E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta Came, ‘Patriotët e Rinj’: Parlamenti ngurron miratimin, të enjten protestë

TIRANË-Kryetari i Klubit të Patriotëve të Rinj, Ardit Bido u shpreh sot i ftuar në emisionin “360 Gradë” se më 11 Prill do të mbahet një protestë në favor të Rezolutës Came.
Bido theksoi se parlamenti shqiptar ngurron të miratojë Rezolutën Came për shkak të presioneve të palës greke. Sipas tij, protesta ka për qëllim të ndërgjegjësojë shtetin shqiptar për të miratuar këtë draft që ka të bëjë me të drejtat thelbësore të shqiptarëve.

“Ne ndodhemi në një situatë absurde, pavarësisht se janë shqiptarët që e duan rezolutën, janë 8 milionë shqiptarë dhe pastaj 142 vendimarrës në Kuvend që hezitojnë.
Nuk dyshoj tek vullneti burimor, por dyshoj tek presionet e ushtruara nga pala grek. Por këto presione do e marrin një përgjigje nga pala shqiptare. Ditën e enjte do bëhet një tubim paqësor, të shprehet vullneti i të gjithë shqiptarëve që mendojnë se Rezoluta është një çështje e drejtë dhe që duhet të miratohet me unanimitet”, tha Bido.

Kryetari i Klubit të Patriotëve të Rinj tha se Rezoluta Came ka disa kërkesa, mes të cilave dhe Traktatin e Miqësisë. Sipas tij, ky Traktat duhet të funksionojë 100% për të dyja palët sepse prej 18 vitesh funksionon vetëm për palën greke.

“Traktati i Miqësisë së Mirë në këto 18 vite të ekzistencës ka vepruar vetëm në një kah. Këtu bëhen varre për grekët kurse për camët asnjë lapidar. Pranohet cdo e drejtë e grekërve në Shqipëri dhe të drejtat e pronësisë së shqiptarëve në Greqi nuk zbatohen. Ne në Rezolutë kërkojmë zbatimin e këtij traktati, heqja e ligjit të luftës dhe njohja e një çështje që do futet në axhendën zyrtare siç është zgjidhja e cështjes çame.
Kemi dëgjuar por vetëm ngurrim, nuk kërkohet ndryshim kufijsh. Është një çështje e drejtë kjo që kërkojmë ne. Traktati i Miqësisë së Mirë në pikën 15 kishte krijimin e një komisioni dypalësh ndërqeveritar. 3 përfaqësues nga pala shqiptare e 3 greke për pronat, 2 herë është mbledhur takimi, në ’95-’96. Traktati i miqësisë së mirë dhe 2 vjet afat ka, prodhoi disa të mira për palën greke dhe asnjë për palën shqiptare”, u shpreh Bidon në emisionin “360 Gradë”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›