Reforma zgjedhore, Berisha:Të gatshëm të bashkëpunojmë

Ashtu siç ka bërë edhe më parë, kryeministri Berisha i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kreut të PS-së, për të realizuar bashkarisht reformën zgjedhore. Çdo propozim jashtë rekomandimeve të OSBE- ODIHR_it sipas kryeministrit bëhet vetëm për të bllokuar reformat. Në përgjigje të ftesës që Rama i drejtoi sot në mbledhjen e grupit, kreu i ekzekutivit tha se shumica është e gatshme në kushte pariteti të ulet në një komision parlamentar të reformës zgjedhore.
“Unë dua të theksoj faktin se përgjigja ime është shumë serioze. I nderuar zotëri jemi plotësisht të vendosur të bashkëpunojmë në interesin më të mirë të vendit për reformën zgjedhore, një koncept të qëndrimit tonë të vendosur e të hapur ne kemi paraqitur dhe sërish e ritheksoj jemi të gatshëm në kushte pariteti të ulemi në një komision parlamentar të reformës zgjedhore. Komision i cili duhet të ketë axhendë të tijën, adresimin e 52 rekomandimeve të dy ekipeve të OSBE/ODIHR-it, ekipit që vëzhgoi zgjedhjet e 2009 dhe ato të fundit. Nëse para zgjedhjeve lokale për një sëri çështjesh duhet të funksiononte hamendja tani nuk ka ngelur gjë për të hamendësuar. Këto dy ekipe kanë vendosur gishtin në të tëra problemet, kanë listuar të gjitha çështjet që duhen adresuar”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, mazhoranca është 100% e hapur për të gjitha ndryshimet dhe gjithashtu edhe atyre të rregullores së Kuvendit. “Kam propozuar që delegacioni ynë në Parlamentin Evropian që është në përbërje 50 me 50 % të autorizojë një ose dy deputetë nga pozita e opozita të marrin rregulloren e Parlamentit Evropian e cila në definicion sjell esencën e koncepteve më të avancuara të demokracisë parlamentare. Nuk mundet asgjë të na imponojë hapa prapa. Nuk do kthehemi prapa. Nuk më keni dëgjuar mua ndonjëherë të them hajde të kthehemi në vitet e mia kur isha president me fuqi ekzekutive. E kam thënë se nuk do kthehem më president dhe as të ndryshoj ligjet kushtetuese. Oferta që bëjmë ne për opozitën për dy çështjet themelore është kjo”, tha Berisha.
Ai gjithashtu theksoi se nuk do të pranojë kurrsesi të ndajë pushtetin në tavolinë pasi është jashtë kulturës sime demokratike.
Berisha tha se ata që lexojnë ABC-në e demokracisë gjejnë se Kushtetuta është risia më madhore e demokracisë moderne. “Është faktuar se një kusht themelor edhe për liritë dhe të drejtat themelore është respektimi i Kushtetutës dhe kushtetueshmërisë. Çdo përpjekje për të devijuar prej saj përbën një devijim thelbësor të demokracisë. Nuk ka kontratë më të madhe për një komb të qytetëruar se sa Kushtetuta. Atëherë nëse bëhen propozime për të na nxjerrë jashtë këtij kuadri këto bëhen për të bllokuar, për të justifikuar politikën e bllokimit. Siç e shikoni uroj të mos jetë farsë propozimet e tij por qëndrimi i grupit parlamentar socialist në këtë sesion është identik me qëndrimin e një viti më parë”, insistoi Berisha.
Në përgjigjen e Berishës mungoi ajo për ftesën që kreu socialist ka bërë për një debat publik me të.