E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultatet për Rudnicën në fund të korrikut

Gjykata për Krime Lufte në Beograd ka paralajmëruar se rezultatet e ekzaminimit të lokacionit për varrezës masive afër Rashkës, do të dihen deri në fund të këtij muaji.

Rezultatet do të vërtetojnë ose hedhin poshtë dyshimet për varrosjen e eshtrave të më shumë se 250 shqiptarëve, të vrarë gjatë vitit 1999 në Kosovë, nga forcat serbe.

Autoritetet serbe njoftuan, në fillim të majit, se afër Rashkës është zbuluar një varr masiv me eshtrat e rreth 250 shqiptarëve të Kosovës, të vrarë në rrethin e Drenicës gjatë luftës më 1998-1999.

Kryetari i komisionit shtetëror serb për të zhdukur, Velko Odalloviq, në një konferencë me gazetarë, ka bërë të ditur se në lokacionin Rudnicë afër Rashkës, më 6 qershor janë marrë mostrat e tokës nga një thellësi 6-8 metra, me qëllim të vërtetimit nëse aty ka materie organike dhe tokë të hedhur që do të konfirmonte ekzistimin e një varreze masive.

Komisioni pasi të marrë rezultatet e analizës nga gjykatësi hetues, që po zhvillohen në Fakultetin e Xehetarisë, do të shkojnë në Prishtinë dhe t’i informojë të gjithë pjesëmarrësit e procesit rreth zhvillimeve.

“E kemi ndërmend të shkojmë në Prishtinë me qëllim që t’i njoftojmë të gjithë pjesëmarrësit dhe opinionin e Kosovës mbi rezultatet e analizave dhe të gjitha aktivitetet që po ndërmerren rreth lokacionit, meqë në këtë temë shumë po manipulohet”, ka thënë Odalloviq. Ai ka shtuar se “para pak javësh flitej në Kosovë se Serbia nuk është e gatshme dhe nuk dëshiron të hulumtojë lokacionin me mbetje mortore të shqiptarëve”.

Gjatë marrjes së mostrave, në lokacion kanë qenë përfaqësuesit e EULEX-it, të Grupit Punues për të Zhdukur të Kosovës, të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe të organizatave të tjera.

Siç është njoftuar nga mesi i majit, Prokuroria serbe për krime të luftës dhe përfaqësuesit e EULEX-it kanë zbuluar bashkërisht varrezën masive afër një hurdhe peshqish jo larg nga Rashka, 10 km nga kufiri i Kosovës.

Vlerësimet rreth numrit të viktimave ishin bërë në bazë të dëshmisë dhe analizës së xhirimeve nga ajri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›