E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ribashkimi i Gjermanisë, Berisha letër Merkel

Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazh urimi Kancelares së Gjermanisë Angela Merkel, me rastin e 3 Tetorit, ditës së ribashkimit të Gjermanisë.
“Kam kënaqësinë e veçantë, që, me rastin e 3 Tetorit, ditës së madhe të ribashkimit të Gjermanisë, t’Ju përcjell, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, Juve, qeverisë dhe popullit gjerman, mik i madh dhe i ngushtë i Shqipërisë e shqiptarëve, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për zhvillim të mëtejshëm, begati e lumturi të vendit dhe kombit tuaj” theksohet në letrën e kryeministrit Berisha.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë theksohet se 3 tetori i vitit 1990 shënon një ngjarje madhështore historike jo vetëm për kombin gjerman, por edhe për Kontinentin Europian e mbarë njerëzimin për mesazhet e paçmuara të lirisë e të vlerave të saj që kjo ngjarje përçoi në mendjen dhe zemrën e çdo qytetari, familjeje e kombi, që kishin përjetuar pashpirtësinë komuniste dhe peshën e rëndë e barbare të izolimit të perdes së hekurt dhe që tashmë po jetonin ëndrrën më të bukur për ndryshim, liri e dinjitet njerëzor.
“Shqiptarët janë krenarë që, nën shembullin e kombit mik gjerman, rrëzuan në fillim të viteve 1990 diktaturën hoxhiste, më të egrën në Europë, kanë ndërtuar sot një demokraci funksionale të bazuar në ekonominë e tregut të lirë dhe po punojnë me vendosmëri për projektin madhor kombëtar të anëtarësimit në BE. Në këtë kontekst, unë shfrytëzoj rastin t’Ju rishpreh mirënjohjen më të thellë për mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer të Gjermanisë mike, Tuajën dhe të qeverisë që Ju kryesoni si në drejtim të integrimit euroatlantik, ashtu edhe në bashkëpunimin dypalësh i cili ka njohur gjatë kësaj periudhe lartësi të papara ndonjëherë më parë” theksohet në letrën e kryeministrit Berisha.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›