SHBA, fëmijët nuk paguajnë më për shërbimet shëndetësore
Presidenti amerikan, Barak Obama ka nënshkruar një ligj i cili mbulon shërbimet shëndetësore për katër milionë fëmijë deri tani të pasiguruar. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të këtij ligji, Obama tha se ky është hapi i parë drejt udhëtimit për të "zgjeruar mbulimin shëndetësor për të gjithë amerikanët". Për të mbuluar shpenzimet e këtij ligji nevojiten rreth 30 miliardë dollarë, të cilat do të mblidhen nga rritja e taksës mbi duhanin.
Ky projekt ka gjetur kundërshtimin e republikanëve për shkak të kostos së këtij ligji dhe për arsyen tjetër se Presidenti Bush ka vendosur dy herë votën për të ndaluar ligjin e aprovuar nga Kongresi. Ky ligj ka si synim që të ndihmojë fëmijët që nuk janë aq të varfër sa të shfrytëzojnë programet e familjeve në nevojë por nuk janë edhe aq të pasur sa të mund të përballojnë një shërbim shëndetësor privat. Për Obamën, firmosja e ligjit të ri është parë si rasti për të ripërmendur arsyet "etike" që duhet të ndjejë Kongresi për të miratuar planin e stimulit ekonomik të kërkuar nga ai vetë. "Përgjegjësia e Kongresit përballë krizës ekonomike që po kalon SHBA janë analoge me atë të një prindi që duhet të sigurojë asistencën shëndetësore për fëmijët e tij dhe ky është kujdesi minimal për një komb civil", tha Obama.