Përpjekja donkishoteske e Serbisë për klasifikimin e Kosovës si “Konflikt i ngrirë”
Nga Vladimir Gligorov
(“Peshçanik”)
A mund të ngrihet konflikti me dhe rreth Kosovës? Përgjigja mund të gjendet në Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Dhe ajo është negative. Në mënyrë që një konflikt si puna e atij të Kosovës të mund të ngrihet, pikësëpari ai duhet të jetë i tillë për bashkësinë ndërkombëtare. Thënë ndryshe, duhet që vetë bashkësia ndërkombëtare ta ngrijë. Megjithatë, në rastin e Kosovës, sikurse mund të shihet lehtë nëse lexohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, bashkësia ndërkombëtare nuk ka paraqitur mosmiratim me pavarësinë e Kosovës. Si pasojë, u takon vetë shteteve dhe institucioneve ndërkombëtare që të vendosin ata vetë për ato marrëdhënie që dëshirojnë. Sikurse dihet, përveç faktit që është njohur tashmë nga një numër jo i vogël shtetesh të mbarë botës, Kosova është anëtare e FMN-së, BB-së dhe e BERZH-it. Krahas kësaj ka filluar edhe procesi i cili do të përmbyllet me vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së në formën e Marrëveshjes për Asociim Stabilizim.
E gjitha kjo, sikurse thuhet në mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe me të gjithë aktivitetet e tjera të bashkësisë ndërkombëtare që nga momenti i miratimit të Rezolutës e deri më sot. Për asnjë moment, në institucionet e bashkësisë ndërkombëtare, nuk ka ekzistuar ndonjë vendim, madje as edhe synim, që konflikti rreth Kosovës të ngrihet, madje e kundërta, që konflikti të mos ngrihet. Si pasojë, politika e konfliktit të ngrirë nuk është e mundshme dhe as e realizueshme.
Kjo sigurisht nuk do të thotë se Serbia nuk mund të mos vendosë që këtë konflikt përveten e saj ta konsiderojë të ngrirë dhe të bëjë agjitacion për një qëndrim të tillë pranë bashkësisë ndërkombëtare. Se si mund ta bëjë një gjë të tillë mbetet për tu precizuar nga vetë ajo. Por një problem do të përbënte Rezoluta e KS të OKB-së e miratuar pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtëisë dhe kjo e marrë me propozimin e Serbisë (së bashku me BE-në). Pikërisht, kjo Rezolutë parashikon bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësinë e BE-së, të cilat do të duhej të shpinin drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Kjo nuk do të thotë se gjithsesi, Serbia edhe mund të mos tërhiqet nga këto bisedime, por ama kjo nuk do të çonte në ngrirje të konfliktit, dhe as në angazhimin përsëri, madje edhe më të madh të Këshillit të Sigurimit, se sa ai që është tani. Kjo gjithsesi nuk do të mund të ndalonte procesin e integrimit të Kosovës në sistemin e institucioneve ndërkombëtare, madje është e panjohur edhe se sa mund ta ngadalsonte. Por nga ana tjetër do të hapej problemi i marrëdhënieve me BE-në dhe do të vinte në pikëpyetje kredibilitetin e Serbisë, por le të themi tani për tani se kjo është punë tjetër.
Cilat janë alternativat e politikës së konfliktit të ngrirë? E para ka qenë ajo që ka pas qenë inicuar KS nëpërmjet Planit Ahtisari. Synimi ishte që interesat e Serbisë dhe të Kosovës të mbroheshin nëpërmjet detyrimeve kushtetuese të Kosovës. Krahas kësaj, afati i sovranitetit të mbikqyrur dhe të plotë i Koosvës do të konsiderohej i përfunduar vetëm kur të bëhej e qartë se këto detyrime do të përmbueshen. Sikurse është vënë në dukje gjithashtu edhe nga ana e Mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Këshilli i Sigurimit ishte i mendimit se rreziqet e shtyrjes së gjetjes së zgjidhjes ishin tejet të mëdha (pra thënë ndryshe se ishin të vogla shanset e ngrirjes së konfliktit) dhe nuk ishte i mendimit se bisedimet mund të zgjasnin pafundësisht gjatë.
Meqënëse këto bisedime që u zhvilluan më pas, të cilët gjithashtu ishin të kufizuar në kohë, dështuan sepse Serbia hodhi poshtë Planin e Ahtisarit, gjë e cila erdhi si pasojë e mosmiratimit në KS të OKB-së, kjo, po e quaj alternativë kushtetuese u bë e pa arritshme. Fakti se nuk ua merrte mendja se Kosova do ta shpallte pavarësinë dhe se ajo do të njihej nga një numër jo i vogël vendesh, pa marrë parasysh se çfarë ishte deklaruar, apo mbahej parasysh ndonjë element tjetër, kjo tashmë nuk ka rëndësi. Por, pasoja e refuzimit të Planit të Ahtisarit është se kjo alternativë kushtetuese tashmë nuk është e arritshme, sikurse nuk është efektive as edhe mbikqyrja e KS të OKB-së. Tani, jo vetëm për këtë, por edhe për vetë Razolutën e KS të OKB-së me rastin e dhënies së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por para së gjithash sepse nuk ekzistojnë mundësitë për një ngrirje ndërkombëtare të këtij konflikti, mbeten bisedimet me Kosovën ose heqja dorë nga ato dhe kërkimi i mënyrave të tjera për të sendërtuar interesat e saj (Serbisë).
