Kryeministri Berisha kujton masakrën e Srebrenicës: Gjenocidi më i egër i pas Luftës së Dytë Botërore - xhelatët janë ende të lirë

Shefi i ekzekutivit e ka konsideruar ngjarjen e 15 viteve më parë si më mizoren, ndërsa ka dënuar faktin se autorët e vërtetë të masakrës janë ende të lirë. Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, i pranishëm në ceremoninë përkujtimore në Srebrenicë
Kreu i Qeverisë shqiptare ka deklaruar sot me rastin e 15 vjetorit të masakrës massive të Srebrenicës se shpirtrat e fëmijëve, grave, të rinjve, të moshuarve, viktima të Srebrenicës, kërkojnë nga njerëzit e lirë, qeveritë e tyre, OKB-ja, drejtësi. Sipas kryeministri shqiptar, viktimat do të prehen të qetë vetëm atëherë kur vrasësit e tyre të marrin dënimin e merituar. “Ata do të mund të prehen të qetë, vetëm atëherë kur xhelatët e tyre do të marrin dënimin më të rëndë që meritojnë. Sot është 15 vjetori i barbarisë më të pa parë, genocidit më të egër, më mizor, të pasluftës së dytë botërore, masakrës masive të Srebrenicës, në të cilën mbi 8 mijë civilë, burra, gra, fëmijë, të vendosur nën mbrojtjen e trupave të OKB, u ekzekutuan dhe shfarosën nga falangat e Millosheviçit e Mlladiçit, vetëm e vetëm për përkatësinë e tyre etnike dhe besimin e tyre fetar”- shpreh në mesazhin e tij, kryeministri Berisha. Sipas shefit të qeverisë, në këtë përvjetor zije, dhimbja, përgjegjësia, por edhe lëndimi i ndërgjegjes së njerëzimit, për këto mijëra e mijëra jetë të pafajshme, të rrëmbyera mizorisht, janë më të mëdha se 15 vjet më parë. “Kjo sepse ende, autori kryesor, kryexhelati i këtij gjenocidi, Radko Mlladiç dhe shumica e xhelatëve të saj, gjenden të lirë. Shpirtrat e fëmijëve, grave, të rinjve, të moshuarve, viktima të Srebrenicës, kërkojnë nga njerëzit e lirë, qeveritë e tyre, OKB-ja, drejtësi. Ata do të mund të prehen të qetë, vetëm atëherë kur xhelatët e tyre do të marrin dënimin më të rëndë që meritojnë”- deklaron më tej në mesazhin e tij kryeministri Sali Berisha.
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, i pranishëm në ceremoninë përkujtimore në Srebrenicë
Krimi më i madh, Ballkani të lerë pas historinë e dhimbshme dhe të ndërtojë të ardhmen evropiane
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e 15 vjetorit të tragjedisë së Srebrenicës në Bosnje Hercegovinë, ku u rivarrosën eshtrat e 775 personave të identifikuar. Në ceremoni, kryediplomati shqiptar, Meta u prit nga Presidenti i Bosnjes Haris Silajdziç. Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, u takua edhe me familjarë të viktimave si dhe vizitoi ekspozitën me rastin e përkujtimit.
Të pranishëm në këtë ceremoni, me të cilët zv/kryeministri Meta ka zhvilluar dhe takime kanë qenë kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner dhe presidenti serb, Boris Tadiç. Meta bëri homazhe dhe vendosi një kurorë në përmendore. Në fund të ceremonisë, Meta dha një prononcim për mediat, duke deklaruar se masakra e Srebrenicës, është ngjarja më e dhimbshme në të gjithë evropën, pas Luftës së Dytë Botërore. Zv/kryeministri shqiptar, vuri në dukje se vendet e rajonit duhet të shkëputen nga mentaliteti i dhimbshëm i së shkuarës dhe të shohin drejt së ardhmes.
“Srebrenica, krimi më i madh i pas luftës së dytë botërore. Shpreh solidaritetin me popullin boshnjak dhe familjarët e viktimave. Duhet të mësojmë shumë nga e kaluara që kjo të mos ndodhë më. Detyra jonë është të garantojmë të ardhmen më të sigurt në Ballkan”- u shpreh zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Masakra e Srebrenicës njihet si një nga gjenocidet më të përgjakshme të historisë së njerëzimit, ku afro 8 mijë myslimanë të Bosnje Hercegovinës u masakruar nga ushtria serbe e urdhëruar nga Sllobodan Milosheviç dhe udhëheqësi i serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiç.