Rezoluta e Këshillit të Europës: Shqipëria ti japë fund bipolarizimit politik. Në parlament të hyjnë më shumë parti të vogla
(E PERDITESUAR)- Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka miratuar me 68 vota mbrëmë rezolutën për Ballkanin Perëndimor, ku flitet për Kosovën, Bosnjen e Shqipërinë.
Në pjesën për Shqipërinë thuhet se Asambleja mirëpret faktin se zgjedhjet lokale kanë përfunduar formalisht dhe se rezultati është pranuar nga votuesit. Në rezolutë theksohet vendimi i liderit të PS për të përfunduar bojkotin parlamentar. Rezoluta kërkon që të niset një dialog politik brenda parlamentit, për të nxitur integrimin. Në rezolutë mirëpritet vendimi për të proceduar me reformën zgjedhore dhe theksohet se duhet të merret opinioni i Komisionit të Venecias.
Po ashtu në rezolutë thuhet se duhen rritur mundësitë që më shumë parti të vogla të hyjnë në parlament. Shqipëria duhet ti japë fund bipolarizimit, theksohet në rezolutë, që ka dominuar politikën shqiptare dhe ka lodhur njerëzit kaq shumë.
Ndërkohë, Serbia thotë se ka arritur të triumfojë me anë të kësaj rezolute. Agjencia B92 shkruan se në rezolutë thuhet se duhet arritur një zgjidhje paqësore për veriun e Kosovës. Kreu i delegacionit serb ka thënë se deputetët e kësaj asambleje kanë shprehur mbështetje për angazhimin e Serbisë për zgjidhje paqësore të çështjes së Kosovës dhe kanë theksuar se janë kundër çdo vendimi unilateral.