E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis falja për taksat e makinave

23/05/2011  Një pjesë e makinave që nuk qarkullojnë janë në pronësi të shtetit. Si do të bëhet çregjistrimi

Falen pa pagesë taksat e papaguara të qarkullimit dhe regjistrimit

Të gjithë drejtuesit e automjeteve që nuk kanë paguar taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe taksën e regjistrimit të përvitshme deri në dhjetor 2010 përfitojnë nga falja fiskale. Ata nuk do të duhet të paguajnë asgjë për detyrimet e prapambetura, por vetëm detyrimet e këtij viti. Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor ka vendosur për vitin 2010, rreth 52 milionë lekë gjoba, prej të cilave janë vjelë vetëm 25 milionë lekë. Pjesa tjetër do të falet. Por përveç mjeteve që janë në qarkullim, nga procesi i faljes përfitojnë edhe pronarët e automjeteve që nuk janë në qarkullim. Për këtë udhëzimi i fundit të ministrit të Financave për faljen fiskale përcakton procedurën dhe dokumentet që duhen për këtë proces, deri në çregjistrimin përfundimtar të automjeteve nga regjistri aktiv i Drejtorisë së përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor. Një pjesë e mirë e automjeteve që nuk janë më në qarkullim janë në pronësi të institucioneve të shtetit, si Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Prokuroria, Ministria e Bujqësisë, ajo e Drejtësisë, Ministria e Punëve Publike, repartet ushtarake, agjenci doganore, shërbimi pyjor, instituti i mjekësisë ligjore, RTVSH-ja, etj. Më shumë se 160 mijë automjete do të përfitojnë nga amnistia fiskale dhe prej saj pritet të çlirohet një shumë rreth 2.5 miliardë lekë. Automjetet e papërdorura në Tiranë rezultojnë të jenë të regjistruara që prej vitit 2011, ndërsa në rrethe ka mjete që rezultojnë të regjistruara që në vitet ’92 – ‘93.

Çregjistrimi

Udhëzimi përcakton faktin se pronarët e mjeteve që nuk janë në qarkullim, po të paçregjistruara deri në datën 31 dhjetor 2011, drejtoritë rajonale të shërbimit të transportit rrugor kanë afat të kryejnë veprimet përkatëse të çregjistrimit të përhershëm të mjetit rrugor, brenda datës 31 dhjetor 2011. Për të plotësuar këtë veprim pronarët e mjeteve, të cilët janë të listuar si debitorë për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe taksën e regjistrimit të përvitshme, të kenë dorëzuar disa dokumente. Ata duhet të paraqiten personalisht për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit për shkatërrimin, skrapimin ose eksportimin përfundimtar jashtë shtetit të mjetit, sipas modelit që ka përgatitur Drejtoria e përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Bashkë me këtë formular pronarët e mjeteve do të dorëzojnë edhe certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit, si dhe targat e mjetit. Edhe nëse nuk disponohen këto dokumente, mjafton që pronari të deklarojë nëpërmjet formularin mungesën e tyre, në mënyrë që të realizohet procesi i çregjistrimit përfundimtar. “Në rastet kur pronarët e mjeteve që nuk janë në qarkullim, nuk disponojnë, certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit, targën, DRSHTRR-të, bën çregjistrimin e mjetit rrugor, brenda datës 31.12.2011, pasi subjekti të dorëzojë formularin e vetëdeklarimit, sipas modelit të përgatitur nga DPSHTRR-ja, për shkatërrimin, skrapimin ose eksportimin përfundimtar jashtë shtetit të mjetit, mungesën e certifikatës së pronësisë, mungesën e lejes së qarkullimit, mungesën e targave”, - thekson udhëzimi i Financave. Pas përfundimit të afatit kohor të përcaktuar në ligj, 31.12.2011, për kryerjen e veprimeve të çregjistrimit të mjeteve që nuk janë në qarkullim, DPSHTRR-ja heq nga regjistri aktiv dhe i mban në regjistrin pasiv të gjitha mjetet, të cilat nuk kanë kryer kontrollet teknike të detyrueshme në dy vitet e fundit, duke njoftuar dhe pronarët e këtyre mjeteve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›