E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: Opozita e ka vendin në Kuvend, jo jashtë tij

 

Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadori Helmuth Lohan ritheksoi nga Durrësi se, “opozita shqiptare e ka vendin në Parlament dhe jo jashtë tij”. Lohan ka pranuar nga gazetarët t’i përgjigjet vetëm një pyetjeje, duke mos hezituar të dënojë me fjalorin e diplomacisë bojkotin e vendosur nga socialistët. Diplomati i lartë i BE-së vizitoi Durrësin, qytet në të cilin ishte pjesëmarrës në seminarin ndërkombëtar kundër krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe luftës kundër financimeve të terrorizmit. Në seminar referuan edhe të deleguar nga Prokuroria e Përgjithshme. Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, 20 ditë më parë i kujtoi opozitës që të zërë vend në Parlament dhe të mos ndjekë rrugën e bojkotit. Duke iu përgjigjur interesimit të medias mbi qëndrimin e këtij institucioni përsa i përket vendimit të Partisë Socialiste për të mos u futur në Kuvend, Lohan deklaroi: “Qëndrimi i Komisionit Evropian në këtë çështje është shumë i qartë. Debati politik brenda një vendi demokratik zhvillohet brenda Parlamentit dhe jo jashtë tij”. Kështu komuniteti ndërkombëtar i pranishëm në Tiranë në çdo koment të vetin i bën thirrje Partisë Socialiste të mos braktisë Kuvendin. Nga ana e saj, selia rozë i ka konsideruar qëndrimet e faktorit ndërkombëtar si qëndrime të detyruara që ata duhet të mbajnë, ndërsa vetë PS-ja e përcakton qëndrimin e saj të bojkotit, sipas kreut të PS-së, mbi bazën e të dhënave që ajo disponon për presione dhe manipulime në procesin e votimit dhe të numërimit të votave nga maxhoranca.                                 o.u.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›