Unë, zonjusha arrogante
Flutura AÇKA
1.
Keqkuptimi im i asaj vere erdhi nga qielli, siç rrallë ndodh me keqkuptimet e mia, që janë tokësore. Pra, si rrufe në qiell të thatë. Qiejt u çanë e u përshkuan nga gjithfarë avionësh, ca madje, si zogj të një sëre të re, u bënë objekt i bisedave të analistëve nëpër ekrane në mbrëmjet e ngarkuara me pezm. Të tjerat, të gjitha dihen. Ai vit u shkrua për botën si viti i fundit i mijëvjeçarit, por,për ne, shqiptarët e ndarë të Ballkanit, si viti i parë nga niste mbase ribashkimi ynë, si ai i mishit te mishi.
Në të hyrë të kësaj vere epike, udhëtimi im për në veri të Evropës duhej të ndryshonte trajektore, pasi Rinasi nuk funksiononte për civilë. Me biletën e avionit në dorë, kuturisa të gjej zgjidhje, përsëri nga ai qiell me udhë të ngatërruara. Po, e kishte një zgjidhje; unë duhej të udhëtoja deri në Selanik me çfarëdo mjeti që të më pëlqente dhe nga andej bileta ime, atëbotë e pavlefshme, do të merrte vlerë. Po shkoja nga Evropa në Evropë, pra më saktë, nga Evropa e Ballkanit në Evropën e Evropës.
Që t’i shpëtoja vapës, udhën gjer në Selanik e bëra natën. E këputur, në mëngjesherë i plasa bagazhet në hotelin më të afërm aty, njëfarë Rex, ku pata kohë gjer pasdite të flija e t’i shpëtoja përvëlimës. Ndryshe nga ç’do të qe e këshillueshme për çdo grua shqiptare, që udhëtonte në zona ku ne nuk jemi shumë të dëshirueshëm, vesha çfarë nuk duhej veshur. Pantallona të shkurtër, tmerrësisht të shkurtër, një dekolte që përbënte portalin e një body të llastiktë, që megjithë lulkat jeshile të tij, nuk e fshihte aspak feminilitetin, atlete, një palë syze dielli dhe një rreth për flokët e ngritur. Gjithçka tjetër ishte e zbuluar, nën robërinë e vapës.
Për në aeroport mora autobusin e linjës së rregullt, që niste nga qendra dhe që kishte një dyzinë ndalesash. U ula diku në njërën nga ndenjëset e para. Për minuta të tëra pritjeje, autobusi mbeti i zbrazur. Në çastet e fundit, kur motori filloi të rënkojë, pashë të hynin ca njerëz. Njëri madje u ul në ndenjësen ngjitur me mua. I pashë vetëm hijen dhe nxitin tek ulej. Ktheva kokën paksa e befasuar; në gjithë këtë vapë, kur autobusi ishte pothuajse bosh, ky njeri e gjeti të ulej këtu! Ndoshta nga kthimi i kokës sime, ai përshëndeti. Mendova se duhet të ishte ndonjë përshëndetje greqisht, kështu që thjesht ia ktheva me një tundje koke. Ai qeshi dhe foli diçka, sërisht në greqishten e tij të pakuptuar për mua. Si vërejti reagimin tim të vakët, ai foli diçka në anglisht. E gjithë sa kuptova, ishte një përpjekje e tij për të hyrë në bisedë, jo larg mendimit që më habiti në çastet e para të turrit të tij për t’u ulur në ndenjësen ngjitur me timen.
Me anglishten time jo aq për t’u patur zili, i shpjegova se vija nga Shqipëria e se isha aty veç tranzit dhe se duhej të udhëtoja më tutje, se për shkak të okupimit të Rinasit nga NATO-ja, ishin çarkorduar fluturimet Tiranë - Botë.
“Ja e sheh”, më tha, “për shkak të Amerikës, po vriten njerëz, Amerika është e keqja më e madhe e kësaj bote.
“Prit, more”, thashë e nxehur, “kur u bë Amerika e keqe për ju, apo u ndërtuat ju, e s’keni nevojë më!”
“Ju shqiptarët...”, filloi ai dhe mbajti një leksion të gjatë disaminutësh mbi gjendjen e rëndë që kishte kapluar Bakllanin, se si ne do ta shihnim më vonë atë “Amerikën e dashur”, me gjithë ata miqtë e saj evropianë, që në mënyrën më të padrejtë po e bombardonin Jugosllavinë, se si ne shqiptarët u kishim krijuar atyre kushte që ta bënin krimin e tyre deri në fund, se si vëllezërit serbë po vuanin nga kjo padrejtësi e madhe, se si… O Zot sa sesi-ra nxori ai burrë.
