E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta kalon pa opozitën

Grupet parlamentare të LDK’së dhe AAK’së nuk mbështetën Rezolutën për dialogun Kosovë-Serbi, megjithëse kanë marrë pjesë në harmonizimin e tekstit. Por, Rezoluta u aprovua pa përkrahjen e tyre me 63 vota për. Kundër ishin 48 deputetë Nga Valmir Klaiqi më 11 mars 2011 në ora 08:50

Shtyrja e miratimit të Rezolutës për dialogun Kosovë-Serbi, nga seanca e kaluar për të harmonizuar qëndrimet mes partive parlamentare, nuk doli të jetë e suksesshme.
Partitë opozitare morën pjesë në konsultime me iniciuesin e draft-rezolutës, PDK’në dhe dhanë propozimet e tyre, por të enjten nuk e mbështetën atë në Kuvend.

Megjithëkëtë, pa votat e opozitës, Kuvendi miratoi Rezolutën me 63 vota për, 48 kundër dhe një abstenim.

Propozuesi i Rezolutës, Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK’së, ka thënë se dy takimet e shefave të grupeve parlamentare nuk kanë rezultuar të suksesshme sa i përket harmonizimit, me gjithë inkorporimin e propozimeve të opozitës në tekstin e rezolutës.

Pas seancës, shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare paraqitën arsyet para medieve se pse nuk votuan pro Rezolutës.

Shefi i Grupit të LDK’së, Ismet Beqiri ka thënë se ka kërkuar që në këtë rezolutë të përcaktohet që negociatat për statusin me Serbinë kanë përfunduar, se nuk mund të bisedohet jashtë Kushtetutës së Kosovës, se nuk mund të bisedohet për tërësinë territoriale, rregullimin e brendshëm dhe se nuk mund të ketë negociata, por vetëm dialog.

Ai ka kërkuar që Qeveria brenda një afati prej 15 ditësh t’ia dorëzojë Kuvendit një platformë të qartë të çështjeve që mund të bisedohen dhe atyre që nuk mund të bisedohen kurrsesi, ndërkaq në kuadër të kësaj platforme të përfshihet edhe anëtarësimi i Kosovës në BE dhe se çdo marrëveshje të ratifikohet në Kuvend me 2/3 e deputetëve.

Ndërkaq, shefi i GP të Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se është e dhimbshme se si tërë fati i Kosovës, i cili po cenohet drejtpërdrejt nga këto negociata, të cilat i filloi Qeveria pa kurrfarë miratimi nga Kuvendi, u vendos me një shumicë votash brenda Kuvendit. Këtë ai e sheh si zbehje të rolit të Kuvendit.

“Kjo votë për që ju bë sot Rezolutës së PDK’së që i mbështet negociatat, është një votë e cila përfundimisht karshi Qeverisë dhe karshi negociatave ia dobëson pozitën Kuvendit të Kosovës dhe e shndërron atë nga Kuvendi më i lartë politik dhe legjislativ i vendit në një organ që merret me çështje teknike sa i përket negociatave me Serbinë”, tha Ymeri.

Edhe për shefin e GP të AAK-së, Ardian Gjini, rezoluta është e papranueshme, ngase brenda saj nuk janë përfshirë çështjet eksplicite që i ka propozuar ky grup parlamentar.
Sidoqoftë, Rezoluta e miratuar në Kuvend, për Qeverinë e Kosovës, është e mirëseardhur dhe është mjaft e mirë.

“Propozimi është në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe obligimeve tona përballë Kuvendit dhe unë mendoj se është një rezolutë e mirë edhe për Kosovën, fuqizimin dhe për destinimin e Qeverisë , dhe do të thosha edhe për pozicionin mbikëqyrës që ka Kuvendi përballë Qeverisë”, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Ai ka thënë se Qeveria do të jetë e përgjegjshme para qytetarëve të Kosovës dhe njëkohësisht do të jetë e përgjegjshme në informimet permanente të Kuvendit të Kosovës.

Teksti i Rezolutës
• Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet dialogun midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane, Kosovës dhe Serbisë, për çështje praktike, në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe të avancimit të agjendës evropiane për të dy shtetet dhe për rajonin.
• Kuvendi i Republikës së Kosovës rikonfirmon parimin që dialogu midis dy palëve të lehtësohet nga BE dhe SHBA-të.
• Dialogu i Kosovës dhe Serbisë do të jetë i përgatitur mirë, me agjendë të qartë dhe të përcaktuar paraprakisht, në marrëveshje ndërmjet palëve dialoguese, duke përfshirë edhe lehtësuesit e dialogut.
• Agjenda e dialogut do të përfshijë vetëm çështjet teknike të interesit të përbashkët, pa prekur në asnjë rast sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm kushtetues të Kosovës.
• Obligohet Qeveria e Republikës së Kosovës që t’ia paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës dokumentin themelor të dialogut brenda afatit ligjor.
• I/e emëruari nga Kryeministri udhëheqës i delegacionit të Republikës së Kosovës për dialogun me Republikën e Serbisë do të informojë në baza të rregullta Komisionin për Politikë të Jashtme dhe komisionet tjera përkatëse të Kuvendit të Kosovës dhe do të raportojë edhe në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.
• Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të vendosur marrëdhënie të mira fqinjësore me Republikën e Serbisë, në të mirë të dy vendeve tona, popujve tanë, të integrimeve evropiane dhe të stabilitetit e prosperitetit të përgjithshëm të rajonit.
• Kuvendi i Republikës së Kosovës riafirmon qëndrimin se bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu janë kontribut për paqen e stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendeve tona dhe të rajonit në përgjithësi si dhe për përshpejtimin e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.
• Kuvendi i Republikës së Kosovës e rikonfirmon të drejtën kushtetuese për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që i nënshkruan Qeveria e Republikës së Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›