 vjeçare ( sigurisht që është një pasuri e madhe  dhe e ardhur e madhe që e kanë realizuar specialistët dhe punëtorët naftëtarë  që sot nuk dihet se ku janë !)  Nuk po flasim më tej për këtë periudhë se zëmë hapësirat e këtij shkrimi.

Ndërsa po të shofim rezultatet e industrisë së naftës dhe të gazit  mbas vitit 1990 mund të themi:

Në fushën e shfrytëzimit të  rezervave të gjetura  para vitit 1990 ,   Albpetroli dhe kompanitë koncesionare të shfrytëzimit nga viti 1990 e deri në vitin 2011 kanë  nxjerrë një sasi nafte prej 8,917,684 ton ose 17.4% të sasisë totale së nxjerrë deri më sot  dhe një sasi gazi prej 659.925 milion Nm3  ose 0.0055 % e sasisë totale të nxjerr deri më sot . Gjatë viteve 1992-1997 në fushën e shfrytëzimit të rezervave të  gjetura” në iventar “  u nënshkruan 8 kontrata bashkëpunimi me kompanitë e huaja si : Premier Oil ( që dukesh më seriozja) , Fountan Oil , Ina-Naftaplin, MOL, Alliance Resources dhe ishte në përfundim marrëveshja për bllokun e kërkimit të Velçës (Vlorë) dhe për zhvillimin e atij të Delvinës. Ngjarjet e vitit 1997 u shoqëruan me shkatërrime  dhe me tërheqjen e kompanive të huaja. Pas marrjes së pushtetit nga P.S.  u tërhoqën nga marrëveshja kompanitë Fountan Oil për vendburimin e Gorisht –Koculit ,  MOL- Hungarez nga kerkimet ne Velçë,  dhe Alliance Resources nga vendburimi i gazokondensatit të Delvinës. U ndërpre aktiviteti I kërkimeve në Dumre , nga ana e AAP –së për shkak se nuk u afrua asnjë partner tjetër i huaj për të qenë ortak investimesh.

Kompania Premier OIL si pjesë e J-V me Albpetrolin programoi të rriste prodhimin  në zonën e Patos –Marinzës në vlerën 700 ton në ditë brenda dy viteve të para dhe 2000-2500 ton në ditë pas 4 vjeteve nëpërmjet injektimit të avullit. Rezultatet e provave të kryera gjatë viteve 1995-1997 për injektimin e avullit treguan paefektivitet të kësaj teknologjie, sepse puset ekzistues s’ishin të përshtatshëm për të lejuar aplikimin e kësaj metode të veprimit në shtresë, prandaj duheshin shpuar puse të rinj, gjë që kompania s’e quajti me interes. Me sa dimë ajo diskutoi edhe aplikimin e marrjeve të sforcuara nëpërmjet puseve horizontalë dhe pompave me burmë, por për deri sa nuk i aplikoi nuk mund të themi se nuk i dinte, por mesa duket nuk i konsiderojë compatible për arsye të ndryshme.  Siç dihet dhe kjo kompani që dukej premtuese,  iku. Vlen të përmendet se shpenzimet e Operatorit AAP në zbatim të Marrëveshjes Hidrokarbure për vendburimin Patos –Marinëz  që nga fillimi i projektit ( 25-09-1994) deri në fund të muajit Janar 2003 ishin  73,083,681.84 USD dhe sasia shtesë e naftës ishte 35,016 ton, pra një sasi shumë e vogël . Kësisoj mund të themi se rezultatet ekonomiko-financiare të kësaj ndërmarrjeje ishin  shumë negative. Po kështu mendojmë që është e pafalshme që të vonohet vënia në shfrytëzim e vendburimit të zbuluar të gazokondensatit të Delvinës i cili  ka kaluar dorë më dorë, si dhe kërkim -konturimi i mëtejshëm i vendburimit të gazit metan të Panajasë. Që të dy këto vendburime me rëndësi të madhe për ekonominë, që janë zbuluar që para vitit 1990,  nuk duhen lejuar që të jenë të stakuara nga nevojat e ekonomisë tonë. Ato mund të konsiderohen një Bankë e dobishme!. Mund të themi se vazhdimi i punimeve të zbulim –konturimit të vendburimit të Delvinës do hedhë dritë për zbulime të reja në këtë rajon perspektivë. Kompanitë që janë futur kohët e fundit në fushën e shfrytëzimit të rezervave “në inventar”, d.m.th të njohura e të zbuluara para vitit 1990 ”  si Bankers Petroleum etj., po evidentojnë një rritje prodhimi duke futur teknologjinë e shpimit të puseve horizontalë dhe të pompave me burmë ( teknologji këto që janë njohur dhe janë bërë përpjekje  për t’u  futur në vendin tonë që në vitin 1982). Theksojmë se në lidhje me aplikimin e teknologjisë së pompave me burmë  dhe puseve horizontalë,  sidomos në ranorët e deploruar dhe të shfrytëzuar për një kohë relativisht të gjatë  etj., kemi rezervat tona në pikëpamjen e mënyrës së aplikimit të tyre, për të siguruar një  shfrytëzim racional të rezervave  ekzistente si dhe të masave që duhen marrë për ruajtjen e nëntokës dhe qëndrueshmërisë së saj! Duke na munguar shumë të dhëna konkrete nuk mund të themi një konkluzion. Në fushën e zbulimit të rezervave të reja, që mendojmë si dhe shumë specialistë shqiptarë  të gjeologjisë, janë  shumë potenciale për territorin tonë ( madje kam mendimin dhe bindjen  se akoma nuk jemi në akordancë me mendimet bashkëkohore të vlerësimit të rezervave, sidomos të gazit ),   as që mund të bëhet fjalë, pavarësisht se janë kryer një volum relativisht i madh kërkimesh si në tokë (on shore)  edhe në akuarium ( off shore )

