Shkodra mban sytë nga Bushati
SHKODER / RIDVAN DIBRA
Komuna e Bushatit “mban peng” mandatin e 8 të shpresuar nga demokratët e qarkut të Shkodrës. Parregullsitë e hasura dje në kutitë e votimit pezulluan procesin e numërimit, duke bllokuar njëkohësisht dhe përfundimin total të votimeve. Sipas të dhënave, nëse Bushati ka votuar në shumicën e tij për PD-në, atëherë sigurohet dhe deputeti i tetë. Ndërsa në qytet, deri në mesnatë kishte mbetur vetëm 1 kuti pa hapur nga 413 qendra votimi gjithsej. Me rezultatet e ditës së djeshme, demokratët kanë siguruar tashmë 7 mandate, ndërsa socialistët 4 të tilla.
Ka vazhduar gjatë gjithë ditës së djeshme numërimi i votave në Shkodër. Kështu, në zonën zgjedhore nr. 40 komisionerët kanë punuar me pauza e ndërprerje çka ka bërë që procesi të jetë mjaft i ngadaltë. Kjo edhe për shkak të dëmtimit të sistemit të ajrosjes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, ku dhe janë të vendosura 6 grupet e numërimit të votave për 95 qendrat e votimit të qytetit të Shkodrës. Përveç problemeve teknike, siç ka qenë dhe dëmtimi i printerit në këtë KZAZ e moszëvendësimi i tij, ka pasur dhe kontestime. Kjo në qendrën e votimit nr.247, në lagjen “Kiras”, pasi janë nxjerrë fletët e një kutie votimi, është konstatuar që ato kanë qenë të prera jo në vendin e duhur por sipër tek pjesa ku fillon lista e partive, duke hequr pjesën e fletës së votimit ku është stema e Republikës dhe ajo e KQZ. Kjo ka bërë që të lindin dyshime dhe tre anëtarët e PS, në këtë KZAZ kanë kërkuar që kjo qendër votimi të bllokohet dhe të mos numërohet. Sipas socialistëve duhet të zbatohet Kodi Zgjedhor dhe numërimi në këtë qendër të mos kryhet. Pas kërkesës zyrtare që kanë bërë katër anëtarët demokratë të KZAZ është vendosur me shumicë votash që procesi të vazhdojë. Kjo duke e argumentuar këtë me faktin se të gjitha fletët e votimit kanë të njëjtën prerje dhe kjo ka ardhur nga mostrajnimi i duhur apo mosdijenia e anëtarëve të komisionit të qendrës së votimit nr.247. Sipas kryetarit të KZAZ 40, Besnik Kastrati nuk ka asnjë dëmtim apo dyshim lidhur me materialin brenda kutisë dhe gjithçka është në përputhje me ligjin. PS ka tërhequr tre anëtarët dhe sekretarin e KZAZ nr. 40, që janë përfaqësues të saj dhe për rreth 40 minuta procesi është ndërprerë. Por më pas PS ka vendosur që t’i kthejë të tërhequrit dhe numërimi i votave është bërë, por për këtë kuti, PS ka depozituar ankimimin e saj. Në këtë zonë zgjedhore, numërimi i votave të së cilave akoma nuk ka përfunduar, kryeson PD me rreth 8 mijë vota më shumë se PS. Sakaq, në zonën zgjedhore nr. 42, procesi ka vazhduar deri në mëngjesin e së martës. Sipas kryetarit të KZAZ Selami Smajli, pasi u numëruan dhe dy kutitë e fundit, ato 188 dhe 189, që i përkisnin komunës Vig Mnelë, komisionerët e majtë janë tërhequr duke mos e plotësuar dokumentacionin përkatës. Në këtë mënyrë ata e kanë lënë të pambyllur procesin e numërimit të votave në këtë zonë zgjedhore. Sipas përfaqësuesve të PS, kjo ka ndodhur pasi ata kanë dyshime në procesin e votimit në këto dy qendra, ku pas numërimit PS ka marrë zero vota dhe sipas tyre votimi është bërë nga persona, që kanë votuar më shumë se një herë. Po kështu, ata kanë hedhur dyshime për firmat e nënshkruara të votuesve. Në këtë zonë zgjedhore është dhe një kuti e pezulluar, ajo që i përket fshatit Kir, për të cilën në fillim kanë pasur kontestim socialistët, duke kërkuar të mos hapet, më pas ato kanë ndryshuar mendje, por kanë qenë demokratët që kanë kërkuar pezullimin e saj. Kjo kuti votimi i përket një fshati të thellë në zonën e Dukagjinit, por që gjithmonë ka votuar me shumicë për PS dhe socialistët kanë akuzuar demokratët se ato nuk duan ta numërojnë këtë kuti pikërisht për këtë fakt. Problemi i vërejtur në këtë kuti votimi ka qenë lidhur me listat e personave, që kanë votuar dhe që pretendohet se kanë pasur pasaktësi. Në këtë zonë zgjedhore, PD kryeson me mbi 4000 vota më shumë se PS.
qarku SHKODER
Alenca e Ndryshimit
PD 49884 vota
PR 2342 vota
PAA 2367 vota PDI 69 vota
PAD 330 vota
BLD 116 vota
PLL 253 vota
AMIE 20 vota
PADS 291 vota
PBK 244 vota
Bashkimi per Ndryshim
PS 29945 vota
PSD 1956 vota
PDS 2136 vota
PBDNJ 1070 vota G99 507 vota
Aleanca Soc. për Integrim
LSI 2626 vota
PSV 372 vota
Numri i zgjedhësve votues 104309