Rezultatet nga Matura Shtetërore, QSHA: Më shumë maturantë ekselentë për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi

Me përfundimin e Maturës Shtetërore maturantët janë njohur me rezultatet e dy nga katër provimet e dhëna Gjuhë e Huaj dhe Gjuhë shqipe e letërsi.
Sipas drejtoreshës së QSHA, Aurora Balliu, rezultatet e krahasuara me një vit më parë tregojnë së kemi më pak mbetësa në të dyja provimet e para dhe më shumë maturantë ekselentë për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi.
Bazuar në rregulloren e një viti më parë maturantët kanë të drejtën e rivlerësimit të tezës. Drejtoresha e QSHA tregon edhe procedurat që duhet të ndiqen.
“Në datën 1 korrik, maturantët do të kenë mundësi që të kërkojnë kopjen e testit në portalin e-Albania. Në ditët në vijim, QSHA do të ngarkojë atyre në portalin e-Albania kopje të testit dhe data 5 korrik maturantët do të dërgojnë fletët e testit në komisionin shkollor të Maturës Shtetërore. Nëse komisioni shkollor gjykon që pretendimet e maturantëve nuk qëndrojnë dhe vlerësimi është korrekt, ky test nuk vjen në QSHA. Nëse vlerëson të kundërtën, ky test vjen në QSHA për t’u rivlerësuar“, tha Balliu.
Tashmë rezultatet e matematikës janë në përpunim nga QSHA, ndërsa janë në korrigjim e sipër testet e lëndës me zgjedhje.
Rezultatet përfundimtare pritet të dalin deri më datë 30 qershor.
/rtsh.al/