E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta e PE: Të njihet nga të gjithë pavarësia e Kosovës

 

Bashkimi Evropian ka miratuar rezolutën, e cila u bën thirrje të gjitha vendeve të unionit, që ta njohin dhe mbështesin pavarësinë e Kosovës. Deri më tani Kosova, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt 2008, është njohur nga 22 prej 27 vendeve anëtare të BE-së. Qipro, Greqia, Sllovakia, Spanja dhe Rumania kanë refuzuar ta njohin pavarësinë e Kosovës, qoftë ngaqë mbështesin Serbinë, qoftë për besimin që mund të kenë këto vende, se ky hap do të provokonte trazira në provincat e tyre separatiste. Në një deklaratë Parlamenti evropian ka shpallur se "Rezoluta rekomandon që vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duhet ta hedhin këtë hap". Në një rezolutë jodetyruese parlamenti i ka kërkuar gjithashtu, vendeve anëtare dhe Komisionit Evropian që të ndihmojnë qeverinë e Kosovës të kapërcejë shkurtime serioze të stafit dhe të përmirësojë situatën e minoritetit rom dhe minoriteteve të tjera. Rezoluta u aprovua me 424 vota pro dhe 133 kundër, ndërsa 24 ishin abstenime. Megjithatë, vendet që nuk e kanë njohur Kosovën nuk duan të ndryshojnë qëndrim. E para nga pesëshja antipavarësi u prononcua Sllovakia e cila tha se nuk mund të zbatojë një rezolutë, e cila bie ndesh me interesat dhe lidhjet e vendit. Por rezoluta nuk mund të ketë zemëruar asnjë vend tjetër më shumë sesa Serbinë. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç e refuzoi thirrjen e PE ndaj vendeve të Bashkimit Evropian për të njohur pavarësinë e Kosovës. "Rezoluta e Kosovës është e papranueshme për Serbinë, pasi ajo është kundër Kushtetutës sonë, por edhe ligjeve ndërkombëtare", tha Jeremiç në një deklaratë për televizionin serb "B92". "Parlamenti Evropian nuk është institucioni i ngarkuar për politikën e jashtme për Bashkimin Evropian. Ky votim në PE ka treguar se nuk ka marrëveshje në BE për pavarësinë e Kosovës, sepse vetëm pak më shumë se gjysma e deputetëve kanë votuar pro kësaj rezolute", shtoi Jeremiç.

Prishtina refuzon dialogun

Prishtina nuk do të ulet në bisedime me Beogradin për të biseduar rreth zbatimit të planit 6-pikësh. Kështu vendosën dje Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi pas takimit me shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zannier. Liderët kosovarë thanë se në asnjë formë nuk do të ulen të bisedojnë me Beogradin për implementimin e planit gjashtëpikësh apo çështjeve tjera, që prekin në statusin dhe sovranitetin e Kosovës, ndërsa Zannier tha se ka shumë çështje praktike, për të cilat të dy vendet mund të bisedojnë. Zannier nuk e përjashtoi si mundësi, që plani të zbatohet në praktikë në bazë të raportit të miratuar nga Këshilli i Sigurimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›