E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultatet përfundimtare për garën e pranimeve

01/09/2010 APRIAL korrigjon pasaktësitë, listat e plota të pikëve hidhen në 2 libra transparence

Për të njohur rezultatet e tyre maturantët duhet të klikojnë në faqen online www.mash.gov.al

Pranvera Kola

Pas verifikimit të pasaktësive shpallet lista e plotë dhe përfundimtare e pikëve, me të cilat çdo maturant do të konkurrojë për t’u pranuar në universitetet publike të vendit, për vitin akademik 2010-2011. APRIAL ka rishikuar ankesat e depozituara nga vetë nxënësit në formularin e pasaktësive dhe më pas ka bërë edhe korrigjimin e rezultateve përkatëse. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Arsimit bëhet e ditur se për shumë maturantë është bërë ndryshimi i të dhënave, (të pasqyruara në librin e parë të transparencës) për shkak të pasaktësive të gjendura, jo vetëm në plotësimin e gjeneraliteteve identifikuese, por edhe në hedhjen e të dhënave personale, mbi komponentët përbërës të maturës. Pasaktësi të shumta janë vërejtur në hedhjen e notës mesatare, e cila në shumë raste ka pësuar ndryshime, e për rrjedhojë ka shkaktuar edhe ndryshimin e pikëve përfundimtare të maturantëve në të dhjetë preferencat që ka listuar për ndjekjen e studimeve të larta. Ndryshe nga libri i parë, hedhja e pikëve përfundimtare, tashmë është ndarë në dy libra transparence, ku secili prej tyre përmban të dhënat përkatëse të çdo maturanti në varësi të shkollës dhe rrethit përkatës ku banon.

Njohja e rezultateve

Për të verifikuar edhe një herë rezultatin e tyre përfundimtar për të dhjetë preferencat maturantët duhet t’i drejtohen uebsaitit zyrtar të Ministrisë së Arsimit në adresën ëëë.mash.gov.al. Duke klikuar në të djathtë të faqes në seksionin Matura Shtetërore, gjenden të hedhur Libri i Transparencës 1 dhe Libri i Transparencës 2. Secili prej këtyre librave ka të detajuara rezultatet e çdo maturanti ku janë përfshirë edhe korrigjimet e pasaktësive. Ndarja në dy librat është bërë në varësi të rrethit, ku ndodhet shkolla e mesme që ka mbaruar maturanti përkatës. Të dhënat e publikuar në të dy librat janë edhe rezultatet përfundimtare mbi bazën e të cilave do të bëhet edhe renditja e kandidatëve fitues që do të pranohen në universitete për këtë vit akademik.

Fituesit

Sipas afateve të përcaktuara nga specialistët e arsimit është konfirmuar zyrtarisht se shpallja e listave fituese për pranimet në universitete, do të bëhet publike më datën 15 shtator. Kjo pasi të kenë përfunduar edhe konkurset e pranimit që do të zhvillohen gjatë javës së parë të këtij muaj në ato institucione të arsimit të lartë siç është Akademia e Arteve, ajo e Sporteve, si dhe dega e Arkitekturës pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Po e njëjta procedurë do të ndiqet dhe për institucionet homologe të arsimit të lartë të ngritura në rrethe. Për këto degë, pranimet do të kushtëzohen nga rezultatet finale të testimit specifik, i cili do të zhvillohet duke filluar nga data 2 shtator. Pas nxjerrjes së rezultateve të konkursit, të dhënat i kalohen APRIAL-it, e cila i përfshin në databazin e saj të dhënat e këtyre maturantëve. Me përfundimin e kësaj procedure APRIAL, nëpërmjet sistemit kompjuterik rendit automatikisht listën me kandidatët fitues që do të pranohen në çdo program studimi në varësi të kuotave të miratuara për këtë vit. Për këtë vit pohohet se pragu minimal i pikëve që do të duhen për t’u pranuar në universitetet do të pësojë rritje krahasuar me ato të një viti më parë, veçanërisht për degët që rezultojnë të jenë edhe më të kërkuara nga vetë maturantët. Në total për vitin e ri akademik qeveria ka miratuar rreth 23500 kuota pranimi, të shpërndara sipas degëve përkatëse të fakulteteve. Rritja më e madhe e kuotave është bërë në degët më të kërkuara siç janë ato me natyrë ekonomike si dhe informatika. Ndërsa për degët më pak të preferuara kuotat kanë ardhur në rënie.

Përmbajtja e dy librave të transparencës

Nuk përfshihen në Librin e Transparencës, maturantët që kanë ngelur në një nga dy provimet e detyruara. Secili kandidat, ka kutinë e tij ku në rreshtin e parë ku jepen: Numri rendor; numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit. Në pjesën majtas poshtë janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të 5 elementeve të maturës, në bazë të cilave llogariten pikët përfundimtare. Këto elemente janë dhënë me emërtesën përkatëse. Më tej vijohet me Preferencat e kandidatit, të renditura ashtu si janë kërkuar prej tij në Formularin A2. Preferencat përmbajnë numrin e programit të studimit, emërtesën e programit të studimit. Në krah jepen tre koeficientet për secilin program studimi sipas kësaj renditje: I pari: koeficienti i shkollës (KSH); I dyti: koeficienti për provimin e parë me zgjedhje (KZ1); I treti: koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje (KZ2).

Renditja e fituesve

Një kandidat mund ta shohë veten brenda listës së fituesve në disa programe studimi, por ai do të jetë fitues vetëm në atë program studimi që i takon preferencës së tij më të lartë në këtë grup preferencash. Në rregullore përcaktohet se fillimisht: “Kontrollohet preferenca 1, nëse aty jeni fitues, aty shpalleni për regjistrim në universitet. Nëse nuk jeni fitues në preferencën 1, kontrollohet preferenca 2 e kështu me radhë deri në preferencën 10. Shpalleni fitues në preferencën ku keni grumbulluar pikët e nevojshme (kjo preferencë mund të jetë sipas rastit preferenca e parë, e dytë, e tretë e kështu me radhë). Fitues jeni vetëm në një program studimi, në atë të preferencës më të lartë, edhe sikur të keni pikët e mjaftueshme dhe me renditje të kënaqshme për preferenca të tjera”. Po ashtu një tjetër kriter selektues është edhe nota mesatare.

Regjistrimi i fituesve/kuotat bosh

Ndryshe nga një vit më parë pranimet në universitete do të përcaktohen vetëm me një raund. Kështu vendet që do të mbeten bosh nuk do të plotësohen sipas procedurave të ndjekura në vitet e shkuara me nxjerrjen e formularit A3 apo A4, por vetëm me zbritjen e vijës fituese. Fillimisht do të zhvillohet regjistrimi paraprak. Pas mbylljes së kësaj faze nëse do të rezultojnë vende të mbetura bosh do të procedohet me lëvizjen e preferencave, dhe zbritjen e vijës fituese tek kandidatët që ndodhen më pranë pragut minimal. Kjo procedurë do të ndiqet për të gjitha universitetet publike të vendit. Kandidatët që do të shpallen fitues duhet të tregohen të kujdesshëm që të bëjnë regjistrimin paraprak gjatë afateve të përcaktuara, pasi në të kundërt rrezikojnë të drejtën e ndjekjes së studimeve të larta gjatë këtij vitit. Rregullorja e re e pranimeve tashmë është miratuar edhe nga MASH, ndërkohë që do të zbatohet pas zbardhjes së listave fituese.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›