Idrizi kryetar i PDU, ikën nga PS
aristir lumezi
Krijohet Partia për Drejtësi dhe Unitet. Ish-deputeti i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Dashamir Tahiri dhe ish-deputeti i PS-së, Shpëtim Idrizi, do të zyrtarizojnë sot krijimin e forcës më të re, e cila do të jetë e pozicionuar në qendër të politikës dhe e hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat e tjera politike. Pas deklaratës që pritet të mbahet sot në mesditë, deputeti i dalë nga lista e PS në qarkun e Vlorës, do të largohet nga grupi parlamentar i kësaj partie për të qenë kryetar i partisë më të re në vend. Idrizi pritet gjithashtu të kthehet në Parlament në një moment të afërt, ku partia që ai do të drejtojë me dy deputetë në Parlament do të mbështesë koalicionin qeveritar. Kështu duket se përveç LSI-së dhe PR-së, maxhoreanca do të ketë në përbërjen e saj në Parlament edhe Partinë për Drejtësi dhe Unitet dhe jo më Partinë për Drejtësi dhe Integrim, e cila pas kësaj lëvizje ka ngelur pa përfaqësim parlamentar. Nga ana tjetër PS-ja ngelet me 64 deputetë.
Programi
Partia për Drejtësi dhe Unitet në programin e saj do të ketë në mënyrë ekskluzive promovimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe në veçanti zgjidhjen e çështjes çame. Nga burime pranë nismëtarëve të kësaj partie mësohet se PDU konstaton se diplomacia dhe shteti shqiptar në përgjithësi në trajtimin e kësaj çështje ka njohur tërheqje dhe prapësim. PDU konsideron se disa prej faktorëve të këtij prapësimi nga zgjidhja e çështjes çame janë pragmatizmi politik i krerëve të shtetit nga të dy krahët gjatë 20 viteve të fundit, ngjarjet e vitit 1997 dhe rënia e prestigjit ndërkombëtar të Shqipërisë që pasoi ato ngjarje; presioni i madh i faktorëve rajonalë, që bëjnë pjesë në organizatat euroatlantike si dhe pafuqia morale, mungesa e dijeve, e kompetencës, rrënimi apo mungesa në burime njerëzore e institucioneve. Gjithashtu PDU vlerëson se shkak i këtij prapësimi ndaj zgjidhjes së çështjes çame është edhe fakti se forcat politike kryesore nuk i kanë përfaqësuar siç duhet interesat kombëtarë, madje nuk e kanë bërë këtë as dhe parti të tjera të krijuara me këto objektiva.
Objektivat
Partia për Drejtësi dhe Unitet pritet të ndërmarrë iniciativa politike, juridike, diplomatike për të promovuar dhe zgjidhur çështjen çame. Gjithashtu ajo do të inkurajojë unifikimin e gjuhës shqipe, si dhe do të punojë për krijimin e një hapësire të përbashkët ekonomike panshqiptare sipas modeleve perëndimore. Një tjetër synim i kësaj force të re politike është të bëhet zëri më serioz përfaqësues i ish-pronarëve shqiptarë në vend dhe jashtë tij. PDU do t’i kërkojë qeverisë të krijojë Komitetin Kombëtar, një institucion për shqiptarët jashtë vendit, që të jetë përgjegjës për problematikën e tyre juridike, politike dhe kulturore. Kjo forcë synon ndërtimin e marrëdhënieve të mira me vendet fqinje, përfshi këtu edhe Greqinë, nisur nga parimet e fqinjësisë së mirë dhe interesit reciprok. Krijimi i Partisë për Drejtësi dhe Unitet vjen pas kontradiktave të lindura prej dy muajsh në Partinë për Drejtësi dhe Integrim me kryetar Tahir Muhedinin. Kjo forcë në zgjedhjet e 28 qershorit arriti të marrë një deputet, pikërisht Dashamir Tahirin në qarkun e Vlorës dhe ishte fare pranë një deputeti tjetër në qarkun e Fierit. Por pas zgjedhjeve, kryetari i partisë Muhedini dhe deputeti Tahiri u përfshinë nga debatet për kushtet që do t’i vendosnin Kryeministrit Sali Berisha për marrëveshjen e bashkëqeverisjes. Kreu i partisë kërkonte marrjen e një posti ministror, dy zv.ministra dhe disa ambasadorë në vendet me peshë në arenën ndërkombëtare, që do të mbështesnin zgjidhjen e çështjes çame. Nga ana tjetër, deputeti Tahiri deklaroi se nuk do t’i vendosë kushte kryeministrit Berisha, për t’ia lënë atij në dorë postet që do t’i ofrojë PDI-së. Pas disa mbledhjesh të forumeve të kësaj partie, kryetari Muhedini dhe deputeti Tahiri nuk arritën në një marrëveshje, çka çoi edhe në largimin e këtij të fundit nga PDI dhe krijimin e PDU-së.