Në vitin 1991  kompanitë e para që nënshkruan kontratën për kërkime nafte në Shqipëri ishin: DEMINEX, OMË, OÇIDENTAL Co, CHEVRON , HAMILTON OIL, AGIP. Ata bënë rreth 12000 km profile sizmike dhe shpuan disa puse kërkimi. Të gjithë puset i konsideruan negativë dhe e braktisën territorin. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Bregdeti italian dhe ai shqiptar kanë një ndërtim gjeologjik absolutisht të ngjashëm edhe sipas mendimit të gjeologëve tonë,  sepse janë pjesë të një gjiri siç  janë gjiret në përgjithësi  të cilët janë mjaft industrial . Në Itali mbas vitit 1985  janë zbuluar një mori vendburimesh nafte dhe gazi si në tokë ashtu dhe në det. Mund të përmendim rezervat  relativisht të mëdha  si Monte Alpi, Tempa Rosa, Aquila, Falco etj., me më shumë se 100 milion m3 naftë. Këto kompani qëllimin kryesor të kërkimeve e kishin në det ( off shore) dhe më pak në tokë. Sipas raportimeve u harxhuan rreth 400 milion dollar dhe nuk u raportua as një ton rezervë e re nafte apo gazi e zbuluar . Në se kanë zbuluar dhe s’tregojnë  është një sakrilegj për Shqipërinë dhe popullin shqiptar që u dha besimin  që të kontrollojnë “ zorrët e barkut të nëntokës sonë”.  Vetëm në vitin 2002 kompania OÇSIDENTAL shpalli zbulimin e naftës me rezultatin e pusit Shpirag -1 por deri më sot nuk dihet rëndësia industrial e këtij zbulimi –presim ndo një raportim nga pusi aktual që po shpohet në këtë zonë. Të dhëna për zbulime të rëndësishme sipas Prof. Dr. gjeolog Telo Velos ka , pse nuk vlerësohen dhe të vihen sa më shpejt në interes të ekonomisë. Po kështu territori detar (off shore) nuk duhet nënvlerësuar sepse  më në jug fqinji grek po planëzon dhe ka filluar kërkime  për naftë dhe gaz. Madje raportohet nga masmediat se në këto operacione janë planëzuar dhe pjesë të akuariumit që janë  brenda kufirit detar!! Kjo do parë sipas ligjeve ndërkombëtare dhe s’do lejuar shkelje. Duhet thënë se që kur jepen të drejtat koncesionare duhet të ketë klauzola që shteti jonë të ketë akses të plotë në aktivitetin e çdo kompanie koncesionare,  sidomos në fushën e zbulimit të rezervave të reja sepse nafta dhe gazi janë pasuri që jo vetëm t’i gjejmë sa më shpejt por me një strategji mirë të përpunuar të sigurojmë shfrytëzimin e tyre në interes të brezit tonë, por më shumë duhet menduar për brezat e ardhshëm. 

