E Diel, 1 Nëntor 2026

Formatet e festivalit POETEKA: EDICIONI 4



New Entry FormaLine: është një hapësirë e re që POETEKA krijon për poetët, që marrin pjesë për herë të parë në festival dhe që sjellin si veçanti të tyre leximin autorial të poezive në mënyrë joformale.

Caffee & Intervistë dhe lexime: është një thyerje mes seancave të leximit, përmes së cilave auditori vendos lidhje, jo vetëm me krijimtarinë e poetit të ftuar, por dhe me personalitetin e tij, për të përftuar jo çka është krijuar prej kohësh, por atë që improvizohet enkas për të dhe që ndodh vetëm aty.

Lexime autori Guvat: janë lexime të poetëve pjesëmarrës në guvat e Torrës veneciane të Durrësit, një nga monumentet kulturore unikale të këtij qyteti, emblemë e tij si dhe një nga vendet më të përshtatshme për veprimtari poetike e muzikore, për shkak të akustikës së saj aq të veçantë.

Ad honorem - Wallace Stevens: orë e veçantë leximi dhe kumtesash kushtuar këtij personaliteti të shquar të poezisë botërore, e cila përfshin ligjërata kushtuar poetit, lexim i poezive të tij, përshëndetje, promovim i librit të tij të porsabotuar dhe ku, për kënaqësi të të pranishmëve, do të dëgjohet edhe zëri i Wallace Stevens duke lexuar poezitë e tij.

Rock & Read / Lexime autori: Format i leximeve autoriale që, përmes lojës së fjalëve mes Rock&Roll, priret nga performanca si mënyrë leximi i një teksti, të cilit autori i shton vlerën me interpretimin e tij.

DocuMentaL / VideoPoemë: është një hapësirë e krijuar enkas për t’i hapur udhë promovimit të poezisë përmes mjeteve dhe teknologjisë moderne, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, për të dëshmuar përmes fqinjësimit me artet e tjera atë gjurmë që poezia lë në mendjet tona, kur shndërrohet në imazh. DokuMentaL (DML) vjen në edicionin IV të Festivalit si iniciativë e Dr. Thomas Wohlfahrt dhe si bashkëpunim i ZEBRA Festival (Berlin) me POETEKA.

In memoriam: format brenda leximeve autoriale, ku poetët e ftuar në festival, përveç poezive të tyre, lexojnë edhe një poezi të një poeti në përvjetor. Në edicionin IV të Festivalit Poeteka nderohen me kujtim Migjeni (Kangët e pakëndueme) dhe Eqrem Çabej (Sonete).

Përkthyesi dhe Poeti: Bisedë dhe lexime autoriale e krijuar enkas për t’u fokusuar te përvojat krijuese të poetëve, përkthyesve të tyre dhe të vetë poetëve kur ata shfaqen si përkthyes poetësh. Kjo hapësirë synon të ofrojë për publikun një format më të zgjeruar të poezisë në fazën e krijimit të mirëfilltë dhe përkthimit si krijim.

p(R)oeteka: vjen si një element i ri në Festival, si zgjerim i njësisë së tij me prozën dhe autorët e saj nga njëra anë, dhe nga ana tjetër si një ftesë për të biseduar rreth temës nëse janë të nevojshme veprimtaritë poetike dhe për se shërbejnë ato.

5 europianë në oborrin e mbretit Monun: Pasdite speciale kushtuar poezisë holandeze në kuadrin e njohjes dhe takimit me poezinë më pak të njohur europiane në Shqipëri. Përmes këtij formati, synohet të vendosen lidhje e marrëdhënie edhe me zonat më periferike të poezisë që, për shkak të gjuhës apo kontakteve, kanë qenë gjer sot periferike për lexuesin shqiptar.

Tryezë e rrumbullakët: Si ta promovojmë poezinë në kohë moderne dhe me mjete moderne? - është pyetja që Poeteka merr në shqyrtim, duke ofruar, përveç përvojës së saj, edhe kontributet e shumta të pjesëmarrësve nga vendi dhe Europa, duke u përqendruar veçanërisht tek editorët e revistave letrare, gazetarët e faqeve kulturore të të përditshmeve, drejtuesit e emisioneve televizive për kulturën, drejtuesit e portaleve virtuale, pedagogët, mësuesit e shkollave, librarët etj.

(ob) SESION: është një format që priret të ofrojë një hapësirë më shumë për zhanrin e esesë, si mënyrë shprehjeje e mendimit dhe përsiatjeve teoretike përmes artit të të shkruarit dhe stilizimit të përvojave shkrimore. Tema e zgjedhur në edicionin IV të Poeteka - ‘Të jesh shkrimtar në...’, vë përballë dhe pranë njëra-tjetrës përvojat e shkrimtarëve dhe personaliteteve të kulturës nga vende të ndryshme të botës, të cilët modelojnë pikëpamjet e tyre përmes prurjes eseistike, që vjen enkas në festival.

Perpetuum Mobile: Performancë, lexim autorial në shkallë lëvizëse në mjedise të hapura, që synon ofrimin e poezisë në vende të populluara dhe me mundësi audience të madhe.

Lexime të mëngjesit: Shezlong. Lexime poetike në mjedise të mbyllura.

Guidë në kujtesë : Udhëtime nëpër pika të rëndësishme historike, arkeologjike dhe kulturore të Durrësit (Amfiteatri i qytetit, Torra veneciane, Muzeu arkeologjik, Muzeu etnografik, Forumi, Muret bizantin, Muri turk etj) dhe Beratit (Kalaja, Muzeu Onufri, Kishat e brendshme të Kalasë, objekte kulti, Lagja Mangalem, Ura e Goricës etj)

Intervistat në POETEKA IV: Veç të tjerash, në Festival do të promovohet edhe intervista e dedikuar, e cila vjen si bashkëpunim i emrave të njohur të botës së gazetarisë, publicistikës dhe kritikës letrare si Milena Selimi, Baviola Shatro, Entela S. Kasi, Fatmir S. Baçi, Erion Kristo, Agron Tufa me poetë dhe shkrimtarë të ftuar si Casimiro de Brito, Marko Sosiæ, Claudia Keelan, Boris Biletiæ, Milan Rakovaæ, Andrej Sen Senkov, Stanislav Lvovski etj.

Muzika në festival: trajtuar si pjesë e programit dhe jo thjesht si element shoqërues, muzika në Poeteka IV ka një rol solistik, duke filluar që nga Ceremonia e Hapjes dhe deri në Ceremoninë e ndarjes së Çmimeve. Ky element ka angazhuar disa nga instrumentistët më të njohur e më të talentuar shqiptarë (Ramazan Peku, Aristidh Prosi, Fatos Mullahi, Genti Rrushi, Angjelin Toma, Gridi Kraja), të cilët performojnë dhe luajnë për publikun solot e tyre si në një koncert. Pjesë e programit janë polifonia toske, autorë modernë shqiptarë si Aleksandër Peçi, modelime të temave të kompozitorëve të njohur botërore si Gershwin dhe Ravel, si dhe improvizime e kapricio instrumentale. Konceptimi muzikor u krye nga Spartak Sinamati (violinë – Concert Maester).

22 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›