Rituali vetjak i shkrimtarit
Nuk di sa janë të gatshëm shkrimtarët të rrëfejnë ritualet e tyre vetjake, përpara se të hedhin diçka në letër. Por e përfytyroj se gjithë artistët apo shkrimtarët, në kohën para se t’ia nisin punës (natën a ditën), kanë përpara atë hapësirën mes përgatitjes e fillimit, dhe sado e vogël qoftë ajo, ka diçka prej devotshmërie e përunjësie në një kuptim ritualistik... E kështu, kjo mund të tingëllojë si mburrje, po ta them, por ndonjëherë kur ndiej se kam bërë punë të mirë, unë lutem, them faleminderit... Ah, sikur një qeveri të mund të krijonte vetëm idenë se çdo qenie humane e ndjeshme dëshiron jo vetëm të ketë ujë pa ndërprerje, por edhe një libër në duar apo edhe një pikturë në mur!
Derek Walcoff (Nobel)
1
Çdo shkrimtar ka rrethanat dhe gjendjen e vet psiqike ndaj letrës së bardhë dhe, në njëfarë kuptimi, pa e bërë këtë, ata kryqëzojnë vetveten: dua të them, është si zakoni i katolikëve që hyjnë në ujë – ti kapërcen vetveten përpara se të hysh në ujë. Çfarëdo përpjekje për të bërë diçka të vlefshme, ka natyrë rituale. Nuk e kam vërejtur se cilat janë tamam mjetet që përdor unë. Por e di se, nëse dikujt po i afrohej poezia – në kulmin e zhurmës së makinës së shkrimit, të trafikut të rrugës jashtë dritares apo çfarëdo qoftë, - ti bën një lloj sprapsjeje, tërheqjeje për kah një lloj heshtjeje që këput çdo lidhje tënden me mjedisin përreth. Ajo me të cilën po merresh, në të vërtetë nuk është ripërtëritje e identitetit tënd, por fare e qartë, përtëritje e anonimitetit tënd, kështu që ajo çka shtrihet përballë teje bëhet më e rëndësishme edhe se ti. E kështu, në një masë të barabartë me të – kjo mund të tingëllojë si mburrje, po ta them, – ndonjëherë kur ndiej se kam bërë punë të mirë, unë lutem, them faleminderit.
Nuk ndodh shpesh, sigurisht. Nuk arrij çdo ditë. Unë nuk jam murg, por nëse ndodh diçka, unë them faleminderit, sepse vërtet e ndiej se është një shkëndijë fati, një lloj hiri i rrufeshëm sa hap e mbyll sytë, që i ndodh dikujt.
Mes fillimit e mbylljes nga njëra anë, dhe kompozicionit të atyshëm që vazhdon, ka një lloj ekstaze që ti shpreson të hysh aty, ku çdo tregues i intelektit tënd po vepron tërësisht në ndihmë të përparimit të kompozicionit. Porse nuk ka asnjë rrugë apo mënyrë për ta diktuar a nxitur atë.
Dhe, së fundi, unë ngrihem herët, çka mund të merret si zakon i mesjetës së vonë. Njëfarësoj më bezdis pak. Them se është pjesë e ritualit: ngrihem dhe bëj një filxhan kafe, vë ibrikun e ndez një cigare. Por tani nuk jam i sigurt nëse ngrihem për të punuar apo për të pirë kafenë. Por mbase ngrihem aq herët më tepër që të tymos, sesa të shkruaj. Ndonjëherë është tepër shpejt, si për shembull, ora tre e gjysmë që, siç e merrni me mend, nuk është shumë e këndshme.
2
Mesatarisht është ora pesë. Gjithçka varet se sa mirë kam fjetur. Por ajo orë, gjithë ajo pjesë e ditës, është e mrekullueshme në Karaibe. E dua mugëtirën e freskët të agut, ngazëllimin dhe përndritjen e lindjes së diellit. Desha të them se, veçanërisht në vendin ku jetoj, muzgu, agimi dhe të ngriturit herët për kafe a çfarëdo tjetër qoftë, është ritual i mirëfilltë. Madje, do të shkoja edhe më larg, duke e quajtur akt religjioz. Ajo ka rrethanat dhe mjetet e veta. Dhe ti ndien shpirtin tënd të zgjohet.
