Durrës-Kukës, Lulzim Basha sot në prokurori si i pandehur
Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, pritet të paraqitet sot në Prokurorinë e Përgjithshme, për t‘u njohur me akuzat e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe shkeljes së barazisë në tender gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës.
Lajmin e ka konfirmuar edhe avokati i tij, Zef Nikaj, sipas të cilit Basha sot në orën 14:00, do të paraqitet në prokurori në shenjë respekti ndaj institucionit kushtetues të shtetit shqiptar.
Prokurori i çështjes, Arben Kraja, pas hetimeve 21- mujore të grumbullimit të provave dhe materialeve shkresore ka arritur në përfundimin se ish-ministri i Transporteve, Basha, me veprimet dhe mosveprimet e tij ka konsumuar katër veprave penale: “shpërdorim të detyrës”; “shkelje të barazisë së pjesëmarrës në tenderë apo ankande publike”; “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Akuza e fundit penale kundër tij, sipas prokurorisë është ngritur pasi Lulzim Basha, në kohën që ishte ministër i Transporteve, ka detyruar vartësit e tij të favorizojnë me të gjitha mundësitë e mundshme kompaninë që u shpall fituese për ndërtimin e rrugës Rrëshen – Kalimash, “Bechtel Inc.-Enka”.
Sipas këtyre burimeve mësohet se në rast se ministri i pandehur deklarohet fajtor nga Gjykata e Lartë për këto vepra penale, rrezikon dënimin me gjobë dhe burg nga 3 vjet deri në 12 vjet heqje lirie. Burimet pranë akuzës konfirmuan se ish-ministri i Transporteve, Basha, këto vepra penale i ka konsumuar në bashkëpunim me ish-drejtorin Juridik të Ministrisë që ai drejtonte, Andi Toma.
Prokuroria e Përgjithshme ka nisur fletë-thirrjet për t’u paraqitur pranë organit të akuzës të enjten në ora 14:00 në adresën e Lulzim Bashës dhe Andi Tomës, ku pasi të merren në pyetje për të fundit herë, do t’iu komunikohen akuzat për skandalin financiar në rrugën Durrës-Kukës.
Ndërkaq, pas dërgimit të kësaj fletë-thirrjeje, ministri i Jashtëm nuk ka reaguar, duke u mjaftuar me deklaratat e avokatit të tij mbrojtës Zef Nikaj që e ka cilësuar vendimin e Prokurorisë si një vendim me prapavijë politike dhe të jashtëligjshëm. “Prokuroria e Përgjithshme, me vendimin e djeshëm, ka treguar edhe njëherë se nuk respekton ligjet dhe shkel vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, ku pak ditë më parë është marrë vendim nga kjo gjykatë për mos pranimin e vendimit për zgjatjen e afateve hetimore”,-tha avokati Nikaj.
Avokatimbrojtës saktësoi se pas njohjes me aktakuzën, sot do të kryejnë një padi për kundërshtimin e prokurorisë. Mësohet se padia mund të realizohet në Gjykatën e Lartë, e cila është gjykata kompetente për hetimin gjyqësor të deputetëve.