E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta e PE-së për integrimin, Chountis takime në Tiranë

Apeli i tij kryesor, ishte për klasën politike shqiptare për të përmbyllur reformat e kërkuara dhe veçanërisht heqjen e imunitetit. Ai theksoi se heqja e imunitetit, përveç se është kërkesë e Komisionit Evropian, është edhe një mënyrë më e mirë për transparencën dhe luftën kundër korrupsionit. 

"Nuk duhet të ketë dallime për këtë çështje. Ajo nuk duhet të trajtohet si një çështje politike, nga e cila përfiton njëra apo tjetra palë, por kjo është një çështje që prek dhe interesat e qytetarëve, ndaj duhet të ketë më shumë bashkëpunim dhe konsensus", tha eurodeputeti Chountis gjatë takimit me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli.

Eurodeputeti Chountis rikonfirmoi mbështetjen e PE-së për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE, ndërsa vlerësoi përparimin e shënuar kohët e fundit në finalizimin, siç tha ai, të detyrave që Brukseli ka vënë ndaj vendit tonë. "Askush nga vendet e BE-së nuk mund të mohojë progresin që Shqipëria ka shënuar. Është në përgjegjësinë e të gjitha palëve politike që të vijojnë ritmin e reformave që brenda këtij viti vendi të përfitojë statusin kandidat. PE do të vijojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë, shumica e eurodeputetëve janë në favor të integrimit të tuaj. Ne urojmë që ju të përfitoni statusin këtë vit", tha Chountis.

Nga ana e saj, Topalli shprehu vendosmërinë e mazhorancës për të përdorur të gjitha mjetet që ofron ligji dhe Kushtetuta, për të realizuar këtë nismë të rëndësishme, kërkesë kyçe në paketën e kërkesave të KE-së. "Presim një reagim pozitiv nga opozita për heqjen e imunitetit. Mazhoranca pranoi tërësisht draftin me kërkesat e opozitës në lidhje me çështjen e imuniteteve, por opozita sërish refuzoi ta votojë atë. Heqja e imunitetit është shumë e rëndësishme, pasi është një mjet që barazon qytetarët dhe pushtetarët para ligjit, por është gjithashtu një mjet që i jep vetë opozitës më shumë hapësira për të kontrolluar qeverinë, ministrat etj. Mosmiratimi i kësaj nisme sigurisht që do të ketë kosto politike për të. Shqiptarët duan një Shqipëri pa imunitete dhe pa privilegje për pushtetarët", tha ajo.

Topalli e njohu zyrtarin e PE-së me hapat e rëndësishëm në kompletimin e reformave, pjesë e rekomandimeve të KE-së. "Shqiptarët duan të marrin statusin e vendit kandidat dhe ne kemi bërë dhe vijojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta merituar atë. Statusi kandidat në BE, do të ishte një moment i veçantë këtë vit, ku Shqipëria dhe shqiptarët festojnë 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë", u shpreh ajo.

Gjithashtu, eurodeputeti, zhvilloi edhe një takim me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila ka kërkuar vlerësim realist nga Komisioni Evropian për sa i përket integrimit të Shqipërisë.

“Shqipëria ka përmbushur detyrimet kryesore të caktuara nga Komisioni për marrjen e statusit dhe për më tepër klima politike në vend sot, është si në çdo vend tjetër, ku opozita me mazhorancën nuk kanë dakordësi për çdo çështje, por kjo nuk do të thotë që klima politike mund të konsiderohet problematike për partnerët europianë”, u shpreh Bregu. Ministrja Bregu, e sapo kthyer nga një vizitë dy ditore në Bruksel, e informoi Raporterin për diskutimet me përfaqësuesit e Komisionit Evropian. Shefja e Integrimit theksoi se, "shqiptarët kanë nevojë për një qëndrim realist nga të gjithë, një vlerësim të drejtë larg standardeve të dyfishta".

Gjatë ditës së nesërme, raportuesi Chountis do të zhvillojë takime me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, etj. /S.Ll/Start/ /Start/

                                                                                             2012-09-05 16:04
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›