Edhe në fushën e organizimit  dhe të menaxhimit të industrisë së naftës  mendojmë se  ka pasur mjaft të meta. Një vendim i Këshillit të Ministrave që mban datën 26 Nëntor 1998, “Për ristrukturimin e Albpetrolit në tri kompani nafte”,  ngajlli një  reagim të ashpër te naftëtarët sidomos tek ata të Kombinatit të Përpunimit të Naftës në Ballsh, të cilët e quajtën veten të diskriminuar, sepse ky vendim i shkëpuste nga lënda e pare, duke i lënë si peshku pa ujë. Dhe jo vetëm nga ata. Riorganizimi i Industrisë së Naftës në tri kompani,  që u aplikua në vitin 1999 jo vetëm që s’dha rezultat, por dështoi  katastrofikisht, sepse prodhimi i naftës dhe i gazit ra dukshëm dhe ajo që ka shumë rëndësi, një  vendim i tillë  e shkatërroi totalisht entitetin e Albpetrolit,  i cili ishte një organizim  shumë modern, i krijuar nga ekspertët më të mirë që kish Nafta. Nëse Albpetroli do të ruante strukturën që ju dha që në fillim, kjo kompani  edhe si një kompani private, do të kishte potenciale të shumëfishta që ishin në interes të ekonomisë. Gjatë viteve 1992-1996,  prodhimi  naftës mbulonte 65 % të nevojave të vendit , kurse sot  vetëm 25%  dhe më pak. Nafta që nxirret ng nëntoka shqiptare shitet në tregjet e jashtme si lëndë e parë dhe sigurisht me një fitim relativisht të vogël për ekonominë, sepse shitja si lëndë e parë  të klasifikon në nivel  kolonial,  kur para 20 vjetësh e gjithë nafta që nxirrej përpunohej në vend. Kjo çon në rritjen e çmimit të karburanteve dhe në shtrenjtimin e produktit shoqëror në vend. Të blesh një miliard euro karburante në vit, kur i ke mundësitë që ato t’i sigurosh në vend  është një katastrofë e vërtetë. A nuk mund të ndërtohej një rafineri moderne  nafte me këtë farë paraje që harxhohet për importimin e karburanteve, kur Greqia fqinje, hë për hë prodhon në vend  shumë herë më pak naftë se ne. Duke aplikuar një politikë të zgjuar ajo e ka çuar kapacitetin e përpunimit në rreth 20 milion tonë në vit dhe të njëjtën praktikë e ka bërë Italia, Franca etj. Mentaliteti se mbajtja e prodhimit të naftës në nivelin e paraluftës  që u praktikua disa vite  të këtyre dy dekadave të fundit, duke e konsideruar si frenim të rënies së prodhimit  justifikoi strategjinë e dështuar në zhvillimin e industrisë së naftës. A ka leverdi ekonomia jonë e etur për resurse financiare të veprohet kësisoj?! Kësaj i thonë të kesh pasuri  nëntokësore nafte dhe gazi  dhe të marrësh borxhe apo të ulësh nivelin e jetesës së popullsisë së vendit, e cila jo vetëm që nuk është rritur, por është rrëgjuar shumë nga emigrimi i sforcuar duke mbetur në Shqipëri gjysma e shqiptarëve. Që në Luftën e Dytë Botërore, Musolini ka thënë se Shqipëria ka kapacitete jetike për 5 milionë frymë; po tani, me teknologjitë aktuale,  sa kapacitet ka?!

Po kështu shumë  kohë ka që flitet dhe stërflitet për gazjellësa dhe naftësjellës që do kalojnë në Shqipëri ; kështu janë thënë se naftësjellësi AMBO do fillojë në 2005 dhe do përfundojë në 2008. U ndërtua TEC-i  Vlorës, nuk e dimë nëse ka punuar ndonjë ditë kur dihet se ç’do gjë që lihet pa punë vetësakrifikohet dhe zvetënohet pra konsumohet jo vetëm fizikisht por dhe moralisht. Tani flitet për gazsjellësin TAP, për të cilin pritet të investohet  në vendin tonë  45 miliardë dollar dhe do të përshkruaj një gjatësi prej rreth  60 km në hapësirën tonë. Urojmë që të ecë -sigurisht!

