Riberi e Benzema merren në pyetje
Policia e Francës ka marrë dje në pyetje futbollistët Frenk Riberi dhe Karim Benzema, në kuadër të hetimeve lidhur me një grup, për të cilin ka dyshime se është marrë me prostitucion të femrave të mitura. Futbollistët ishin marrë në polici me kërkesë të një gjyqtari hetues, në kuadër të hetimeve se një klub nate në sheshin “Shanzelize”, u ka mundësuar klientëve qasje te vajzat e mitura. Një femër e re, e cila është dyshuar se ka takuar klientë në këtë klub, më herët gjatë këtij viti ka dëshmuar para hetuesve, duke thënë se ajo kishte pasur marrëdhënie me të dy lojtarët kur ishte e mitur. Nëse dëshmohet se futbollistët Riberi dhe Benzema kanë paguar për seks me një femër të mitur, prostitutë, e quajtur Zahia Dehar, mund të dënohen me tri vjet burgim dhe dënim prej 45 mijë eurosh. Më herët, Frenk Riberi i ka konfirmuar policisë se ai kishte pasur marrëdhënie seksuale me femrën e re, por kishte këmbëngulë se nuk e kishte ditur se ajo ishte e mitur. Karim Benzema nuk ka dhënë deklarata publike lidhur me këtë çështje. 27-vjeçari Riberi luan për skuadrën gjermane të Bajernin e Mynihut, ndërsa Benzema është lojtar i gjigantëve të futbollit spanjoll, Realit të Madridit.
#