Rezultat zhgënjyes, dhamë shumë në fushë
Kapiteni i kuqezinjve Lorik Cana, flet pas humbjes së pa merituar në Slloveni, ku një gjuajtje e vetme e sllovenëve na ka nxjerrë pa pikë
Lorik Cana ndihet mjaft i zhgënjyer pas humbjes që pësoi Kombëtarja nga Sllovenia me rezultat minimal 1-0, në ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2014, e cila u zhvillua Lubjanë. Kuqezinjtë e kanë kërkuar gjatë gji9thë lojës golin e barazimit, duke krijuar disa raste të shumta për shënim, por Handanoviç ka qenë i pakalueshëm. Një gjuajtje e vetme në pjesën e parë nga Kampl, i ka mjaftuar sllovenëve për tre pikët. Ne lojtarët dhe të gjithë shqiptarët jemi të zhgënjyer.
U pa se në çfarë mënyrë humbëm. U pa se çka dha ekipi në fushë, kjo është një humbje që vështirë kapërdihet. Ky është futbolli, një skuadër jep më shumë, mundohet më shumë dhe prodhon më shumë por në fund nuk fiton, deklaroi Lorik Cana. Sipas kapitenit të kuqezinjve një rast i vetëm ka vendosur fatet e kësaj ndeshje. Ata kanë shënuar një gol fantastik dhe ndoshta ishte njëri nga dy mundësitë që kishin. Por, ne e kishim lojën në dorë, krijuam rast pas rasti dhe i bëmë presion kundërshtarit, duke i luajtur të gjitha shanset tona, me një mentalitet fituesi. Por, të gjitha përpjekjet tona nuk u shpërblyen.
E donim një rezultat të mirë për njerëzit që na mbështetën në stadium, vazhdoi futbollisti i Lacios. Sidoqoftë, Cana ka thurur elozhe për lojën e ekipit të drejtuar nga tekniku italian e Xhani De Biazit për lojën që bëri, pasi sipas kapitenit, trajneri i ka dhënë kuqezinjve ecuri dhe vazhdimësi. Përkundër humbjes, mbrojtësi gjakovar beson ende në kualifikimin në botërorin, Brazil 2014. Gjasat janë të shumta për kualifikim. Edhe para ndeshjes me Slloveninë, e dinim se edhe nëse nuk fitojmë këtu, mund të shkojmë në Botëror. Por, duhet pranuar se kjo humbje na lë peng. Në grupin tonë, çdo rezultat është i mundshëm. Ne jemi të gjithë afër me njëri tjetrin, vijoi ai. Cana beson se nëse vazhdohet me të njëjtin mentalitet, ekipit të Shqipërisë do ti shpërblehet i gjithë mundi.
