E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmi i autobusit shqiptar në Greqi, ngrihen dy pista hetimi

01/09/2010 Ende nuk ka motiv apo autorë. Policia ndjek dy mundësi të sulmit me molotov

Policia greke po hedh dritë duke hetuar rreth incidentit të shënuar mesnatën e së dielës, kur një autobus me targa shqiptare u sulmua me bomba molotov në Greqinë Perëndimore. Kështu, njoftohet se polica po ndjek disa pista hetimi. Gjithsesi, deri më tani strukturat e policisë greke ende nuk e kanë gjetur shkakun e saktë të këtij sulmi, teksa nuk ka asnjë të dyshuar. Burime nga drejtoria policore e Greqisë perëndimore thanë për BBC-në se nuk mund të komentonin asnjë version dhe se po shqyrtohen të gjithë skenarët lidhur me motivet e sulmit, ndërkohë që si autorë të tij po kërkohen të paktën dy persona. Autobusi me targa të Sarandës, pronë e një kompanie private, nuk kishte pasagjerë dhe po kthehej në atdhe nga Athina. Nga hedhja e bombave molotov dhe gurëve, u thye xhami i përparmë, si dhe disa anësorë, por edhe sedilje. Zjarri u përhap edhe në një sipërfaqe përreth rrugës, por u shuajt para se të merrte përmasa kërcënuese. Drejtuesi i mjetit, që reagoi në mënyrë të shpejtë, nuk ka pësuar lëndime. Ngjarja ndodhi mesnatën e së dielës, duke u gdhirë e hënë, në kilometrin e 44- të rrugës nacionale Antirio-Janinë, në zonën e Mesolongjit, në Greqinë Perëndimore.

Pistat e hetimit

Këtu përfshihet versioni se sulmuesit kujtonin se autobusi mbartte tifozë të një ekipi grek, apo edhe mundësinë që sulmi të ketë pasur motive nacionaliste. Sipas medias greke, që citon burime të policisë, nuk përjashtohet që autobusit t’i kishin bërë pritë, me mendimin se transportonte tifozë të ekipit të futbollit të Korfuzit, që po ktheheshin nga ndeshja e ekipit të tyre kundër AEK-ut të Athinës, për superligën greke, që u zhvillua në qytetin e Patras, rreth 50 kilometra nga vendngjarja. Por nga ana tjetër, askush nuk mund të përjashtojë edhe që sulmi të ketë pasur motive nacionaliste, si një reagim ndaj incidentit të ndodhur në Himarë, para tri javësh, ku humbi jetën një i ri vendas, incident që pala greke thotë se kishte motive etnike. Kjo është hera e dytë që autobusë shqiptarë bien preh e sulmeve në territorin grek. Në fillim të korrikut, persona me maska kishin mësyrë në një restorant ku po pushonin pasagjerët e tre autobusëve që po udhëtonin drejt Shqipërisë. Ata kishin hapur zjarr, ku u plagosën tre emigrantë shqiptarë. Autorët, që mendohet se kishin mësyrë me qëllim për të grabitur, u larguan dhe ende nuk ka ndonjë njoftim për gjetjen dhe kapjen e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›