E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultati përfundimtar, Basha fiton me 80 vota para

23/05/2011  Përfundon numërimi i 125 kutive të Tiranës në KQZ

Komisionin Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar dje numërimin e të gjitha fletëve të panumëruara në 125 kutitë e mbërritura në këtë institucion, i cili prej disa ditësh ka marrë rolin e KZAZ qendrore për nxjerrjen e rezultatit të Tiranës. Pas përfundimit të këtij procesi u evidentua se në total Lulzim Basha kandidati i “Aleanca për qytetarin” ka marrë 173 vota kundrejt 83 votave të marra nga Edi Rama, të cilave i shtohen dhe dhjetë votat e marra në numërimin e para një jave. Rezultati që pritet të bëhet publik sot nga KQZ, në tabelën përmbledhëse, shpallet fitues kandidati Basha me rreth 80 vota, në krahasim me kandidatin e “Aleancës për të ardhmen”. Ndërsa kandidati i tretë në garën për kreun e Bashkisë së Tiranës, Hysni Milloshi, ka marrë vetëm 2 vota, gjatë numërimit të fletëve të kontestuara nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë përllogaritje Lulzim Basha ka thelluar diferencën e votave me Ramën me 91 vota para këtij të fundit.

Dje në KQZ

Gjatë mbledhjes së paradites KQZ u mor me shqyrtimin e ankimimeve të kandidatëve dhe partive për procesin zgjedhor të 8 majit. Ndërsa në mesditë KQZ-ja vijoi numërimin e fletëve të kontestuara në njësinë 5, të cilat sipas mazhorancës rezultojnë fletë votimi të hedhura gabimisht në kutinë e votimit gjatë zgjedhjeve të 8 majit. Mbledhja ka rinisur me një ndryshim në këtë proces, ku në mbledhjen e së shtunës KQZ-ja kishte vendosur që për njësinë bashkiake nr. 5 të KZAZ-së numër 49 në Tiranë, të hapte vetëm 22 kuti. Por dje, në listën e kutive që do numëroheshin ishin shtuar dhe 22 kuti të tjera, duke e çuar numrin në total për këtë njësi në 44 kuti. Ky fakt ka sjellë dhe reagimin e nënkryetares së KQZ-së, njëkohësisht përfaqësuese e opozitës në këtë komision, Dëshira Subashit. Nga ana e saj ajo kërkoi të njihej me kërkesën e komisionerëve të djathtë në këtë KZAZ, që kërkuan shtimin e kutive me fletë të kontestuara. Gjithashtu, ajo i kërkoi kreut të KQZ-së që t’i lërë kohë në dispozicion, në mënyrë që të njihej më mirë me këtë kërkesë për shtimin e hapjes së kutive për KZAZ-në 49. Por për anëtarin e mazhorancës, Klement Zguri, Kodi Zgjedhor pranon që çdo paqartësi që kanë komisionerët e KZAZ-ve duhen parë me prioritet nga ana e KQZ-së. Por edhe përfaqësuesi ligjor i PS-së,Genc Gjonçaj, duke kundërshtuar Zgurin, i kërkoi Ristanit që të miratohet një rregull i shkruar për këto kuti që po hapen, pasi “KQZ-ja nuk mund të funksionojë më në këtë mënyrë kaotike, duke mos na vënë në dispozicion vendimet e jashtëligjshme që merren nga mazhoranca e KQZ-së për hapjen e kutive, numërim të paligjshëm të fletëve të quajtura si të pavlefshme, si dhe duke ndryshuar në fund dhe tabelat e rezultateve të firmosura nga të gjithë anëtarët e KZAZ-ve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›