E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rezultati i zgjedhjeve, në rregull”

 

aristir lumezi

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, i bëri thirrje opozitës të njohë rezultatin e certifikuar të zgjedhjeve. Pas një takimi që zhvilloi me ministrin e Jashtëm dhe zv.kryeministrin Ilir Meta, Bosch tha se rezultati i zgjedhjeve është i saktë. “Së pari, nuk jam këtu si jurist ose si përfaqësues i Gjykatës Kushtetuese, por me sa e gjykoj unë, të gjitha mjetet ligjore janë përdorur dhe rezultatet e 1 gushtit janë në rregull”, u shpreh Bosch në përgjigje të interesit të mediave. Kreu i misionit të OSBE-së në Tiranë shprehu gatishmërinë për të kontribuar në përmirësimin e Kodit Zgjedhor dhe të rekomandimeve të raportit paszgjedhor të vëzhguesve të huaj.
“Kishim një takim shumë pozitiv dhe unë shpreha edhe një herë vullnetin e OSBE-së për të mbështetur Shqipërinë në integrimin e saj në strukturat euroatlantike. Ne po kështu jemi gati për të mbështetur Shqipërinë në rast se kërkohet për të ndihmuar Qeverinë si dhe opozitën, brenda Parlamentit, për të zbatuar realisht rekomandimet e raportit të ODIHR-it”, u shpreh Bosch. Por sipas ambasadorit të OSBE-së, këto përmirësime mund të bëhen në Parlament dhe në praninë e opozitës. “Për ta bërë këtë, opozita është realisht e nevojshme dhe sigurisht kjo bëhet vetëm në Parlament. Kështu ne mirëpresim bashkëpunimin dhe ne shpresojmë dhe besojmë se do të jetë po aq i mirë sa edhe me paraardhësin e z.Meta. Ne shpresojmë se ju do t’i afroheni Evropës sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh Bosch. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm dhe zv/kryeministri Ilir Meta vlerësoi rolin e OSBE-së në mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. “E kam falënderuar ambasadorin Bosch për kontributin që ka dhënë OSBE dhe ODIHR, në mënyrë të veçantë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, të cilat u vlerësuan në mënyrë më pozitive edhe nga raporti i ODIHR-it, ku natyrisht u bënë edhe shumë sugjerime për të përmirësuar edhe më tej standardet për zgjedhjet në të ardhmen, që zgjedhjet e ardhshme të arrijnë standardet më të larta”, u shpreh Meta. Sipas tij, maxhoranca do të zbatojë të gjitha rekomandimet e bëra nga raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit. “Me këtë rast unë e sigurova edhe një herë ambasadorin Bosch për vullnetin e Qeverisë, të shprehur edhe nga Kryeministri Berisha, duke bashkëpunuar ngushtë me OSBE-ODIHR-in, në mënyrë të veçantë me opozitën në Shqipëri dhe me të gjithë faktorët e tjerë, që të gjitha këto rekomandime të jenë pjesë e një plani për veprim, i cili do të garantojë që zgjedhjet e tjera të jenë të standardeve më të larta të vendeve më të zhvilluara të Europës”, u shpreh ministri i Jashtëm, Meta. Edhe më parë, ambasadori i OSBE-së në Tiranë i ka kërkuar opozitës që të zhvillojë betejën e saj në Parlament, si i vetmi vend sipas tij ku bëhet debati politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›