Këtu është themelore të shihet qartë dallimi ndërmjet Planit të Ahtisarit dhe atyre që aktualisht po zhvillohen ose që mund të zhvillohen në të ardhmen. Këta të dytët, nuk janë bisedime në të cilat, bashkësia ndërkombëtare, apo edhe ndojë vend tjetër i tretë, sado me ndikim të jetë ai, do të mund të ketë rol negociatori. Tani ato mund të jenë vetëm bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të cilat momentalisht ndërmjetëson BE-ja, e hipotetikisht këtë ndërmjetësim mund ta bëjë edhe ndonjë vend i tretë apo ndonjë institucion tjetër i cili mund të ofrojë shërbime të mira. Kjo është thelbësisht e ndryshme, sepse tani realizimi i interesave serbe varet nga interesat e pushtetit kosovar, pak a shumë në mënyrë ekskluzive. BE-ja mund të luajë një rol të caktuar në atë masë sa të përparojnë procesi i integrimit të Kosovës, por ama ky ndikim nuk mund të jetë i fortë në mënyrë të veçantë, sepse ky proces do të ishte i ngadalshëm dhe do të zgjaste shumë.
Në fund, sikurse edhe propozohet nga disa, Serbia mund të heqë dorë nga integrimi në BE. Disa këtë e shohin si një supozim në kalimin e politikës së konfliktit të ngrirë. Meqënëse ajo është e pamundshme dhe e parealizueshme, shtrohet pyetja nëse do të ishte e dëshirueshme të bëhej ajo që mendohet se ndoshta mund të ishte e nevojshme dhe e mjaftueshme që në njëfarë mënyre një politikë e konfliktit të ngrirë të mund të ishte e arritshme. Kjo është natyrisht një çështje politike, dhe mund të ndodhë që edhe publiku, votuesit, partitë politike dhe të gjithë ata që në Serbi marrin pjesë në formimin e vlerave politike, të arrijnë në përfundimin se është vërtetë më mirë që të lihet mënjanë integrimi në BE si dhe të hiqet dorë nga çfarëdolloj bisedimesh me Kosovën, derisa të krijohen kushtet ndërkombëtare që, qoftë me forcë apo me bisedime, të rikthehet sovraniteti i shtetit serb mbi Kosovën. Kjo nuk ngrin asgjë, përveç ngrirjes se pjesëmarrjes së Serbisë në ato institucuione ndërkombëtare nga të cilat ajo vendos të largohet. Por, gjithashtu kjo nuk do të ndikonte në ngrirjen ndërkombëtare të konfliktiti me dhe në lidhje me Kosovën. Nuk do të ndikonte gjithashtu edhe në tërësinë territoriale të Kosovës, sepse ajo është përcaktuar me Rezolutën 1244 dhe as integrimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar tregtar meqënëse ajo është përcaktuar si zonë e tërë doganore, përsëri në përputhje me Rezolutën 1244 dhe Procesin e Asocim Stabilizimit.
A mos një politikë e tillë serbe do të rriste shanset për të realizuar aspirata të qëndrueshme serbe në Kosovë? Kjo është natyrisht një problem vlerësimi, ku do të duhej të mbaheshin parasysh tri gjëra. Së pari, kjo do të rriste hapësirën manovruese të pushtetit kosovar, njëlloj sikurse ishte edhe me Planin e Ahtisarit, i cili shpuri në përfundimin e procesit të konfliktit kosovar në OKB. Krahas kësaj do të sendërtoheshin edhe disa mundësi të tjera politike, sikurse është integrimi i Kosovës me Shqipërinë, ose heqja dorë nga autonomia e bashkësisë serbe në Kosovë, sikurse u nxorr jashtë nëpërmjet Planit të Ahtisarit dhe vazhdojnë të jetë jashtë edhe tani, sigurisht vetëm politikisht, nëpërmjet këtyre bisedimeve me ndërmjetësinë e BE-së. Së Dyti, llogaritet edhe një farë mungesë njohje, sepse zgjidhja përfundimtare nuk varet vetëm nga ajo që bën Serbia, por edhe nga fakti se si ka për të ndryshuar raporti i forcave në botë. Kjo jo vetëm që është e panjohur, por është njëkohësisht edhe irelevante. Sepse, edhe nëse sikur raporti i forcave në botë të ndryshojë deri në atë shkallë saqë ti lejojë Serbisë që ta kthejë sovranitetin e saj mbi Kosovën, nuk ka shumë rëndësi nëse raportet e Serbisë me Kosovën, deri në atë moment dhe në atë moment, do të jenë të ngrira ose jo. Sepse edhe atëherë, si edhe tani, sendërtimi i synimeve serbe në Kosovë nënkuptohet se nuk do ti pëlqejë shumicës së populit që jeton atje. Dhe e Treta, duhet vlerësuar se sa janë të mëdha aftësitë vlerësuese të atyre që propozojnë një politikë të konfliktit të ngrirë, dhe të cilët kryesisht kanë gabuar në të gjitha vlerësimet e bëra deri tani, dhe kjo që në fundin e viteve tetëdhjetë e deri tani, dhe në mënyrë të veçantë në kohën e bisedimeve me Ahtisarin dhe me paraqitjen e kërkesës për mendim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, madje disa prej tyre që në gjysmën e parë të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar.