E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ri-pikturim”, risia vjen në Galerinë Kombëtare të Arteve



Petrika GROSI
Ksenofon Dilo, Agim Kadillari, Xheneta Kadillari, Skënder Kamberi, Heldi Pema, Sali Shijaku dhe Taso janë disa nga emrat e piktorëve të njohur, të cilët do të jenë pjesëmarrës në ekspozitën “Ri-pikturim” e cila do të qëndrojë e çelur në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në kryqytet nga data 19-28 shtator. “Ri-pikturim. Një Ekspozitë mbi Shtresëzime” do të përdorë historinë dhe arkitekturën e Galerisë Kombëtare të
Arteve, si bazë për të zhvilluar një mënyrë të veçantë pikturimi që është e lidhur me vetë ndërtesën. “Ri-pikturim” do të
jetë një ngjarje e paprecedentë, e cila duke shfrytëzuar interioret e GKA-së, do t’i kthejë ato në studio arti. Siç tregon për gazetën “Albania” kuratori Gëzim Panariti, punime të reja do të kompozohen posaçërisht për këtë mjedis të veçantë nga piktorë të mirënjohur shqiptarë. Ekspozita e përdor gjendjen aktuale të rinovimit që po kryhet në GKA, si një pikënisje, duke shëndrruar sallën e kuqe të “zbrazët”, që dikur përmblidhte koleksion e realizmit socialist, në një hapësirë studioje, ku çdo piktor do të realizojë njërën nga veprat e tij. Punët e reja mund të ndryshojnë ose jo nga veprat origjinale të socrealizmit, zgjidhja u takon artistëve. Ky ripunim tenton që të pasurojë veprat e asaj periudhe me elementet moderne dhe tendencat e artit bashkëkohor.
Njësoj si një arkeologji e përmbysur kulturore, artistët dhe piktorët e ftuar do të ripikturojnë drejt e në muret e Galerisë.
E ndjekur nga faza finale e rinovimit, ekzistenca e këtyre veprave ka vetëm një natyrë të përkohshme, pasi menjëherë pasi të përfundohen, ato do të lyhen me një shtresë të re boje që do të shënojë në këtë mënyrë, fillimin e ekspozimit të ri të koleksionit të përhershëm dhe do të përcaktojë fundin e ekspozitës mbi shtresëzime. Fokusi i ekspozitës do të jetë mënyra sesi lidhen me njëri-tjetrin, këndvështrimi i publikut, perceptimi i artistëve dhe muzeu si institucion shtetëror.

22 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›