Krahasimi ka vlerat e tija për të kuptuar se ku ishim e ku jemi .  A kemi ecur apo kemi ngecur dhe ç’të bëjmë të ecim. Siç duket, në industrinë e naftës, që është një pasuri që mban ekonominë,  jo vetëm s’kemi ecur para,  por kemi ecur mbrapa. Për këtë prapambetje dhe të gjitha ndodhitë shumë dëmprurëse që kanë ndodhur në industrinë e naftës dhe gazit  duhet nxjerrë mësimi i nevojshëm. Kemi pretendimin e arsyeshëm  që Demokracia që mbushi një jetëgjatësi 20 vjeçare duhet të kish treguar superioritetin ekonomik  të padiskutueshëm mbi sistemin që zëvendësoi. Sistemet  që janë krijime dhe realizime të shteteve të fuqishme, siç është sistemi Demokratik që na i dhuroi Amerika dhe Perëndimi, ne si zbatues, duhet t’i zbatojmë dhe për këtë mbajmë përgjegjësi para popullit dhe ekonomisë sonë, pse jo dhe para demokracisë që s’duhet të lejojmë me pa të drejtë të diskreditohet në një farë mënyre!  Ballafaqimi i fakteve  tregon se industria e naftës dhe gazit në vendin tonë jo vetëm nuk ka kapërcyer treguesit  që trashëgoi,  por është shumë larg tyre. Me fjalë të përmbledhura, duke u bazuar në faktet ekzistente mund të themi se politika koncesionare në industrinë e Naftës dhe të gazit në Shqipëri dhe politika menexheriale e kësaj industrie të rëndësishme  mund të konsiderohet për mendimin tim  e dështuar. Pa folur këtu se si është ndjekur dhe kontrolluar aktiviteti i këtyre kompanive që nga përpilimi i kontratave e deri në punën e tyre të përditshme përfshirë realizimin dhe plotësimin e detyrimeve të tyre ndaj shtetit Shqiptar. Po ashtu dhe vetë politika e praktikuar e tërheqjes së investimeve të huaja në shfrytëzimin e rezervave “në inventar” është e pa drejtë. Këto rezerva janë si të kesh për të ngrënë një tortë në tavolinë dhe duhet vetëm luga!  Më shumë duhej këmbëngulur  për rezultate në zbulimin e rezervave të reja ku  për këto dy dekadat e fundit me gjithë shpenzimet e bëra,  s’është  futur as një ton naftë dhe as një metër kub gaz “në inventar” . Kjo shkakton një keqardhje, pse jo një kritikë, jo për sistemin demokratik të ekonomisë, që kam bindje se ka shumë hapësira dhe mundësi, por për politikat dhe  menaxherët që kanë lënë shumë boshllëqe në punën aplikative dhe ekzekutive të  tyre. Nafta sot zë 60% të bilancit energjetik të botës. Duhet thënë se aktualisht njerëzimi po bën përpjekje të gjithanshme që të minimizojë  konsumin e lëndëve fosile siç është dhe nafta,  prandaj nuk mund të themi se kjo lëndë do të jetë me këtë vlerë që ka sot edhe në të ardhmen e afërt apo të largët! Prandaj duhet përfituar sa më shumë nga koniunktura.  Rezervat, vetëm të  naftës  në vendin tonë që janë  “në inventar” dhe që të gjitha janë zbuluar para vitit 1990, përbëjnë një aset më shumë se  25 miliardë USD. Por, rezervat e reja që duhen kërkuar e zbuluar dhe që ka mundësi ta shumëfishojnë këtë shifër,  sepse tanimë po flitet edhe për perspektivën naftë-gaz mbajtëse dhe të formacioneve me përshkueshmëri të vogël ( që i kemi quajtur deri më sot - mbulesa ) ashtu dhe  trojeve shqiptare dhe në Lindje të Shqipërisë ( atje ku ka shkëmbinj magmatikë:  poshtë apo në krah të tyre), por dhe në Kosovë. Mund të më thuhet se po flas mbas pilafit . Jo, kam njëzet vjet që flas dhe shkruaj dhe jo vetëm unë, por shumë kolegë të nderuar. Këto që thashë mendoj se  janë mendimet e përmbledhura për dy dekada. Më dërgonte një e-mail një profesor shqiptar nafte nga Kanadaja(i cili është një nga ata që mendon dhe argumenton  se ka naftë edhe në Lindje të Shqipërisë dhe në Kosovë) që mbasi më shpjegonte me pasion situatën që mendon se është në industrinë tonë të naftës më thoshte: “më fal se pleqëria më ka bërë llafazan” . Unë ju përgjigja: Miterani i famshëm ka thënë: “nuk po gjej një më të moshuar se vetja,  që ta marr këshilltar”. Megjithëse “Miteranët“ tanë nuk e kanë këtë paradigmë! A do lënë pa vëmendjen e duhur kjo pasuri shumë e madhe (qoftë dhe eksperienca  shumë e madhe që kemi pasur në industrinë e naftës)  siç mendojmë se është lënë këto dy dekadat e fundit? Ekonomia mendojmë se s’mund të prosperojë pa Naftën , gjakun e saj  –pa  atë që intuita e lashtë  e popullit tonë e ka quajtur : “gjaku i dragoit”.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›