E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta e PE-së, shumica i hap dritën jeshile liberalizimit

08/07/2010 Eurodeputetët e majtë kërkojnë futjen e amendamenteve të krizës

Miratimi i rezolutës për liberalizimin e vizave me Shqipërinë nuk ka kaluar pa debate dje në Parlamentin Evropian, përgjatë seancës kur po diskutohej pikërisht kjo çështje. Europarlamentarët e djathtë kanë kërkuar me forcë të miratohet kjo rezolutë, duke e cilësuar mungesën e lëvizjes së lirë të shqiptarëve si një “burgosje” që po u bëhet qytetarëve brenda vendit të tyre. Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, ka përshëndetur rezolutën e PE-së për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, duke dhënë që në fillim mesazhin e qartë të shumicës parlamentare në PE. Në lidhje me krizën, Fule është shprehur se “palët e politikës shqiptare: qoftë pozita, ashtu edhe opozita, duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë lidhur me zgjidhjen e krizës politike në vend, për ti krijuar kështu mundësinë edhe Komisionit Evropian që të vendosë në mënyrë të qartë më tej lidhur me ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë”. Por edhe deputetët e majtë, megjithëse të dyzuar, nuk kanë dalë kundër liberalizimit, por i kanë mëshuar më së shumti idesë se kriza politike po pengon procesin e integrimit. Shenjat u dhanë që më parë se të fillonte seanca plenare, kur gjatë një prononcimi për media, eurodeputeti i majtë Viktor Boshtinaru do të shprehej se “nëse i kthehemi përmbajtjes së rezolutës, ka disa pika, disa prej të cilave u propozuan së fundi nga grupet kryesore politike, në të cilat ne ripërsërisim thirrjen tonë për një zgjidhje politike. E përsëris përsëri se pa një zgjidhje politike për krizën politike që ende ekziston në Shqipëri, kjo situatë mund të vërë në rrezik fatin evropian të Shqipërisë”. Duket se nisja drejt Brukselit e disa deputetëve të PS-së për të lobuar për transparencën i ka dhënë frytet e veta sidomos tek grupi i eurodeputetëve të majtë. Gjithsesi, deri ditën e nesërme, kur të miratohet rezoluta për Shqipërinë dhe Kosovën, nuk dihet nëse të djathtët në Parlamentin Evropian do ti pranojnë mendimet që synojnë të futen nga e majta evropiane. Doris Pack, eurodeputetja e djathtë gjermane, u shpreh gjatë seancës se Shqipëria duhet të ketë një parlament funksional dhe opozitë funksionale. Sipas saj, ka shumë debate në politikën shqiptare, në një kohë kur populli kërkon ecuri dhe reforma. “Shqipëria është një vend i bukur dhe nuk mund të shkatërrohet në këtë mënyrë arbitrare”, tha Pack.

Gianni Pittella

Zëvendëspresidenti i PE-së, Gianni Pittella, tha dje se kriza politike përbën një pengesë të madhe në rrugën e integrimit të Shqipërisë. “Parlamenti Evropian po tregon edhe një herë vëmendjen dhe interesin e tij në lidhje me marrëdhëniet me Shqipërinë. Shqipëria është një vend që ne e duam shumë. E konsiderojmë tashmë si pjesë të familjes evropiane dhe po punojmë që të hyjë në familjen evropiane. Kjo rezolutë e fundit e Parlamentit Evropian rithekson këtë miqësi dhe këtë raport të privilegjuar. Këtë e kemi treguar edhe ndër vite. Por jemi po ashtu shumë të shqetësuar, duam ta themi këtë me shumë sinqeritet, sepse në këtë rrugë, këtë rrugë të bashkëpunimit më të madh, rrugë të njohjes së Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësim, ekziston një pengesë e madhe. Pengesa që ekziston është klima politike në Shqipëri. Nuk mjafton të thuash që Partia Socialiste, në një gjest vullneti shumë të mirë, hyri në parlament. Duhen sqaruar modalitetet me të cilat janë zhvilluar zgjedhjet”, tha Pittella.

Unioni Ndërparlamentar Botëror

Jozefina Topalli zgjidhet zëvendëspresidente e IPU

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është zgjedhur zëvendëspresidente e Unionit Ndërparlamentar Botëror (IPU), një ndër organizmat më të rëndësishëm të politikës botërore, që ka në fokus dialogun ndërparlamentar dhe bashkërendimin e axhendave në përballimin e sfidave me interes global, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Përzgjedhja e saj, sipas një njoftimi të Kuvendit, është bërë ndër 155 kryetarë parlamentesh të të gjithë botës. Në cilësinë e zëvendëspresidentes, Topalli është e ftuar nga Presidenti i IPU-së, dr. Theo-Ben Gurirab, në konferencën e tretë botërore të kryetarëve të parlamenteve, një samit global mbi rolin thelbësor të institucioneve legjislative në politikën botërore dhe marrëdhënien e tyre me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ky takim i nivelit të lartë do të mbahet në qendrën e IPU-së, në zyrat e Kombeve të Bashkuara, i njohur si Pallati i Kombeve, në Gjenevë, më 19-21 korrik. Tema qendrore e këtij evenimenti është “Parlamentet në një kohë krize botërore, sigurimi i një demokracie globale për të mirën e përbashkët”. Konferenca pritet të kontribuojë edhe në përgatitjet e takimit mbi rishikimin e Objektivave të Mijëvjeçarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›