E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Debat në Parlament për ligjin e integrimit

08/07/2010 Qeveria e Athinës kalon në Parlament propozimin për emigrantët

Opozita e cilëson nismën si kontroverse dhe jo të zbatueshme

Politika greke është përfshirë së fundmi në debatet, të cilat kanë lidhje me integrimin e emigrantëve në shoqëri. Opozita ka kundërshtuar propozimin e mazhorancës qeverisëse për emigracionin, e cila lidhet sipas saj pikërisht me asimilimin e emigrantëve, që dëshirojnë të integrohen në shoqërinë greke. Kreu i pakicës parlamentare greke Antonis Samaras, gjatë diskutimit të platformës së propozuar ka thënë se dhënia e nënshtetësisë nuk është zgjidhja e duhur për integrimin e emigrantëve. Ai u shpreh i prerë se kur forca politike që drejton do të marrë pushtetin, do ta rishikojë këtë ligj, të cilin e cilësoi si kontrovers. “Jemi të detyruar që këtë ligj të PASOK-ut ta ndryshojmë, kur Demokracia e Re të marrë pushtetin. Dhe angazhohemi qartë që tani për këtë. Fëmijët e emigrantëve të ligjshëm që lindin këtu do ta marrin të drejtën e nënshtetësisë kur të arrijnë moshën madhore”, ka thënë Samaras, duke iu referuar BBC-së. Shefi i Demokracisë së Re ka nënvizuar se çdo politikë emigracioni duhet të krijojë valvula sigurie për integrimin e emigrantëve. Gjatë debatit parlamentar në lidhje me propozimin për integrimin e emigrantëve, ministri i Brendshëm grek Janis Ragusis ka mbrojtur nismën ligjore, e cila është hartuar nën drejtimin e tij. Ministri Ragusis ka vlerësuar vendimin e qeverisë së Athinës për kalimin e ligjit për nënshtetësinë si një vendim historik.

Emigrantët në Greqi

Në Greqi ekziston një numër shumë i madh emigrantësh shqiptarë. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare që ofron Eurostati (institucioni zyrtar i statistikave të Bashkimit Evropian), gjatë vitit 2008 Republika e Greqisë u ka ofruar nënshtetësinë afro 10 mijë shqiptarëve. Nga projektligji që është propozuar nga qeveria greke pritet të përfitojnë një numër i konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›