E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta, Shqipëria dhe Kosova, kundër planit të OKB-së

Kuvendi i Shqipërisë dhe ai Kosovës, unifikojnë qëndrimet e tyre, duke kundërshtuar prerazi planin gjashtë pikësh

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë dhe ai Kosovës, unifikojnë qëndrimet e tyre, duke kundërshtuar prerazi planin gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, për shtrirjen e kompetencave të misionit të Bashkimit Evropian EULEX. Anëtarët e komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, kanë mirëpritur dje homologët e tyre kosovarë në një takim të posaçëm, ku dhe është diskutuar pikërisht për situatën politike dhe diplomatike të shtetit të ri të Kosovës, si pasojë e këtij plani. Pasi kanë diskutuar për më shumë se një orë, dy komisionet e Jashtme të të dy vendeve kanë dalë në një deklaratë të përbashkët, e cila është lexuar nga kreu i komisionit shqiptar, Preç Zogaj dhe homologu i tij kosovar, Sabri Hamiti. “Komisioni i Politikës së Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe ai i Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbështesin qëndrimin e Presidentit dhe të qeverisë së Kosovës, si dhe të krejt forcave politike në vend, për zbatimin sa më të shpejtë të planit Ahtisari dhe të Kushtetutës së Kosovës», - thuhet në deklaratën e përbashkët. Në këtë kontekst, komisionet i bëjnë thirrje mbarë komunitetit ndërkombëtar, dhe posaçërisht SHBA-së dhe strukturave të BE-së, për të forcuar bashkëpunimin me institucionet legjitime të Kosovës, me qëllim shtrirjen pa vonesë të misionit EULEX në krejt territorin e Kosovës, në përputhje të plotë me planin Ahtisari dhe me Kushtetutën e Kosovës. “Çdo përpjekje për anashkalim të tyre, favorizon ngritje strukturash paralele që pengojnë vendosjen e shtetit ligjor”, - theksohet në këtë deklaratë. Të dy Komisionet bashkohen në shqetësimin se një realitet i tillë, ku nuk respektohet parimi i sovranitetit të Republikës së Kosovës, do të ishte i mbarsur me rreziqe për copëtim territorial të një shteti të pavarur, tashmë të njohur nga shumica e shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shumica dërrmuese e shteteve anëtare të BE-së, si dhe nga shtatë vendet më të zhvilluara të botës. “Një anashkalim i tillë mbart premisat e një destabilizimi afatgjatë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për krejtrajonin”, - u shprehën dy komisionet e Jashtme në deklaratën e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›