Unë i përdor shumë strofat katërvargëshe apo edhe i kam përdorur, dhe e ndiej se në to ka diçka tepër të zakonshme, pra, pa ndonjë mistifikim.
Përpiqem t’i largohem mistikës aq shumë, sa të mundem. Dhe kështu e gjej veten duke shkruar tepër thjesht, i lidhur e i përkorë me gjuhën e folur, me katërvargësha të alternuar në rima. Çdo formë tjetër duket tepër e stërholluar, një përpunim mbi atë kub bazë që është poema.
Ndaj dhe mund të themi se mjeshtëria është po aq e ritualizuar, sa dhe puna e një karpentieri, që shpalos planin e vte, vlerëson mjetet e veta dhe i vë ato në vendet që u takojnë. E kështu, korniza bëhet edhe më e çmuar se karpentieri. Unë nuk kam menduar për dhuntinë time – kam thënë “dhuntia ime”, sepse e besoj që është dhunti, pra nuk kam menduar si diçka që e kam bërë tërësisht për vete. Qysh prej rinisë sime të herëshme, e kam ndier se kam një detyrë dhe që, në njëfarë mënyre, ishte që ta artikuloja, veçse jo përvojën time, por atë që shihja përqark.
Prej kohës që isha fëmijë, e dija se kjo qe e mrekullueshme. Po të ngjitesh në ndonjë nga lartësitë e Santa-Luçisë, vetvetiu të kaplon ndjesia e së resë dhe e pakohësisë e, në të njëjtën kohë, prania e asaj ku ndodhesh. Po ashtu e dija se njerëzit e varfër rrotull meje nuk qenë të bukur, në kuptimin romantik të të qenit njeri me ngjyrë, për t’u shkruar apo pikturuar. Unë jetova, i kam parë ata dhe kam parë gjëra, që s’më është dashur t’i kërkoja larg. E ndjeva se ishte ajo çka unë duhej të shkruaja.
Kështu pra, e përjetova punën që do të më duhej të bëja. Është diçka që shkrimtarë të tjerë e kanë bërë në mënyrën e tyre, edhe kur kjo tingëllon e vrazhdë. Yeats-i e ka thënë, Joyce-i e ka thënë. Mrekullohesh kur lexon Joyce-in tek thotë se ai ka dashur të shkruajë për racën e tij, pra, irlandezët. Ti natyrisht thua me mendje se Joyce-i duhet të ketë patur një mendje shumë më të madhe, më kontinentale, porse Joyce-i përherë ka ngulmuar në lokalizmin e vet dhe njëherësh kishte mendjen më universale pas Shakespeare-it. Ajo çfarë mund të bëjmë, në kuptimin e nderit tonë, është thjesht të shkruajmë brenda perimetrit tonë të nja njëzet kilometrave.
3
Një brezni artistike në Karaibe rron afro pesë vjet. Pesë vjet qëndrueshmëri. Pas kësaj, them se njerëzit heqin dorë. I shoh si pesë vjet mërzie, kotësie dhe sjellje të njerëzishme.
Hedh sytë nga shkrmtarët më të rinj dhe shquaj të njëjtin lloj dëshpërimi që ngjizet dhe të njëjtën dëshirë për të thënë: “Në djall vaftë edhe kjo punë, do iki prej këtu!”
Ka edhe një problem me pjesën, që luan këtu qeveria.
Kemi mbërritur tek të menduarit mekanik, çka do të thotë se një qeveri, e cila shqetësohet për banimin, ushqimin dhe të tjera gjëra të këtij lloji. Elektrifikimi dhe ujërat e zeza patjetër që do të kenë përherë përparësi. Ah, sikur një qeveri të mund të krijonte vetëm idenë se çdo qenie humane e ndjeshme dëshiron jo vetëm të ketë ujë pa ndërprerje, por edhe një libër në duar apo edhe një pikturë në mur! Kjo është ideja që pata krijuar unë për një qeverisje, kur isha 18-19 vjeç.
Tani që jam 55 vjeç, i shoh të zhytur në korrupsion, të zhytur në vetëkënaqësi dhe, më e keqja, një vëmendje tepër e cekët ndaj artit. Po bëhet e vështirë të shohësh njerëz, të cilë kanë një pikë tepër të fortë të tyren dhe që është kultura e tyre.
22 Shtator 2008