2.
Për fat, për shkak të anglishtes së tij copë-copë, unë nuk e kuptoja si duhet ligjërimin e tij, kështu që edhe zemërimi im shkonte e vinte, copa-copa.
Pasi e lashë të shfrynte, iu kundërsula me gjithfarë argumentash, mbase edhe me një dozë inati, që ky “birbo” po ma nxinte edhe më atë udhëtim të gjatë. Pa le, me atë anglishten e tij për vajmedet! Pa të shohë ai gjuhën time brisk! Dhe i thashë e çfarë s’i thashë, se, së paku, ne ishim vëllezër me kosovarët, por prapë silleshim si t’i kishim miq, kurse ata, grekët, ishin miq e silleshin si vëllezër me serbët. I thashë se sa të paturp po ishin këta grekët e sotëm, që s’kishin kurrfarë ngjashmërie me helenët e dikurshëm (për të cilët unë kisha një admirim të çmendur), që këta (grekët e sotëm) rronin e lëvdoheshin veç me të shkuarën e tyre. Pra, jo me bëmat e tyre! E çfarë s’i thashë njeriut të gjorë, burrit që ishte ulur aty bri meje, i tërhequr mbase vetëm nga dekolteja a këmbët e mia të zbuluara e bukur të rrezitura.
Në fund, i lodhur dhe i mundur nga të ashtuquajturat argumentat e mia kokëforta, ai më tha fajshëm:
- Zonjushë e bukur, ju po përfitoni se anglishtja juaj është më e mirë se e imja. Por kjo është thjesht epërsi e çastit.
3.
Unë ndjeva të më skuqeshin faqet. Po, unë atë kisha bërë minuta të tëra. I pata shfryrë atij greku të thjeshtë politikën e gjithë botës dhe e pata bërë armik në një ditë vere. E përse? Për t’i treguar atij me arrogancën time të pashoqe se sa e zonja isha, madje politika e madhe ishte një pakogjë për anglishten time “perfekte”. Nëse ai s’e kuptonte si duhet, ishte problem i tij. Në mos, ai greku që guxoi të më prekte te gjaku, jo vetëm duhej të kujdesej kur të ulej pranë meje, por do të kishte bërë më mirë të zbriste në stacionin më të parë.
Dhe, në fakt, Jorgos (kështu më tha se quhej) zbriti, sigurisht si armik, në stacionin më të parë. Unë, “zonjusha e bukur”, e kisha dokëndisur, madje kisha marrë hak (mbase në heshtjen time) për vëmendjen e tij ndaj meje. Unë zonjusha e bukur arrogante, që prisja me shpërfilljen time majtas e djathtas komplimenta, e kisha paralajmëruar me një kërcënim serioz që të mos guxonte më të fliste anglisht me këdoqoftë, vajzë me apo pa dekolte të ishte. Ai, Jorgos, vërtet kishte hyrë në Evropë fizikisht, por s’duhej të guxonte ta shante Evropën, sa kohë nuk i kuptonte fjalët e evropianëve, sa kohë nuk fliste si duhej evropiançe, sa kohë lëçiste veç në gjuhën e nënës së tij. Në Evropë, me të vërtetë, kisha hyrë unë që e thaja anglishten.
Jorgos zbriti në stacionin e parë dhe s’di ç’bëri më tutje. Prej një tersi të çuditshëm, as vetë nuk e di se si rrodhën punët e vulave që mora, por unë nuk munda të hyja atë ditë aq lehtë nga Evropa në Evropë, nga Evropa e Ballkanit në Evropën e Evropës. Mbeta një kohë të gjatë në një stol në kënd të pikës së kontrollit, gjersa dokumentet e mia u shoshitën. Ndërkohë Jorgos, nëse do të ishte duke udhëtuar si unë, do të ishte mbase duke bërë gjumin e parë atje, ku duhej të kishte mbërritur me kohë, pavarësisht anglishtes së tij jo aq të pranueshme.
S’di pse ky mëkatim ndaj Jorgos m’u kujtua këtë mbrëmje të ftohtë pranvere, kur s’të shkon mendja te të zbuluarit e feminilitetit, por se si të mbulohesh aq, sa të mund të jesh sa më e harrueshme si e tillë.
Kisha një ndjesi faji dhe ndjese të pathënë, që mbeti nëpër qiej, si dikur arroganca ime. Tani ishte vonë dhe Jorgos ia pata harruar edhe portretin, portretin prej njeriu të mirë…
22 Shtator 2008