E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poposki: Të regjistrohen të gjithë maqedonasit në Shqipëri

Në konferencën për shtyp, Haxhinasto tha se ishte diskutuar për marrëdhëniet midis dy vendeve si dhe thellimin e bashkëpunimit, duke përmendur këtu kalimet pa pasaporta në kufi.

“Do të ketë lehtësim të procedurave të kalimit të kufirit Shqipëri-Maqedonë. Marrëdhëniet midis dy vendeve të intensifikohen. Të vazhdojnë vizitat në nivelin më të lartë”, tha Haxhinasto.

Nga ana e tij, ministri maqedonas, Poposki kërkoi që të gjithë maqedonasit në Shqipëri të regjistrohen gjatë procesit të censusit të nisur më 1 tetor. Ai tha se është me rëndësi që gjatë procesit të regjistrimit të konstatohen të gjitha komunitetet.

“Një urë tjetër bashkëpunimi midis dyja vendeve është komuniteti maqedonas në Shqipëri dhe ai shqiptar në Maqedoni. Në këtë kuadër shpreh bindjen se gjatë regjistrimit të bëhen të gjitha përpjekjet që të gjithë maqedonasit në Shqipëri të marrin pjesë në proces”, theksoi ai gjatë konferencës.

Megjithëse deri më tani nuk është zbatuar plotësisht Marrëveshja e Ohrit, kryediplomati maqedonas tha se ajo është një shembull për të gjithë rajonin. “Maqedonia jep një shembull pozitiv në këtë kontekst. Marrëveshja e Ohrit është pjesë e Kushtetutës tonë dhe si e tillë mund të jetë me vlerë për të gjithë rajonin. Kjo duhet të na ndihmojë të qasemi në të gjitha ato procese të përbashkëta që është integrimi", vijoi ai.

Haxhinasto deklaroi se censusi i popullsisë është i bazuar në legjislacionin evropian dhe ofron të gjithë hapësirën dhe garancitë e nevojshme që rezultati i tij të jetë në përputhje të plotë me realitetin e minoriteteve në Shqipëri.  "Çdo pretendim i kundërt me këtë është me një ndikim të fortë politik, i panevojshëm dhe i parëndësishëm", shtoi Haxhinasto.

Ai nënvizoi se ligji për regjistrimin e popullsisë është në zbatim të standardeve më të mira evropiane, dhe nuk mund të jetë ndryshe, pasi Shqipëria është shembull në kuadër të zbatimit të të drejtave të minoriteteve. "Ligji aktual për censusin është zbatimi i standardeve dhe praktikave më të mira evropiane të censusit, pasi Shqipëria është gjithashtu vendi që përbën një shembull në zbatimin e standardeve të Evropës për të drejtat e minoriteteve. Nuk janë të rëndësishme përqindjet, por zbatimi i atyre të drejtave që i përkasin çdo minoriteti", theksoi ministri Haxhinasto.  /Start/

                                                                                             2011-10-03 10:50
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›