PS, akuza për kartat e identitetit: Sekser një deputet me mustaqe
Dokumentet elektronike biometrike, me të cilat janë pajisur shtetasit shqiptarë që prej vitit 2009, janë bërë sërish objekt debati mes mazhorancës dhe opozitës. Por kësaj here në sallën e parlamentit, ku dje është diskutuar dhe miratuar një shtesë në marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Austrisë për realizimin e një sistemi kompjuterik për regjistrin themeltar të Gjendjes Civile në Shqipëri. Përfaqësuesit e opozitës kanë kundërshtuar jo thjesht marrëveshjen e paraqitur, por mënyrën sesi Gjendja Civile, sipas tyre u vu në shërbim të interesave elektorale të mazhorancës. “Sot po mblidhet parlamenti dhe të gjitha diskutimet që po bëhen janë vetëm për një ligj, një “qokë” tjetër që po i ofrohet jo më një kompanie që bën korrupsion e të ofron lekë, po i ofrohet një sistemi, i cili ju ofron juve pushtetin”, - tha deputeti socialist Blendi Klosi. Sipas Klosit, marrëveshja ka 9 muaj që zbatohet dhe miratimi i saj në këto momente është thjesht formal, ndërkohë që si pasojë e saj janë shpenzuar rreth 500 mijë euro. “Sikur sot ky parlament të mos ta votonte këtë projektmarrëveshje, sikur sot në këtë parlament deputetët e Bamir Topit të kalonin nga PS-ja dhe mos ta votonin dhe LSI-ja të kalonte këtej dhe të mos ta votonte, çfarë do të ndodhte me kompaninë austriake? Kush do ta paguante 500 mijë euroshin e këtij viti? Si mund të kalohet në parlament marrëveshja dhe ju të paguani shërbimin që është ofruar një vit? Kush ka qenë dorëzan? Është ai deputeti i shëndoshë me mustaqe, ndërkombëtar, që ka qenë dorëzani. Që shkon në zyrat e Parlamentit shqiptar me radhë e del bën deklarata vetëm kur merr miratimin për këtë projektmarrëveshje. Kjo është një qokë që bëhet në shkelje të plotë me ligjin shqiptar. Pse duhet bërë ky shërbim pa tender?” - pyeti më tej Klosi. Ndërkohë që nuk kanë munguar edhe dyshimet për sigurinë e regjistrit elektronik, si dhe të sistemit të prodhimit të kartave dhe pasaportave biometrike. Por ndaj këtij shqetësimi, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani ka qenë kategorik duke garantuar sigurinë e plotë. “Ju garantoj se sistemi i prodhimit të letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike është sistem i sigurisë 100 %. Askush nuk mundet që me të njëjtat të dhëna personale dhe me shenja gishtash të ndryshme të prodhojë një dokument identiteti apo udhëtimi”, - siguroi ministri, ndërkohë që ka sqaruar se përgjegjëse për eliminimin e dublikimeve në regjistër janë njësitë e qeverisjes vendore dhe jo qeveria. Pavarësisht kundërshtimeve gjatë diskutimit, në procesin e miratimit vetëm 4 deputetë të opozitës kanë votuar kundër marrëveshjes, ndërsa pjesa dërmuese ka abstenuar.